Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kërkuesit e emocioneve të forta: Pse kjo tërheqje vdekjeprurëse?

Kërkuesit e emocioneve të forta: Pse kjo tërheqje vdekjeprurëse?

Kërkuesit e emocioneve të forta: Pse kjo tërheqje vdekjeprurëse?

NË ARENËN e Romës së lashtë, turmën prej 50.000 njerëzish tepër të emocionuar nuk e mbante vendi. Padurimi i tyre ishte rritur më shumë gjatë ditëve, ndërsa lajmërimet e përhapura gjerësisht kishin shpallur se këto shfaqje që do të zhvilloheshin do t’u dhuronin «çaste drithëruese e fantastike ku nuk duhet të mungoje».

Megjithëse shfaqjet me numra shpejtësie, pantomimat, kllounët dhe komeditë ende tërhiqnin shumë njerëz në teatrot e vendit, shfaqjet në arena ishin shumë të ndryshme. Parehatia e vendeve të forta dhe shqetësimet e ditës do të harroheshin shpejt, kur spektatorët të shihnin skenat drithëruese që do të shfaqeshin përpara syve të tyre.

Në këtë moment, dilnin këngëtarët dhe pas tyre prifti i veshur me rrobën e tij. Pastaj mbajtësit e temjanit i prinin një vargu idhujsh që paraqitnin perëndi dhe perëndesha, të cilët mbaheshin lart me qëllim që të shiheshin nga të gjithë. Të gjitha këto gjëra bënin që këto shfaqje të dukeshin sikur kishin miratimin e perëndive.

Kasaphana e kafshëve

Tani ishin gati për të filluar pjesët kryesore të shfaqjes. Në fillim strucët dhe gjirafat, që pak prej të pranishmëve i kishin parë ndonjëherë, lëshoheshin në arenë pa pasur asnjë mundësi për të ikur. Shumë harkëtarë të zotë, me shigjeta dhe me harqe, i vritnin mizorisht kafshët e gjora nga e para deri tek e fundit, për t’u sjellë kënaqësi spektatorëve të etur për emocione të forta.

Pas kësaj pjese, për turmat që brohoritnin shfaqej një betejë për jetë a vdekje midis dy elefantëve të mëdhenj, dhëmbët e të cilëve ishin pajisur me heshta të gjata prej hekuri. Duartrokitje të stuhishme shpërthejnë, ndërsa njëra nga kafshët e fuqishme, e plagosur për vdekje, rrëzohet mbi tokën e lagur me gjak. Kjo skenë vetëm sa u ka hapur oreksin spektatorëve për pjesën më të rëndësishme që do të shfaqet pak minuta më vonë.

Pjesa më e rëndësishme

Turma e etur për emocione të forta ngrihet në këmbë, ndërsa gladiatorët shfaqen në arenë në mënyrë të bujshme. Disa janë të armatosur me shpata, me mburoja dhe me përkrenare ose kama, kurse disa të tjerë janë më pak të armatosur dhe janë veshur më lehtë. Ata do të luftojnë trup me trup, shpesh deri në vdekjen e njërit ose të të dyve, ndërkohë që spektatorët brohorasin. Dëshmitë tregojnë se gjatë një ngjarjeje të tillë, u vranë 5.000 kafshë brenda 100 ditëve. Në një rast tjetër u vranë 10.000 gladiatorë. Megjithatë, spektatorët duke bërtitur me zë të lartë kërkonin edhe më shumë.

Kriminelët dhe robërit e luftës përbënin një burim të vazhdueshëm njerëzish që nevojiteshin për lojrat. Gjithsesi, një burim pohon: «Ata nuk duhen ngatërruar me grupin e gladiatorëve të stërvitur mirë, të cilët luftonin me armë, fitonin mjaft para dhe nuk ishin të detyruar të mbeteshin gladiatorë derisa të vdisnin.» Në disa vende gladiatorët ndiqnin shkolla të posaçme për të mësuar artin e luftimit trup me trup. Të mbushur me entuziazëm, ata ishin të përpirë nga emocionet e forta që shkaktonte sporti dhe tërheqja ndaj tij, që nënkuptonte vënien e jetës në rrezik. Dëshira e fortë për t’u ndeshur përsëri përbënte një pasion mbizotërues. «Gladiatori që kishte marrë pjesë në 50 ndeshje përpara se të hiqte dorë konsiderohej mjaft i suksesshëm»,​—përfundon një burim.

Ndeshjet me dema

Në kohën tonë, bota ka hyrë në një mijëvjeçar të ri. Por është e qartë që ky fakt e ka zvogëluar fare pak pasionin e shumë njerëzve që janë të përpirë nga sportet e rrezikshme, veçanërisht nga ato ku rrezikohet jeta. Për shembull, ndeshja me dema ka qenë për shekuj me radhë një ngjarje popullore në Amerikën e Jugut dhe në Meksikë. Sot, ajo lulëzon në vendet e Amerikës Latine, në Portugali dhe në Spanjë.

Raportet tregojnë se ka rreth 200 arena në Meksikë dhe më shumë se 400 arena në Spanjë. Një arenë në Meksikë ka 50.000 vende. Në shumë prej këtyre arenave, vendet zihen plotësisht nga spektatorët, që vijnë për të parë njerëz të cilët vënë në provë trimërinë e tyre duke u ndeshur me demat që u vërsulen. Çdo shfaqje e frikës nga ana e toreadorit shkakton pakënaqësi te turmat që tallen me të.

Tani toreadore femra janë bërë edhe matadore, duke fituar kështu miliona dollarë për vrasjen e demave. Një matadore e intervistuar në televizion deklaroi se asgjë nuk mund ta kënaqte pasionin e saj për të provuar emocione të forta, ashtu si ndeshja me një bishë që të sulmon në një arenë, pavarësisht nga kërcënimi i vazhdueshëm që mund të çahesh për vdekje nga brirët e saj.

Vrapimi i demave

«Njerëzit që mbushin rrugën Estafeta në Pamplonë, pranë restorantit Siksto, kanë formuar katër radhë dhe zhurma e formuar të ngjason me një uturimë të vazhdueshme,​—shënonte një artikull.​—Bisedat zhvillohen në shumë gjuhë, si baske, kastiliane, katalane, angleze.» Njerëzit mblidhen herët për të parë ngjarjen. Demat që përdoren për ndeshjet në arenë mbahen në disa vende të rrethuara, që ndodhen rreth gjysmë kilometër larg.

Në mëngjeset para ndeshjeve, dyert e këtyre vendeve hapen me vrull, duke lënë të lirë gjashtë dema që do të ndeshen atë natë dhe një që do të mbahet si rezervë. Rruga kufizohet nga ndërtesa dhe barrikadat bllokojnë hyrjen në rrugët anësore. Në këtë mënyrë, formohet një kalim i përshtatshëm për vrapimin e demave drejt arenës, i cili zgjat rreth dy minuta nëse çdo gjë shkon siç duhet.

Vite më parë, disa njerëz vendosën të provonin aftësinë e tyre për të vrapuar më shpejt se demat, duke vënë jetën në rrezik. Çdo vit, disa e bëjnë ende një gjë të tillë. Me kalimin e kohës kjo u kthye në një aktivitet ndërkombëtar. Shumë veta janë plagosur rëndë nga demat, ndërsa të tjerë kanë vdekur, të çarë nga brirët e tyre. «Në qoftë se mendon se mund t’i kalosh ata,​—tha një vrapues,​—gabohesh rëndë.» Sipas Kryqit të Kuq Spanjoll, gjatë një periudhe 20-vjeçare, ka pasur «mesatarisht një plagosje nga çarja me brirë, çdo ditë». Nga 20 deri në 25 veta të tjerë mjekoheshin çdo ditë për plagosje.

Por, përse ekziston kjo tërheqje ndaj gjërave që rrezikojnë jetën? Një vrapues u përgjigj: «Gjatë atyre sekondave kur ti je pikërisht atje me demat, duke mbajtur ritmin e tyre, ndërsa ndien erën e tyre, trokëllimën e thundrave dhe sheh brirët që ulen e ngrihen vetëm pak centimetra më tutje, pikërisht e gjithë kjo është ajo që të nxit [për të vrapuar].» Vrapuesit inkurajohen nga turmat që brohorasin. A do të mbeten të pakënaqur disa, në rast se nuk shohin ndonjë çarje vdekjeprurëse ose ndonjë vrapues që të vërvitet egërsisht mbi shpinën e një demi sulmues, me peshë afro 680 kilogramë? A është derdhja e gjakut po kaq tërheqëse për disa prej tyre, sa ç’ishte për turmat e arenave romake?

Të vallëzosh me vdekjen

Më pas, vijnë ata që e kanë pasion të luajnë me vdekjen në mënyra të tjera. Janë akrobatët e motoçikletave që shpërfillin vdekjen dhe dëmtimet e rënda. Ata kapërcejnë mbi 50 vetura të parkuara njëra pas tjetrës ose mbi disa autobusë të mëdhenj pasagjerësh, ose mbi një kanion të gjerë. Një nga këta akrobatë tha se kishte thyer 37 kocka dhe kishte qëndruar në komë për 30 ditë. Ai tha: «Kockat ose krahët e thyer, tani nuk më bëjnë më përshtypje. . . . Kam bërë dymbëdhjetë operacione të rënda për bashkimin e kockave të thyera. Janë ato operacione, në të cilat bëhet një prerje dhe të futin në trup një pllakëz ose një vidë. Mendoj se kam rreth tridhjetepesë ose dyzet vida në trup, që i mbajnë kockat të bashkuara. Hyj e dal vazhdimisht nga spitalet.» Një herë, kur ai u plagos gjatë një prove dhe e kishte të pamundur të kryente kërcimin e tij mbi disa makina, turma fishkëlleu për të treguar pakënaqësinë.

Shumë njerëz që janë në kërkim të emocioneve të forta marrin pjesë në sporte ekstreme ku përfshihen akrobacira të ndryshme që vënë në rrezik jetën. Të tilla janë: ngjitja në muret e grataçelave pa pajisje sigurimi, rrëshqitja mbi dëborë nga një mal i thikët me lartësi 6.000 metra, si edhe hedhja nga ndërtesa shumëkatëshe ose ura të larta​—ndryshe quhet bungee jumping​—duke qenë të lidhur me një litar elastik. Akrobacira të tjera të rrezikshme janë hedhja me parashutë nga aeroplani ndërsa janë të lidhur te kurrizi i një akrobati tjetër dhe kacavarja në shkëmbinjtë e pjerrët e të mbuluar me akull, duke pasur me vete vetëm një palë kazma të vogla. «Unë prisja të humbja tre deri katër shokë në vit»,​—tha me keqardhje një alpiniste e shkrepave me akull. Këto janë vetëm disa nga akrobacirat ku shpërfillet vdekja, të cilat janë përhapur në botën e sportit. «Është rreziku i katastrofës, ai që i bën kaq tërheqëse sportet ekstreme»,​—deklaroi një shkrimtar.

«Madje edhe popullariteti i sporteve më ekstreme po rritet shumë,​—shkruhej në revistën U.S.News & World Report.​—Sky surfing, nuk ekzistonte në vitin 1990, por tani ai tërheq mijëra njerëz të përkushtuar pas tij. Në këtë sport, parashutistë profesionistë kryejnë në ajër rrotullime dhe përdredhje akrobatike mbi ski prej grafiti përpara se t’i hapin parashutat ndërsa bien nga një lartësi prej 4.000 metrash,. Një sport i njohur si hedhja BASE (përfaqëson shkronjat e para në anglisht për fjalët ndërtesë, antenë, hark ure dhe shkëmb), zyrtarisht i themeluar në vitin 1980, tani ka bërë për vete qindra njerëz, që shpesh në mënyrë të paligjshme, natën, hidhen me parashutë nga objekte të palëvizshme siç janë kullat e radiove ose urat.» Ky sport ka marrë tashmë shumë jetë njerëzish. «Nuk ndodhin shumë dëmtime në hedhjen BASE,​—thotë një sportist me përvojë në këtë lloj hedhjeje.​—Ose vdes, ose mbetesh gjallë.»

Kacavarja në shpatet e pjerrëta të një mali, pa pasur asgjë përveç kunjave për mbështetjen e gishtave të duarve dhe të këmbëve, po tërheq mijëra njerëz. Madje dhe reklamat në televizion e në revista, që reklamojnë çdo gjë duke filluar që nga kamionët e deri tek ilaçet për dhembjen e kokës tregojnë alpinistë, të cilët hidhen në mënyrë të rrezikshme në humnerat e maleve të pjerrëta me qindra metra lartësi, të siguruar vetëm me një litar të hollë. Raportohet se në vitin 1989 në Shtetet e Bashkuara rreth 50.000 njerëz guxuan të merrnin pjesë në këtë sport, ndërkohë që në raportet e kohëve të fundit tregohet se afro gjysmë milion njerëz janë të përpirë nga tërheqja e tij vdekjeprurëse. Në mbarë botën shifrat po rriten.

Revista Family Circle shkruante se në Shtetet e Bashkuara «një numër gjithnjë e më i madh djemsh dhe vajzash ‘të zakonshme’, po vdesin ose po gjymtohen duke luajtur lojra të reja të rrezikshme e të çuditshme». «Car surfing», që nënkupton ngjitjen nga dritarja për në pjesën e sipërme të makinës dhe qëndrimin atje kur makina është duke ecur me shpejtësi, ose qëndrimin sipër një ashensori në lëvizje a sipër një treni metroje që ecën me shpejtësi, është një nga këto lojra që ka vrarë shumë të rinj.

Madje edhe ngjitja në malin e lartë Everest po përhapet si kurrë më parë. Alpinistë që nuk e kanë stërvitjen e duhur paguajnë deri në 65.000 dollarë që dikush t’i drejtojë deri në majë dhe përsëri në zbritje. Që nga viti 1953, më tepër se 700 alpinistë kanë arritur deri në majë. Shumë nga ata nuk ia dolën mbanë të ktheheshin përsëri. Disa nga trupat e tyre gjenden ende atje lart. «Tani alpinistët konkurrojnë për vënien e rekordeve në lidhje me moshën më të re, moshën më të vjetër apo për më të shpejtin e atyre që ngjitin Everestin»,​—shkroi një gazetar. «Si asnjë sport tjetër,​—shkroi një gazetar tjetër,​—alpinizmi kërkon që pjesëmarrësit të marrin parasysh vdekjen.» Por, a duhet që dikush të shpërfillë pasojën shkatërrimtare, për të dhënë prova që është i guximshëm? «Guximi nuk nënkupton kryerjen e veprimeve të marra»,​—tha një alpinist veteran. Midis «veprimeve të marra» ai radhit edhe « ‘ngjitjet aventuriere’ në malin Everest nga alpinistë që nuk janë fare ekspertë».

Dhe kjo gjë vazhdon. Numri dhe llojet e aktiviteteve ku shpërfillen rreziqet që mund të sjellin vdekjen, po përhapen gjerësisht në botë dhe janë po kaq të pakufizuara sa dhe imagjinata e atyre që i krijojnë ato. Një psikolog parashikon se sportet ekstreme në të cilat pjesëmarrësit përkohësisht e rrezikojnë jetën, «do të bëhen sportet me më shumë spektatorë dhe me më shumë pjesëmarrës ndër sportet e shekullit të 21-të».

Përse e bëjnë këtë?

Shumë nga ata që merren me sporte ekstreme e justifikojnë pjesëmarrjen e tyre në akrobacirat që rrezikojnë jetën, duke e quajtur atë si një arratisje nga mërzia. Të mërzitur nga punët rutinë disa i kanë lënë ato dhe kanë ndjekur një karrierë të re në sportet ekstreme. «Unë fillova ta përdorja hedhjen bungee jumping si një drogë, si një mënyrë për të harruar dhe për t’ia nisur nga e para,​—tha dikush.​—Hidhesha dhe ndihesha sikur. . .‘Problemet? S’kam asnjë problem!’ » Një revistë shkroi: «Ai është veteran i 456 hedhjeve, duke përfshirë hedhjet nga masa e granitit El Kapitan në Josemit, nga ura në gjirin e San-Françiskos dhe nga teleferiku më i lartë i botës që ndodhet në Francë.»

Një pjesëmarrës tjetër i sporteve ekstreme deklaroi: «Duket sikur koha ndalet. Nuk të shqetëson më ajo që ndodh në botë.» Një tjetër tha: «Atë që ne bëjmë për kënaqësi [e që për shumë veta përfshin dhe një përfitim në para], shumica e njerëzve nuk do ta bënin edhe sikur t’i kërcënoje me një armë te koka.» Revista Newsweek komentoi: «Të gjithë ata duan të provojnë me çdo kusht emocione të forta.»

Disa psikologë kanë bërë një kërkim më të thellë lidhur me etjen për të provuar emocione drithëruese. Një prej tyre i fut këta persona në një kategori të veçantë personaliteti, në atë të tipit T. ‘T-ja paraqet shkronjën e parë të fjalës angleze «thrill» (emocione drithëruese) që nënkupton t’u futesh rreziqeve, të kërkosh stimulim, emocione të forta ose të ngacmosh impulset.’ Ai thotë: «Ka njerëz që duan një jetë të sigurt, që u përmbahen rregullave dhe traditave. Personat e tipit T, nuk u përmbahen më këtyre gjërave. Ata krijojnë një botë të tyren.» Ai përmend se disa studime tregojnë që këta persona pësojnë dyfishin e aksidenteve rrugore në krahasim me të tjerët. «Aksidentet janë shkaku kryesor i vdekjeve midis adoleshentëve, shpesh sepse ata e vënë veten në situata të rrezikshme për të kënaqur nevojën për emocione të forta.»

Shkencëtarët dhe psikologët pohojnë se është anormale për çdo njeri të rendë pas sporteve që kanë një nivel të lartë të rrezikut për jetën. Shumë kanë pësuar dëmtime të rënda e vdekjeprurëse dhe për t’u shëruar u është dashur të rrinë për periudha të gjata në spitale e qendra riaftësimi. Por më pas, ata kanë vazhduar me aktivitetet e tyre që rrezikojnë jetën. Kjo gjë tregon se në aftësinë e tyre të të menduarit ka diçka që nuk shkon. Megjithatë, shpesh këta mund të jenë persona shumë inteligjentë.

Ekspertët nuk e dinë me siguri se çfarë i shtyn kërkuesit e emocioneve të forta që të vënë në rrezik jetën ose gjymtyrët. Përgjigjja që ata sugjerojnë mund të lidhet me trurin. «Nuk mund t’i ndalosh persona të tillë,​—thonë ata,​—por përpiqesh t’i mbrosh nga rreziqet vdekjeprurëse. Të paktën, dëshiron që ata të mos vënë në rrezik edhe jetën e të tjerëve.»

Pikëpamja e krishterë

Të krishterët e konsiderojnë jetën si një dhuratë të çmuar nga Perëndia Jehova. Nëse dikush, vullnetarisht, e vë jetën e tij në rreziqe të panevojshme, vetëm për të treguar trimërinë prej kokëkrisuri a burrërinë ose për të entuziazmuar turmat a për të plotësuar nevojën e tij për kënaqësi të forta, ai po tregon mungesë respekti për dhuratën e mrekullueshme të jetës që Perëndia na ka dhënë. Jezui e tregoi qartë respektin e thellë që kishte për jetën e tij dhe nuk e rrezikoi atë në mënyrë të panevojshme. Ai nuk pranoi ta vinte Perëndinë në provë.​—Mateu 4:5-7.

Ngjashëm tij, të krishterët kanë detyrimin për të treguar respekt për jetën. «Një herë iu ngjita një shpati të pjerrët shkëmbor dhe e ndjeva veten të paaftë për të shkuar më tej apo për t’u kthyer,​—shkroi një e krishterë.​—Edhe sot dridhem kur mendoj se për pak sa nuk vdiqa. Ç’marrëzi do të ishte ta humbja jetën kot në atë mënyrë!»

‘Në vendin ku jetoj,​—shkroi një e re e krishterë,​—të rinjtë marrin pjesë në shumë nga këto sporte rrëqethëse. Ata gjithmonë përpiqen të më bindin që të bashkohem me ta. Megjithatë, në lajme shpesh dëgjoj për njerëz që vdesin ose dëmtohen rëndë nga po ato sporte gjoja zbavitëse, për të cilat më flasin të rinjtë e tjerë. E kuptoj se do të ishte diçka e pamençur nga ana ime që, për një emocion i cili zgjat fare pak, të rrezikoja jetën që Perëndia Jehova ma dha .’ Paçi edhe ju të njëjtin mendim e gjykim të shëndoshë!

[Burimi i figurës në faqen 21]

© Reuters NewMedia Inc./CORBIS

[Burimi i figurës në faqen 24]

Steve Vidler/SuperStock