Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Defekt i kushtueshëm

Inxhinierët e kompjuterave lëshuan një psherëtimë lehtësimi kur shumica e sistemeve kompjuterikë kaluan me sukses nga viti 1999 në vitin 2000. Disa analistë kishin parashikuar që shumë programe kompjuterikë, të cilët ishin të paaftë të bënin dallimin midis vitit 1900 dhe 2000 për shkak të një teknike programimi që nuk merrte parasysh dy shifrat e para të datave të vitit, do të dështonin menjëherë dhe do të shkaktonin lloj-lloj çrregullimesh. (Shih artikullin në Zgjohuni! shkurt 1999, faqet 21-23.) Për ta parandaluar këtë, programuesit punuan që t’i riparonin sistemet me të meta përpara se të vinte data fatale. Po sa kushtoi kjo? Sipas një artikulli në të përditshmen franceze Le Monde, një grup financiar vlerësoi një shifër që ishte «midis 300 dhe 600 miliardë dollarëve në të gjithë botën». Shtetet e Bashkuara shpenzuan rreth 100 miliardë dollarë dhe Franca, 20 miliardë dollarë. Po të krahasohet me këtë, Lufta e Gjirit u kushtoi forcave aleate «46 deri 60 miliardë dollarë». Megjithatë, «historia do të përsëritet . . . me një seri problemesh të tjera që vijnë prej numrave kompjuterikë, për të cilat duhet të shqetësohemi»,​—thotë gazeta The Wall Street Journal. Lumturisht, «asnjë nga këto probleme, me sa duket, nuk do ta arrijë shkallën e defektit të vitit 2000».

Problemet e fjalëkalimeve

Harrimi i fjalëkalimeve u kushton çdo vit miliona dollarë bizneseve në Shtetet e Bashkuara, për shkak të humbjes së prodhimit dhe nevojës për të siguruar ndihmë teknike. «Njëzet vjet më parë, njerëzit duhej të mbanin mend vetëm numrin e tyre të Sigurimeve Shoqërore dhe ndoshta një ose dy numra telefonikë»,​—thotë The New York Times. Por tani, përdorimi i fjalëkalimeve në vendin e punës, për të hyrë në dokumentet që janë në kompjuter dhe në shërbimet E-mail, është bërë një gjë e zakonshme në jetën e shumë njerëzve. Në fakt, nuk është e pazakontë që njerëzit të kenë me dhjetëra fjalëkalime, kode hyrjeje dhe numra për identifikim personal. Një administrator rrjeti thuhet të ketë 129 fjalëkalime aktivë. Për këtë arsye disa kompani po i zëvendësojnë sistemet e bazuara në fjalëkalime me skanera për shenjat e gishtërinjve dhe me aparatura të tjera sigurie të teknologjisë së lartë.

Zemërimi dhe zemra juaj

«Njerëzit e prirur ndaj zemërimit [kanë] rreth tri herë më shumë mundësi për të pasur një atak zemre, sesa ata që janë më pak të prirur për t’u zemëruar»,​—thotë një artikull i gazetës Globe and Mail. Afërsisht 13.000 persona morën pjesë në një studim gjashtëvjeçar rreth rrezikut të sëmundjeve të zemrës. Në fillim të studimit asnjë nga pjesëmarrësit nuk vuante nga sëmundja e zemrës. Çdonjërit iu bë një seri pyetjesh dhe më pas, ai ose ajo, u klasifikua nëse kishte një tregues zemërimi të ulët, mesatar ose të lartë. Gjatë periudhës gjashtëvjeçare, 256 prej tyre patën atak zemre. Studimi zbuloi se ata persona që kishin klasifikimin më të lartë kishin 35 për qind më shumë mundësi për të pasur probleme të zemrës. Autorja kryesore e studimit, dr. Xhenis Uilliams, nga universiteti i Karolinës së Veriut, thotë: «Zemërimi ka mundësi që të çojë në atak zemre, veçanërisht burrat dhe gratë e moshës së mesme, të cilët kanë një presion normal të gjakut.» Prandaj, kërkuesit rekomandojnë që njerëzit e prirur ndaj zemërimit duhet të marrin në konsideratë përdorimin e teknikave të kontrollit të stresit.

Të dhëna të përditësuara për pirjen e duhanit

«Pas një shekulli të ngritur mbi pirjen e duhanit, bota po largohet nga cigaret»,​—raporton Worldwatch Issue Alert. Nga viti 1990 deri më 1999, konsumi i cigareve ra 11 për qind në të gjithë botën. Në Shtetet e Bashkuara, kjo prirje për rënie ka vazhduar për pothuajse dy dekada deri në vitin 1999, kur janë pirë 42 për qind më pak cigare sesa më 1980. Si shkaqe për këtë rënie raporti citon fushatat kundër pirjes së duhanit, shtimin e vetëdijes për rreziqet që vijnë nga duhani dhe çmimet e larta të cigareve. Përveç kësaj, «numri i cigareve të pira për person ka rënë me 19 për qind në Francë, që nga viti 1985 kur arriti kulmin, me 8 për qind në Kinë, që prej 1990-s dhe me 4 për qind në Japoni, që prej vitit 1992»,​—thotë raporti.

Sëmundjet shpërfillen nga të pasigururarit

Shërbimi informativ i agjencisë Reuters raportonte se një studim i kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara tregoi që njerëzit pa sigurim mjekësor ka më shumë mundësi që t’i shpërfillin shenjat e sëmundjes dhe janë më pak të prirur për të kërkuar ndihmë mjekësore. Studimi, fillimisht i botuar në Archives of Internal Medicine, bazohej në të dhëna të grumbulluara nga Qendra Kombëtare për Statistikat e Shëndetit. Kërkimi tregoi se edhe kur kishte tregues për sëmundje serioze të tilla, si shikim të mjegullt ose shfaqje të një gjendre në gjoks, ata që nuk kishin sigurim shëndetësor kishin më pak të ngjarë që të kërkonin kujdes mjekësor, sesa ata që ishin të siguruar. Raporti thoshte: «Është diçka ironike që në një kohë kur vendi ynë po themelon ‘Kartën e të Drejtave të Pacientit’ ne ende nuk kemi themeluar të drejtën për të qenë pacient.»

Kopshti zoologjik mesjetar i Londrës

Gërmimet nën Kullën e famshme të Londrës kanë zbuluar hollësi të reja të «një kopshti zoologjik, i cili mbante një koleksion të jashtëzakonshëm me kafshë»,​—raporton The Sunday Times e Londrës. Kërkuesit thonë se ekzistojnë dëshmi që dikur këtu, nën atë që sot quhet Kulla Perëndimore, të jenë mbajtur 100 lloje të ndryshme kafshësh, duke përfshirë rinoqerontë, antilopa, tigra, strucë, gjarpërinj dhe krokodilë. Ekspertët kanë qenë në dijeni për ekzistencën e kopshtit zoologjik për njëfarë kohe, por tani, kërkimet e reja në arkivat mbretërore, të universitetit dhe ato të kishës, bashkë me informacionin e mbledhur nga gërmimet, kanë sqaruar shumë gjëra. Kopshti zoologjik u themelua rreth vitit 1210 nga mbreti Xhon dhe u mbyll më 1835, kur u hap Kopshti Zoologjik i Londrës në Regent’s Park. Në atë kohë, disa kafshë u transferuan në kopshtin e ri, ndërsa të tjerat u dërguan me anije për në Amerikë. Jetëgjatësia e kopshtit zoologjik i detyrohet interesit të monarkëve pasardhës dhe stabilitetit relativ të vendit. Xhefri Parnell, shefi i arkivit të Kullës, thotë: «Ai ishte pa dyshim spektakli më jetëgjatë i Londrës, i cili argëtoi si fisnikët, ashtu edhe njerëzit e thjeshtë për shekuj me rradhë.»

Drejtësi në çast

Tre gjykatës në shtetin Espírito Santo, në Brazil, po provojnë një program kompjuteri që është projektuar për të ndihmuar që të vendosë drejtësi në çast,​—raporton revista New Scientist. Programi, i quajtur Gjykatësi Elektronik, aktivizohet në një kompjuter portativ (laptop). Kur ndodh një aksident i vogël, policia thërret një gjykatës dhe një sekretar të trupit gjyqësor në vendin e aksidentit. Programi është projektuar për të ndihmuar gjykatësit njerëzorë që të vlerësojnë provat dhe të vendosin menjëherë drejtësinë pikërisht në vendin e aksidentit. Ky program e bën një gjë të tillë duke e ballafaquar gjykatësin me një seri pyetjesh të tilla, si «A ndaloi shoferi kur ishte ndezur drita e kuqe?» ose «A kishte pirë alkool shoferi, mbi kufirin e lejuar nga ligji?» Më pas, ai nxjerr vendimin dhe arsyet që qëndrojnë pas atij vendimi. Sipas New Scientist, programi, gjithashtu, mund të lëshojë «gjoba, të urdhërojë pagimin e dëmtimeve dhe madje të rekomandojë dënime për burgim». Shpresohet që programi i kompjuterit t’i ndihmojë gjykatësit njerëzorë për të qenë më të efektshëm dhe në këtë mënyrë të ndihmojë që të lehtësohet barra e sistemit të mbingarkuar ligjor të Brazilit.

Uji si një nxitës i shitjeve

Disa tregtarë nga India po përfitojnë nga një thatësirë e kohëve të fundit për të tërhequr klientë. Ata po ofrojnë ujë pa pagesë bashkë me blerjen e pajisjeve kryesore shtëpiake. The Times of India raportoi se një shitës me pakicë i premtonte 500 litra ujë për katër ditë në javë, gjatë dy muajve të verës çdo blerësi, i cili do të blinte një sobë, një frigorifer, një lavatriçe ose një televizor. Një dyqan tjetër ofroi ‘ujë pa pagesë për gjithë periudhën e verës që kishte mbetur’, për çdo blerje të një frigoriferi ose televizori. Duke vuajtur një nga krizat më të rënda të ujit që është parë ndonjëherë, në pjesën veriore të shtetit të Gujaratit u vu re se uji ishte shumë më tepër ndjellës sesa ofertat e arit, argjendit ose të pushimeve pa pagesë. Në qytetin e Rajkotit, biznesmenët pohonin se ofertat e ujit si një nxitës i kishin rritur trefish shitjet e tyre.

Zgjidhet misteri i diamantit

Materia më e fortë natyrore e njohur nga njerëzimi, diamanti, formohet në ato raste kur karboni i nënshtrohet temperaturave dhe presioneve të larta. Por, ç’ndodh me vetë diamantin kur i nënshtrohet presioneve të larta? Shkencëtarët janë përpjekur t’i përgjigjen kësaj pyetjeje për 40 vjet me radhë deri në kohët e fundit. «Rezulton që, kur në këndet e rregullta ushtrohet shumë presion,​—thotë The Buffalo News,​—substanca më e fortë natyrore që njihet kthehet në grafit, në të njëjtën përbërje të karbonit . . . nga i cili është formuar.» Shkencëtarët thonë se shpresojnë që ta përdorin atë që kanë mësuar nga eksperimentet e tyre për të bërë vegla më të mira prej diamanti.