Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

INDONEZIA

Më në fund sërish bashkë!

Treguar nga Linda dhe Selli Ongu

Më në fund sërish bashkë!

Linda: Kur isha 12 vjeçe, mamaja më tregoi se kisha një motër më të vogël që e kishin dhënë për adoptim. Pyesja veten se mos edhe ajo, ashtu si unë, nuk dëgjonte që nga lindja. Por nuk e kisha takuar asnjëherë.

Selli: Nuk e dija se isha e adoptuar. «Mamaja» më rrihte pa mëshirë dhe më trajtonte si shërbëtore, kështu që ndihesha e trishtuar dhe e vetmuar, një hall tjetër për një që nuk dëgjon që nga lindja. Pastaj takova Dëshmitarët e Jehovait dhe nisa të studioja Biblën. Kur «mamaja» e mori vesh, më rrahu me rrip dhe ndryshoi bravat e dyerve, duke më ngujuar në shtëpi. Kur isha 20 vjeçe, ia mbatha nga shtëpia dhe Dëshmitarët më morën në shtëpinë e tyre. U pagëzova në fillim të vitit 2012.

Linda: Në moshën 20-vjeçare fillova të studioja me Dëshmitarët e Jehovait. Më vonë nisa të shkoja në kongreset krahinore në Xhakartë, ku programi përkthehej edhe për ata që nuk dëgjojnë. Atje njoha edhe shumë të tjerë që nuk dëgjonin, përfshirë Sellin, një Dëshmitare që jetonte në Sumatrën e Veriut. Ndjeva njëfarë afrimiteti me të, por nuk e vrava mendjen.

Selli: Unë dhe Linda u bëmë shoqe të ngushta. Më dukej se ngjanim, por nuk i dhashë shumë rëndësi.

Linda: Në gusht të vitit 2012, një ditë para se të pagëzohesha, ndjeva një dëshirë të fortë për të gjetur motrën e vogël të humbur. Iu përgjërova Jehovait: «Të lutem, më ndihmo ta gjej motrën, sepse dua t’i tregoj për ty. Pa kaluar shumë, papritur mamaja mori një mesazh në celular nga dikush që dinte diçka për motrën time. Kjo solli një sërë ngjarjesh njëra pas tjetrës që më çuan te Selli dhe u lidha me të.

Selli: Kur Linda më shpjegoi se isha motra e saj e humbur prej kohësh, pa vonuar i hipa avionit për në Xhakartë që ta takoja. Tek dilja nga zona e kontrollit në aeroport, pashë Lindën bashkë me babanë e vërtetë, nënën e vërtetë dhe motrën tjetër më të madhe që më prisnin. Dridhesha e tëra nga emocionet. U përqafuam e u puthëm; nëna nuk më lëshonte. Të gjithë po qanim. Kur babai dhe nëna me lot në sy më kërkuan falje që më kishin dhënë për adoptim, qamë dhe u përqafuam edhe më shumë.

Linda: Ngaqë jemi rritur ndryshe, na është dashur të përshtatemi me personalitetet dhe zakonet tona. Por e duam fort njëra-tjetrën.

Selli: Tani unë dhe Linda jetojmë bashkë dhe marrim pjesë në të njëjtin kongregacion të gjuhës së shenjave në Xhakartë.

Linda: Selli dhe unë ishim të ndara për më se 20 vjet. Falënderojmë Jehovain që më në fund jemi sërish bashkë!