10 MOISIU

Bëri zgjedhjen e duhur

Bëri zgjedhjen e duhur

MOISIU vinte nga një familje hebreje. Megjithatë, emrin nuk ia vunë prindërit e tij, por princesha egjiptiane, e cila e rriti si djalin e saj. Ky emër kishte kuptimin «i shpëtuar nga uji», dhe ajo e kishte zgjedhur sepse në këtë mënyrë e kishte shpëtuar. Me shumë gjasa shpresonte që ai të bëhej pjesëtar i rëndësishëm i familjes mbretërore. Ndaj, kushedi sa duhet të jetë kënaqur që Moisiu po merrte arsimimin më të mirë të kohës! Bibla thotë: «Moisiu mësoi gjithë mençurinë e egjiptianëve.»

Kur u rrit, Moisiu u bë një i ri i respektueshëm. Për të lexojmë: «Ishte shumë i zoti në fjalë e në vepra.» Ai mund të kishte rendur pas pasurisë, pozitës dhe kënaqësive që ofronte Egjipti, por e dinte se të gjitha këto do ta largonin nga Jehovai. Ja pse ishte para një vendimi: çfarë do të bënte me jetën e tij?

Kur ishte 40 vjeç, ai e bëri të qartë vendimin që mori. Bibla thotë: «Me anë të besimit, Moisiu, kur u rrit, nuk pranoi të quhej biri i bijës së faraonit dhe zgjodhi të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë, në vend që të gëzonte kënaqësitë e përkohshme të mëkatit.» Ai bëri zgjedhjen e duhur dhe tregoi se kishte besim e guxim. Megjithatë, mënyra që zgjodhi për të vepruar, nuk ishte më e mira.

Moisiu i konsideronte izraelitët ‘vëllezër’ dhe donte t’i ndihmonte kur i keqtrajtonin. Një ditë shkoi të shihte nga afër gjendjen e tyre të mjerë. Atje i zuri syri një egjiptian, ka të ngjarë një nga mbikëqyrësit, i cili po rrihte një skllav hebre. A i bërtiti egjiptianit që të mos e godiste më? Nuk e dimë. Sido që të ketë qenë, Moisiu «i hodhi sytë rreth e qark», ndoshta me shpresën që dikush të ndërhynte për ta ndihmuar skllavin. Por, kur nuk pa njeri rrotull, veproi vetë dhe «e vrau egjiptianin». A donte vërtet ta vriste apo në inat e sipër e goditi më fort seç duhej? Bibla nuk e thotë. Gjithsesi, Moisiu tani e dinte se, po të zbulohej çfarë kishte bërë, jeta e tij do të ishte në rrezik. Prandaj e fshehu kufomën në rërë.

Të nesërmen doli prapë. Këtë herë tentoi të ndante dy skllevër hebrenj që po ziheshin. Por ai që kishte faj, i tha këto fjalë kërcënuese: «Kush të vuri ty princ dhe gjykatës? Mos ke ndër mend të më vrasësh edhe mua siç vrave atë egjiptianin?» Në atë moment, Moisiu e kuptoi se lajmi kishte marrë dhenë, ndaj i hyri frika në palcë.

Asgjë s’po shkonte siç kishte shpresuar. Por çfarë priste Moisiu? Bibla thotë: «[Ai] mendonte se vëllezërit do ta kuptonin që Perëndia po u jepte shpëtimin me anë të dorës së tij, por ata nuk e kuptuan.» Me sa duket, Moisiu ishte i bindur se Perëndia e kishte zgjedhur për t’i çliruar izraelitët nga skllavëria egjiptiane. Por nuk e kishte kuptuar se akoma s’kishte ardhur koha e caktuar nga Jehovai për të çliruar popullin e tij. Përveç kësaj, priste që izraelitët të reagonin krejt ndryshe. Por ata nuk kishin besim tek ai hebre i rritur në oborrin egjiptian.

Çfarë do të zgjidhte Moisiu: të rendte pas pasurisë dhe pozitës apo të ndihmonte popullin e Jehovait?

Në atë moment, Moisiu nuk arrinte të kuptonte që ende nuk ishte gati për ta çliruar popullin e Jehovait nga skllavëria. Jehovai e dinte se ai kishte nevojë për stërvitje. Vërtet ishte i guximshëm, i fortë, madje «shumë i zoti në fjalë», por i mungonte një cilësi që për Jehovain ka shumë rëndësi—butësia. Tekefundit, pa e menduar gjatë, kishte vrarë një njeri.

Faraoni e mori vesh shumë shpejt çfarë kishte bërë Moisiu, dhe pa i kërkuar asnjë shpjegim, vendosi ta vriste. Ndaj Moisiu ia mbathi nga Egjipti. Shkoi drejt së panjohurës, duke lënë pas pasurinë, pozitën dhe rehatinë. Tani i duhej guxim më shumë se kurrë. Bëri goxha rrugë për të shkuar drejt tokës së thatë të Midianit, ku do të jetonte për dekada të tëra në «dhé të huaj». Çfarë do të bëhej me të? A do të vazhdonte të tregonte guxim? A do të bëhej një person i butë e i përulur siç donte Jehovai? Le ta shohim këtë në kapitullin vijues.

Lexoje këtë tregim në Bibël:

Për diskutim:

Në cilat mënyra tregoi guxim Moisiu gjatë kësaj periudhe të jetës?

Gërmo më thellë

  1. 1. Cilat dëshmi arkeologjike vërtetojnë se izraelitët ishin skllevër në Egjipt? (w20.03 30) (Figura A)

    Me mirësjellje nga Muzeu i Bruklinit, dhuratë nga Theodora Wilbour

    Figura A: Fragment nga një papirus i Egjiptit të lashtë, që përfshin mbi 40 emra skllevërish hebrenj (semitikë), dëshmi kjo se në Egjipt kishte skllevër izraelitë

  2. 2. Çfarë mund të ketë mësuar Moisiu nga prindërit e tij? Po nga «gjithë mençuria e egjiptianëve»? (Vep. 7:22; w02 15/6 10 ¶3-6)

  3. 3. Çfarë zakonesh kishin egjiptianët për varrosjen e të vdekurve? Si mund të jenë ndier ata kur Moisiu jo vetëm e vrau egjiptianin, por edhe e fshehu trupin, në vend se ta balsamoste e ta varroste? (it «Egjipti, egjiptianët» ¶28) (Figura B)

    Figura B: Mumie egjiptiane

  4. 4. Moisiu iku në Midian. Çfarë kishin të përbashkët midianitët dhe izraelitët? (it «Midiani, midianitët» nr. 2 ¶1-2)

Reflekto për mësimet

  • Çfarë mund të mësosh nga shembulli i Moisiut për kontrollin e temperamentit?

  • Çfarë mësojnë të rinjtë nga Moisiu, që me guxim bëri zgjedhjet e duhura? (Figura C)

    Figura C

  • Në cilat mënyra të tjera mund ta imitosh guximin e Moisiut?

Zgjero këndvështrimin

  • Çfarë mëson për Jehovain nga ky tregim?

  • Si lidhet ky tregim me qëllimin e Jehovait?

  • Për çfarë do ta pyesësh Moisiun kur të ringjallet?

Mëso më shumë

Shih si mund ta imitosh frymën vetëmohuese të Moisiut.

Imitoni ata me besim, jo ata pa besim—Moisiun, jo faraonin (2:27)

Moisiu hoqi dorë nga një e ardhme premtuese që t’i shërbente Jehovait. A mund të bësh edhe ti njësoj?

Të zgjedhim një karrierë me të ardhme të përhershme (4:58)