1 ENOKU
Eci me Perëndinë
ENOKU e dinte mirë ç’do të thoshte të ndiheshe vetëm. Ai ishte krejt ndryshe nga bashkëkohësit e tij. Ndër gjithë ata që jetuan në atë kohë, vetëm për të Bibla thotë: «Vazhdoi të ecte me Perëndinë e vërtetë.» Si arriti ta bënte këtë një njeri prej mishi e gjaku? Çfarë mësojmë nga guximi i tij?
Enoku eci me Perëndinë e vërtetë të paktën në dy mënyra. Së pari, nuk pranoi të bëhej si njerëzit e kohës së tij, që s’donin t’ia dinin për Perëndinë. Ai ishte brezi i shtatë, duke nisur nga Adami dhe Eva. Në kohën e Enokut, Adami ishte ende gjallë, ndonëse shumë i moshuar. (Shih tabelën «Nga patriarkët deri në ditët e gjykatësve».) Qëndrimi rebel i çiftit të parë e kishte infektuar gjithë familjen njerëzore. Djali i tyre, Kaini, kishte vrarë të vëllanë, Abelin, njeriun e parë me besim. Edhe disa pasardhës të Kainit ishin po aq mizorë, në mos më shumë. (Zan. 4:23, 24) Por Enoku tregoi guxim dhe nuk u ndikua nga qëndrimi i dhunshëm i asaj kohe. Ai mbeti njeri i mirë e paqësor, dhe kjo ia gëzonte zemrën Perëndisë.
Vite para se të lindte Enoku, njerëzit ‘kishin filluar të thërritnin emrin e Jehovait’. (Zan. 4:26) Me sa duket, po e bënin këtë jo për ta lëvduar, por në mënyrë blasfemuese. Enoku nuk pranoi të futej në të njëjtin kallëp, sepse e donte dhe e nderonte thellësisht emrin e shenjtë të Jehovait.
Kur Enoku u përball me tërbimin e kundërshtarëve, Jehovai e mbrojti
Mënyra e dytë si eci me Perëndinë Enoku, ishte duke përmbushur caktimin që i dha Jehovai. Për këtë i duhej edhe më shumë guxim, sepse kishte si caktim të shpallte një mesazh të fortë gjykimi kundër njerëzve të ligj. Mesazhi ishte ky: «Ja, Jehovai erdhi me dhjetëra mijë engjëjt e tij të shenjtë, që të ekzekutojë gjykimin kundër të gjithëve, si edhe të shpallë fajtorë tërë ata që shpërfillin Perëndinë për gjithë veprat e tyre të liga dhe për gjithë fjalët skandaloze që thanë kundër tij këta mëkatarë mospërfillës ndaj Perëndisë.»
E vure re që mesazhi ishte në kohën e shkuar, sikur Jehovai ta kishte sjellë tashmë gjykimin? Kjo s’linte pikë dyshimi se fjalët që shpalli Enoku, do të përmbusheshin me patjetër. Dhe mesazhi ishte goxha i fortë. Enoku tha se ata ‘e shpërfillnin Perëndinë’, ‘bënin vepra të liga’, thoshin ‘fjalë skandaloze’ dhe ishin «mëkatarë mospërfillës». Ato fjalë duhet t’i kenë xhindosur bashkëkohësit e Enokut. Prapëseprapë, plot guxim ai nuk i hoqi asnjë presje mesazhit të Jehovait.
Si reaguan njerëzit? Bibla nuk e tregon, por lë të nënkuptohet se Enokut i kanosej një e keqe e madhe. Nga e dimë? Për të lexojmë: «Më pas, ai nuk ishte më, sepse Perëndia e mori.» Në ç’kuptim? Ka shumë të ngjarë që njerëzit e ligj ta kenë përndjekur Enokun ngaqë e urrenin. Por Jehovai e donte shumë. Ndaj, në vend që t’i linte t’i bënin keq a ta vritnin, e vuri në gjumin e vdekjes, që të mos vuante. Në këtë mënyrë, Enoku do të ishte i sigurt në kujtesën e Jehovait, ku askush nuk do t’i bënte keq.
Por para kësaj, Jehovai i bëri një dhuratë speciale. Bibla thotë: «Përpara se ta merrte Perëndia, [Enoku] mori dëshmi se kishte vërtet pëlqimin e tij.» Ndoshta me anë të një vegimi, Jehovai i tregoi ç’e ardhme e mrekullueshme e priste—një jetë plot paqe në tokën parajsore. Para se të binte në gjumin e vdekjes, Enoku ishte më se i sigurt për këtë: Jehovai e donte dhe e kishte shpërblyer për besimin e fortë dhe për guximin e patundur.
Lexoje këtë tregim në Bibël:
Për diskutim:
Në cilat mënyra tregoi guxim Enoku?
Gërmo më thellë
-
1. Në ç’kuptim njerëzit filluan «të thërritnin emrin e Jehovait»? (Zan. 4:26; w01 15/9 29 ¶3)
-
2. Enoku ishte besniku i parë që mori një caktim. Çfarë caktimi? Si e përmbushi? (w01 15/9 31 ¶5)
-
3. Nga e dinte Enoku, madje para se të profetizonte, se guximi i tij do të sprovohej? (w06 1/10 19 ¶13-14) (Figura A)
Figura A
-
4. Si do ta shpjegoje pse Enoku nuk shkoi në qiell, siç mendojnë disa? (Gjoni 3:13; Hebr. 11:5, 13)
Reflekto për mësimet
-
Kur mund të na duhet më shumë guxim për të predikuar? Njësoj si Enoku, çfarë mund të na ndihmojë? (Figura B)
Figura B
-
Si ndihet Jehovai kur ecim me të plot guxim? (Prov. 27:11; Hebr. 11:5)
-
Si mund ta imitosh guximin e Enokut?
Zgjero këndvështrimin
-
Çfarë mëson për Jehovain nga ky tregim?
-
Si lidhet ky tregim me qëllimin e Jehovait?
-
Për çfarë do ta pyesësh Enokun kur të ringjallet?
Mëso më shumë
Si të ndihmon shembulli i Enokut kur përballesh me njerëz të dhunshëm?
Imitoni ata me besim, jo ata pa besim—Enokun, jo Lamekun (2:53)
Shqyrto çfarë e ndihmoi Enokun të kishte besim.
«Të ecim me Perëndinë në këto kohë të turbullta» (w05 1/9 13-17)

