12 MAJ 2025
PORTUGALI
Gjatë 100 viteve të kaluara, Dëshmitarët e Jehovait kanë ndihmuar shumë njerëz anekënd Portugalisë të mësojnë për Fjalën e Perëndisë
Shënon 100 vjet vepra e arsimimit nga Bibla e Dëshmitarëve të Jehovait në Portugali
Një njoftim në gazetën e majit 1925 që ftonte njerëzit të dëgjonin fjalimin e vëllait Radhërford në Lisbonë
Në fillim të vitit 1925, vëlla Xhorxh Jangu mbërriti në Portugali dhe filloi t’u fliste të tjerëve për mesazhin e Biblës. Kjo ishte mundësia e parë për shumë veta në atë vend që të dëgjonin lajmin e mirë. Pak pas kësaj, më 13 maj, vëllai Xhozef Radhërford mbajti një fjalim të bazuar në Bibël me titull «Si të jetosh përgjithmonë në tokë». Në përgjigje të njoftimit që u dha në një gazetë lokale, rreth 2.000 veta u mblodhën në auditorin e shkollës së mesme «Luís de Camões», në Lisbonë, për të dëgjuar fjalimin e vëllait Radhërford. Afro 2.000 të tjerëve iu desh të largoheshin, sepse në auditor nuk kishte më vende. Ky event zgjoi interesin e shumë vetave për Biblën dhe i shtyu t’i shërbenin Jehovait. Vlen të përmendet se, më vonë po atë vit, u botua numri i parë i revistës Kulla e Rojës në gjuhën portugeze (Portugali) dhe u hap një zyrë dege në Lisbonë. Megjithatë, vëllezërit atje shpejt do të përballeshin me kohë të vështira.
Në vitin 1926, në Portugali erdhi në fuqi një qeveri e re diktatoriale. Qeveria i kundërshtonte vazhdimisht përpjekjet e degës për të marrë njohjen ligjore për veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Prapëseprapë, motrat e vëllezërit tanë u flitnin me guxim të tjerëve për lajmin e mirë. Pastaj, në mars të vitit 1961, situata u përkeqësua. Pas një kryengritjeje politike në Angolë, që asokohe ishte koloni portugeze, vëllezërit tanë të rinj në Portugali u përballën me përndjekje të egër për shkak të asnjanësisë së krishterë. Shumë i arrestuan dhe i keqtrajtuan ngaqë refuzonin të shkonin ushtarë për shkak të ndërgjegjes. Duke kthyer kokën pas, vëllai David Mota, i cili qëndroi besnik me gjithë kushtet e këqija kur ishte në burg për shkak të asnjanësisë, tha: «Pavarësisht nga keqtrajtimi i padrejtë që hasa për shkak të bindjeve të mia, të qenit pjesë e organizatës së Jehovait i ka dhënë kuptim dhe lumturi jetës sime.»
Më në fund, më 1974, qeveria portugeze u dha njohjen ligjore Dëshmitarëve të Jehovait, dhe kjo u solli më shumë liri vëllezërve tanë për të shpallur mesazhin e Biblës. Pastaj, më 22 qershor 2009, qeveria i njohu Dëshmitarët e Jehovait si një komunitet i vjetër fetar dhe u dha statusin më të lartë ligjor që mund t’i jepet një feje në Portugali. Vëllai ynë 75-vjeçar Karlos Heisha kujton: «Ka qenë e mrekullueshme të shohësh si është rritur vepra në Portugali. Në vitin 1961, këtu kishte rreth 1.000 lajmëtarë. Kurse sot, ka më shumë se 57.000.»
Dy nga më shumë se 57.000 vëllezërit e motrat që përhapin lajmin e mirë në Portugali sot
E themi me plot bindje se Jehovai është kujdesur me dashuri për motrat e vëllezërit në Portugali gjatë këtyre 100 viteve, duke vërtetuar kështu se asgjë s’e pengon dot ‘ta zgjerojë vendin e tendës së tij’.—Isaia 54:2.