Isaia 13:1-22
13 Shpallja kundër Babilonisë,+ që pa në vegim Isaia, biri i Amozit:+
2 «Mbi një mal të zhveshur ngrini një sinjal.+ Thërrituni me zë të lartë dhe bëni me dorë,+ që të futen në portat e fisnikëve.+
3 Unë u dhashë një urdhër luftëtarëve që zgjodha.*+ Thirra edhe njerëzit e mi të fuqishëm, që të shprehin zemërimin+ tim, dhe ata ngazëllojnë jashtë mase.
4 Dëgjoni! Një turmë në male, që i ngjan një populli të madh!+ Dëgjoni poteren që po bëjnë mbretëritë, kombet e mbledhura së bashku!+ Jehovai i ushtrive po mobilizon forcat ushtarake.+
5 Jehovai dhe armët e dënimit të tij po vijnë nga një vend i largët,+ nga skaji i qiejve, për të shkatërruar mbarë tokën.+
6 Ulërini, o njerëz,+ sepse dita e Jehovait është afër!+ Ajo do të vijë nga i Plotfuqishmi si një plaçkitje.+
7 Prandaj të gjithë do të shkurajohen* dhe njeriut do t’i mpaket zemra.+
8 Njerëzit janë turbulluar.+ Përpëlitjet dhe dhembjet e lindjes po i pushtojnë. Dhembjet e tyre janë si dhembjet e një gruaje që po lind.+ E shohin njëri-tjetrin me habi dhe me fytyrat+ flakë të kuqe.
9 Ja, dita e Jehovait, një ditë mizore me furi dhe zemërim të zjarrtë, po vjen që ta bëjë vendin objekt habie+ dhe të shfarosë nga vendi mëkatarët.+
10 Sepse yjet dhe yjësitë Kesil,+ që janë në qiej, nuk do të vezullojnë. Dielli do të errësohet teksa del dhe hëna nuk do ta lërë dritën e saj të ndriçojë.
11 Unë do t’ia shpaguaj vendit me po atë ligësi që ka treguar,+ dhe të ligjve me po atë faj që kanë bërë. Do t’i jap fund krenarisë së arrogantëve* dhe do t’ua ul fodullëkun tiranëve.+
12 Unë do ta bëj njeriun më të rrallë se ari i rafinuar,+ po, do ta bëj njeriun më të rrallë se ari i Ofirit.+
13 Ja pse do të bëj që qielli të tronditet+ dhe toka të lëkundet e të lëvizë nga vendi, për shkak të zemërimit të furishëm të Jehovait të ushtrive,+ kur të vijë dita e zemërimit të tij të zjarrtë.+
14 Ashtu si një gazelë e përzënë dhe si një kope që s’ka kush ta mbledhë,+ ata do të kthehen secili te populli i vet dhe do t’ia mbathin secili në vendin e tij.+
15 Kushdo që do të gjendet, do të shpohet tejpërtej, dhe të gjithë ata që kapen njëherësh, do të bien nga shpata.+
16 Fëmijët do t’u bëhen copë e çikë para syve.+ Shtëpitë do t’u plaçkiten dhe gratë do t’u përdhunohen.+
17 Ja, unë po ngre kundër tyre medët,+ që argjendin s’e kanë për gjë dhe që tek ari s’gjejnë kënaqësi.
18 Harqet e tyre do të bëjnë copë e çikë edhe të rinjtë.+ Atyre nuk do t’u vijë keq për frytin e barkut të askujt+ dhe nuk do t’u dhimbsen as fëmijët.
19 Babilonia, stolia e mbretërive,+ ajka e krenarisë së kaldeasve,+ do të bëhet si Sodoma dhe Gomorra+ kur i përmbysi Perëndia.
20 Ajo nuk do të banohet më kurrë+ dhe për të s’do të ketë më vend brez pas brezi.+ Atje arabi nuk do ta ngrejë tendën e tij dhe asnjë bari nuk do t’i lërë kopetë e tij të shtrihen.
21 Në të do të shtrihen kafshët e vendeve të thata dhe shtëpitë e saj do të mbushen me bufë.+ Atje do të banojnë strucët dhe do të hidhen përpjetë demonët në formë cjapi.+
22 Nëpër kullat e saj do të ulërijnë çakejtë,+ kurse në pallatet që dikur të jepnin kënaqësi të thellë, do të ketë gjarpërinj të mëdhenj. Koha e saj po afron dhe dita e saj nuk do të shtyhet për më vonë.»+
Shënimet
^ Ose «të shenjtëruarve të mi», që do të thotë, «të shenjtëruarve apo atyre që janë ndarë veç për luftën e Jehovait».
^ Fjalë për fjalë «lëshohen duart».

