26 GUSHT 2025
BJELLORUSI

Vëllezërit Leonid Trofimoviç (majtas) dhe Pavel Jadluski (djathtas) mbajnë në duar certifikatën e regjistrimit jashtë zyrës së Komisionerit për Çështjet Fetare dhe Etnike në Minsk, Bjellorusi

Dëshmitarët e Jehovait njihen ligjërisht si organizatë fetare në Bjellorusi

Dëshmitarët e Jehovait njihen ligjërisht si organizatë fetare në Bjellorusi

Më 5 korrik 2025, qeveria e Bjellorusisë njohu zyrtarisht Dëshmitarët e Jehovait si organizatë fetare për herë të dytë. Bjellorusia u dha njohjen ligjore Dëshmitarëve të Jehovait për herë të parë në vitin 1994. Mirëpo, një ligj i ri që doli më 2024 u kërkonte të gjitha organizatave fetare të regjistroheshin sërish sipas kërkesave të përditësuara.

Pavel Jadluski, zëdhënës i Dëshmitarëve të Jehovait në Bjellorusi, tha: «Njohja ligjore është një ndër hapat vendimtarë drejt lirisë së adhurimit. Për shembull, falë saj mund të mblidhemi lirisht në Salla Mbretërie ose në godina të marra me qira, të mbajmë asamble dhe të importojmë literaturë. Gjatë këtij procesi regjistrimi, kemi çmuar mundësinë për t’u takuar me shumë qeveritarë dhe për t’i ndihmuar të kuptojnë më mirë se kush janë Dëshmitarët e Jehovait dhe çfarë bëjnë për komunitetin. Jemi aktivë në Bjellorusi që prej vitit 1924. Kjo njohje ligjore konfirmon edhe një herë reputacionin tonë prej dekadash si shtetas paqësorë, që i binden ligjit dhe që kanë ndikim pozitiv në komunitet. Falënderojmë autoritetet për këtë regjistrim!»

Gjatë tërë procesit të regjistrimit, vëllezërit e motrat në Bjellorusi zbatuan këshillën e Pavlit te 1 Timoteut 2:1, 2: «I nxis të gjithë të bëjnë përgjërime, lutje e kërkesa për të mirën e të tjerëve dhe të japin falënderime për njerëz të çdo lloji, për mbretërit dhe për të gjithë ata që janë në poste të larta, që të vazhdojmë të bëjmë një jetë të qetë e të patrazuar, plot seriozitet dhe përkushtim ndaj Perëndisë.»

Si një vëllazëri mbarëbotërore, falënderojmë njëzëri Jehovain që bekoi vëllezërit e motrat në Bjellorusi me «kohë të favorshme», ndërsa vazhdojnë të nderojnë e të lëvdojnë emrin e tij.—2 Timoteut 4:2.