KULLA E ROJËS

A e dini?

shqip
A e dini?
/assets/ct/fa815d8e9f/images/syn_placeholder_sqr.png
w11 1/6 f. 18
A e dini?

A e dini?

A kishte ndonjë domethënie të veçantë fakti që apostulli Pjetër përmendet të ketë ndenjur te një regjës lëkurësh, para se t’i thuhej të shkonte te Korneli?

▪ Tregimi te Veprat thotë se Pjetri «qëndroi në Jopë për mjaft ditë te njëfarë Simoni, një regjës lëkurësh», që kishte «një shtëpi pranë detit». (Veprat 9:43; 10:6) Judenjtë e konsideronin të papastër dhe të ulët zanatin e një regjësi lëkurësh. Këta, Talmudi i konsideronte më të ulët se pastruesit e bajgave. Për shkak të punës, Simoni duhej të prekte rregullisht trupa të ngordhur të kafshëve, që do të thotë se ishte në një gjendje të vazhdueshme papastërtie nga ana ceremoniale. (Levitiku 5:2; 11:39) Sipas disa burimeve të ndryshme për këtë temë, Simoni mund të ketë përdorur ujë deti në punën që bënte, dhe punishtja e tij ka të ngjarë të ndodhej në periferi të qytetit, pasi regjja e lëkurëve ishte «një proces që kutërbonte».

Pavarësisht nga kjo, Pjetri me sa duket nuk e kishte problem të rrinte te Simoni. Kjo tregon se ndoshta Pjetri kishte mësuar t’i hiqte paragjykimet e përhapura të judenjve kundrejt atyre që konsideroheshin të papastër, siç nuk kishte paragjykuar edhe Jezui përpara tij.​—Mateu 9:11; Luka 7:36-50.

Ç’kuptim kanë fjalët e Jezuit «ti vetë e the»?

▪ Kur Kajafa, kryeprifti jude, i kërkoi Jezuit të deklaronte publikisht nëse ishte apo jo Krishti, Biri i Perëndisë, Jezui iu përgjigj: «Ti vetë e the.» (Mateu 26:63, 64) Ç’donte të thoshte me këtë?

Jezui nuk po përpiqej t’i bënte bisht pyetjes së Kajafës. Me sa duket, fraza «ti vetë e the» ishte një shprehje frazeologjike e zakonshme judaike që konfirmonte vërtetësinë e një pohimi. Për shembull, Talmudi i Jerusalemit, vepër fetare judaike e përpiluar në shekullin e katërt të e.s., tregon se kur e pyetën një jude nëse kishte vdekur një rabin, ai u përgjigj: «Ti e the». Kjo merrej si konfirmim se rabini kishte vdekur.

Jezui e pranoi autoritetin e kryepriftit për ta vënë në be që të thoshte faktet. Për më tepër, nëse rrinte në heshtje, mund të dukej sikur Jezui po e mohonte se ishte Krishti. Prandaj, përgjigjja e Jezuit «ti vetë e the» ishte një përgjigje konfirmuese ndaj kryepriftit. Në tregimin paralel të Markut, kur Kajafa i kërkoi drejtpërdrejt Jezuit të thoshte nëse ishte Mesia, ai iu përgjigj plot guxim: «Unë jam.»​—Marku 14:62; shih edhe Mateun 26:25 dhe Markun 15:2

[Figura në faqen 18]

Punishte për regjjen e lëkurës në Fez, Marok