Zanafilla 38:1-30

38  Juda, pasi u nda nga vëllezërit, e ngriti tendën pranë një burri, një adulamiti,+ emri i të cilit ishte Hirah. 2  Atje, Juda pa vajzën e një kananiti,+ emri i të cilit ishte Shua. Kështu, ai e mori për grua dhe pati marrëdhënie me të. 3  Ajo mbeti shtatzënë, dhe lindi një djalë, të cilit ai ia vuri emrin Eri.+ 4  Ajo mbeti përsëri shtatzënë, dhe lindi një djalë, të cilit ia vuri emrin Onan. 5  Lindi edhe një djalë tjetër, dhe atij ia vuri emrin Shelah. Juda ndodhej në Akzib, kur ajo lindi Shelahun.+ 6  Juda mori një grua për Erin, të parëlindurin e tij, dhe emri i saj ishte Tamara.+ 7  Por Eri, i parëlinduri i Judës, ishte i keq në sytë e Jehovait,+ prandaj Jehovai e bëri të vdiste.+ 8  Kështu, Juda i tha Onanit: «Martohu me gruan e tët vëllai, ki marrëdhënie me të dhe bëj detyrën që i takon kunatit, që t’i lësh pasardhës vëllait tënd.»+ 9  Por Onani e dinte se ata nuk do të ishin pasardhësit e tij,+ prandaj, kur kryente marrëdhënie me gruan e të vëllait, ai e derdhte farën përtokë, që të mos i linte pasardhës të vëllait.+ 10  Por kjo ishte e keqe në sytë e Jehovait,+ prandaj ai e bëri edhe atë të vdiste.+ 11  Kështu, Juda i tha Tamarës, së resë: «Shko në shtëpinë e atit tënd, dhe rri atje si vejushë derisa të rritet Shelahu, im bir.»+ Sepse thoshte me vete: «Edhe ai mund të vdesë si vëllezërit e tij.»+ Prandaj Tamara shkoi dhe banoi në shtëpinë e të atit.+ 12  Kaloi shumë kohë dhe bija e Shuait, gruaja e Judës,+ vdiq. Pasi mbajti periudhën e zisë,+ Juda, bashkë me shokun e tij Hirahun, adulamitin,+ u ngjit në Timnah+ te qethësit e dhenve të tij. 13  Atëherë i thanë Tamarës: «Ja, vjehrri yt po ngjitet në Timnah për të qethur dhentë.»+ 14  Prandaj, ajo hoqi rrobat e vejërisë, u mbulua me një shall, vuri një vello dhe u ul në hyrje të Enaimit, që ndodhet përgjatë rrugës për në Timnah. Sepse e kishte parë që Shelahu ishte rritur dhe ajo ende nuk ishte bërë gruaja e tij.+ 15  Kur e pa, Juda e mori për një prostitutë,+ sepse ajo kishte mbuluar fytyrën.+ 16  Kështu, ai u kthye tek ajo dhe i tha: «Lërmë të kem marrëdhënie me ty, të lutem.»+ Sepse nuk e dinte që ishte e reja e tij.+ Por ajo e pyeti: «Ç’do të më japësh, që të kesh marrëdhënie me mua?»+ 17  Ai i tha: «Do të të dërgoj një kec nga kopeja.» Por ajo ia ktheu: «A do të më lësh një peng derisa ta dërgosh?»+ 18  Ai vazhdoi: «Çfarë pengu të lë?» Ajo i tha: «Unazën tënde me vulë,+ kordonin tënd dhe shkopin që ke në dorë.» Atëherë ai ia dha, pati marrëdhënie me të, dhe ajo mbeti shtatzënë. 19  Pas kësaj, ajo u ngrit dhe shkoi, hoqi shallin dhe u vesh me rrobat e vejërisë.+ 20  Juda e dërgoi kecin me anë të shokut të tij adulamit,+ që të merrte pengun nga duart e asaj gruaje, por ai s’e gjeti. 21  Ai nisi të pyeste njerëzit e vendit të saj: «Ku është ajo prostituta e tempullit në Enaim, përgjatë rrugës?» Por ata i thoshin: «Në këtë vend s’ka pasur kurrë ndonjë prostitutë tempulli.»+ 22  Së fundi, ai u kthye te Juda dhe i tha: «S’e gjeta dot, por veç kësaj, njerëzit e vendit thoshin: ‘Në këtë vend s’ka pasur kurrë ndonjë prostitutë tempulli.’» 23  Atëherë, Juda tha: «Le t’i mbajë, që të mos na përçmojnë.+ Sidoqoftë, unë e dërgova kecin, por ti nuk e gjete.» 24  Gati tre muaj më vonë, i thanë Judës: «Tamara, nusja jote, është bërë prostitutë,+ dhe prandaj ka mbetur shtatzënë.»+ Atëherë Juda tha: «Nxirreni jashtë, vriteni dhe pastaj digjeni.»+ 25  Kur po e nxirrnin jashtë, ajo i dërgoi fjalë vjehrrit të saj: «Kam mbetur shtatzënë me burrin që i takojnë këto gjëra.»+ Pastaj shtoi: «Shihi me kujdes,+ të lutem, se të kujt janë unaza me vulë, kordoni dhe shkopi.»+ 26  Atëherë Juda i pa me kujdes dhe tha:+ «Ajo është më e drejtë se unë,+ sepse nuk ia dhashë për grua birit tim, Shelahut.»+ Pas kësaj, ai nuk pati më marrëdhënie me të.+ 27  Kur i erdhi koha për të lindur, ajo kishte në bark binjakë. 28  Kur po lindte, njëri shtriu dorën dhe menjëherë mamia e mori dhe i lidhi rreth dorës një fill të kuq të ndezur, duke thënë: «Ky doli i pari.» 29  Sapo ky e tërhoqi dorën, ja, doli vëllai i tij, prandaj ajo tha me zë të lartë: «Pse e çave kështu barkun e nënës sate?!» Prandaj, ia vunë emrin Perez.*+ 30  Pastaj doli vëllai i tij që kishte fillin e kuq të ndezur në dorë, dhe atij ia vunë emrin Zerah.+

Shënimet

^ Që do të thotë «çarje; shqyerje; e çarë».