Zanafilla 21:1-34
21 Jehovai e drejtoi vëmendjen ndaj Sarës, ashtu si kishte thënë, dhe Jehovai veproi me Sarën ashtu si kishte thënë.+
2 Sara mbeti shtatzënë+ dhe i lindi Abrahamit një djalë në pleqërinë e tij, në kohën e caktuar që kishte thënë Perëndia.+
3 Prandaj, Abrahami e quajti Isak+ djalin që i kishte lindur Sara.
4 Abrahami e rrethpreu Isakun, djalin e tij, kur ishte tetëditësh, pikërisht siç e urdhëroi Perëndia.+
5 Abrahami ishte njëqind vjeç kur i lindi i biri, Isaku.
6 Atëherë Sara tha: «Perëndia më ka bërë të qesh; kushdo që do të dëgjojë për këtë, do të qeshë me mua.»+
7 Pastaj shtoi: «Kush mund t’i thoshte Abrahamit se Sara do të mëndte fëmijë? Por ja, unë i linda një djalë në pleqërinë e tij.»
8 Fëmija u rrit dhe erdhi koha që t’i hiqnin gjirin.+ Atëherë Abrahami përgatiti një gosti të madhe ditën kur iu hoq gjiri Isakut.
9 Sara vërejti që djali i Agarës, egjiptianes,+ që ajo i kishte lindur Abrahamit, po tallej me Isakun.+
10 Prandaj nisi t’i thoshte Abrahamit: «Dëboje këtë skllave dhe djalin e saj, sepse ai nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me tim bir, Isakun!»+
11 Por kjo gjë nuk i pëlqeu Abrahamit.+
12 Atëherë Perëndia i tha: «Të mos të duket e papëlqyeshme ajo që po të thotë Sara për djalin dhe për skllaven. Dëgjoje zërin e saj, sepse ajo që do të quhet fara jote, do të vijë nëpërmjet Isakut.+
13 Por edhe djalin e skllaves+ do ta bëj një komb, sepse ai është pasardhësi yt.»+
14 Kështu, Abrahami u çua herët në mëngjes, i dha Agarës+ bukë dhe një kacek me ujë, e ia vuri në sup. I dha edhe djalin+ dhe pastaj e përzuri. Ajo mori udhën, dhe u end andej-këtej në shkretëtirën e Beer-Shebës.+
15 Më në fund, uji i kacekut mbaroi+ dhe ajo e hodhi+ fëmijën nën një kaçubë.
16 Pastaj iku më tutje dhe u ul vetëm, pak a shumë sa larg mund të qëllohet një shigjetë me hark, sepse tha: «Nuk dua ta shoh fëmijën kur të vdesë.»+ Prandaj u ul në njëfarë largësie dhe nisi të qante me të madhe.+
17 Por Perëndia e dëgjoi zërin e djalit+ dhe engjëlli i Perëndisë e thirri Agarën nga qiejt e i tha:+ «Çfarë ke, Agarë? Mos ki frikë, sepse Perëndia e ka dëgjuar zërin e djalit atje tek është.
18 Çohu, ngrije djalin dhe kape fort për dore, sepse do ta bëj një komb të madh.»+
19 Pastaj, Perëndia ia hapi sytë dhe ajo vuri re një pus;+ shkoi dhe nisi të mbushte kacekun me ujë, e i dha djalit për të pirë.
20 Perëndia vazhdoi të ishte me djalin,+ dhe ai rritej e banonte në shkretëtirë; dhe u bë harkëtar.+
21 Ai u vendos në shkretëtirën e Paranit,+ dhe e ëma i mori një grua nga Egjipti.
22 Në atë kohë Abimeleku bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, i thanë Abrahamit: «Perëndia është me ty në çdo gjë që po bën.+
23 Prandaj betomu tani këtu për Perëndinë,+ që nuk do të tregohesh i pabesë me mua, me pasardhjen time dhe me brezat e mi të ardhshëm;+ që do të sillesh me mua dhe me tokën në të cilën banon si i ardhur+ me të njëjtën dashuri besnike me të cilën unë jam sjellë me ty.»+
24 Atëherë Abrahami tha: «Do të betohem.»+
25 Kur Abrahami e kritikoi ashpër Abimelekun, për pusin e ujit që shërbëtorët e Abimelekut e kishin shtënë në dorë me dhunë,+
26 Abimeleku i tha: «Nuk e di kush e bëri këtë, dhe as ti vetë nuk më the gjë. Unë për vete sot po e dëgjoj për herë të parë këtë punë.»+
27 Pastaj Abrahami mori dhen e gjedhë, ia dha Abimelekut,+ dhe të dy bënë një besëlidhje.+
28 Kur Abrahami ndau veç shtatë qengja femër të kopesë,
29 Abimeleku i tha: «Pse i ke ndarë veç këta qengja?»
30 Atëherë ai ia ktheu: «Ke për t’i pranuar këta shtatë qengja nga dora ime si dëshmi+ që këtë pus e kam hapur unë.»
31 Prandaj ai e quajti atë vend Beer-Shebë,+ sepse atje ata të dy u betuan.
32 Kështu, ata bënë një besëlidhje+ në Beer-Shebë. Pastaj, Abimeleku u ngrit bashkë me Fikolin, kreun e ushtrisë së tij, dhe u kthyen në vendin e filistinëve.+
33 Pas kësaj, ai mbolli një brukë në Beer-Shebë dhe thirri atje emrin e Jehovait,+ të Perëndisë së përjetësisë.+
34 Abrahami u vendos si banor i ardhur në vendin e filistinëve për shumë kohë.+

