Zanafilla 13:1-18
13 Kështu Abrami u nis nga Egjipti për në Negeb+ bashkë me gruan dhe me gjithë ç’kishte. Dhe Loti ishte me të.
2 Abrami kishte plot bagëti, argjend dhe ar.+
3 Ai udhëtoi nga Negebi në Bethel, fushim pas fushimi, deri në vendin ku kishte pasur fillimisht tendën, mes Bethelit dhe Ait,+
4 atje ku kishte bërë në fillim altarin.+ Atje Abrami nisi të thërriste emrin e Jehovait.+
5 Edhe Loti, që shkonte bashkë me Abramin, zotëronte dhen, gjedhë e tenda.
6 Meqë të mirat e tyre ishin shumuar, vendi nuk i mbante dot të gjithë, dhe ata nuk mund të banonin të gjithë bashkë.+
7 Tani, mes çobanëve të bagëtisë së Abramit dhe çobanëve të bagëtisë së Lotit, nisi grindja. Në atë kohë, në vend banonin kananitët dhe perezitët.+
8 Prandaj, Abrami i tha Lotit:+ «Të lutem, të mos lejojmë të vazhdojë grindja mes meje e teje dhe mes çobanëve të mi e çobanëve të tu, sepse jemi vëllezër.+
9 Ja ku e ke gjithë vendin para teje. Të lutem, ndahu nga unë. Nëse ti shkon majtas, unë do të shkoj djathtas, por nëse ti shkon djathtas, unë do të shkoj majtas.»+
10 Kështu, Loti ngriti sytë dhe pa gjithë krahinën e Jordanit.+ Përpara se Jehovai të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën, ajo ishte e gjitha një zonë e ujitur mirë deri në Zoar,+ si kopshti i Jehovait,+ si vendi i Egjiptit.
11 Atëherë Loti zgjodhi gjithë krahinën e Jordanit dhe e zhvendosi kampin e tij në lindje. Kështu, ata u ndanë nga njëri-tjetri.
12 Abrami banoi në vendin e Kanaanit, ndërsa Loti banoi afër qyteteve të krahinës,+ dhe e ngriti tendën pranë Sodomës.
13 Njerëzit e Sodomës ishin të këqij dhe mëkatonin rëndë kundër Jehovait.+
14 Jehovai i tha Abramit, pasi Loti ishte ndarë nga ai: «Ngri sytë, të lutem, dhe shiko nga vendi ku je, drejt veriut, drejt jugut, drejt lindjes dhe drejt perëndimit,+
15 sepse gjithë tokën që po shikon, unë do të ta jap ty dhe farës sate përgjithmonë.+
16 Do ta bëj farën tënde si grimcat e pluhurit të tokës, dhe nëse mund të numërohen grimcat e pluhurit të tokës, atëherë mund të numërohet edhe fara jote.+
17 Ngrihu, bjeri vendit për së gjati e për së gjeri, sepse do të ta jap ty.»+
18 Abrami vazhdoi të jetonte në tenda. Më vonë, ai vajti e banoi mes pemëve të mëdha në Mamre,+ që gjenden në Hebron;+ dhe atje i ndërtoi një altar Jehovait.+

