Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

Cilat privilegje dhe përgjegjësi vinin nga e drejta e të parëlindurit?

▪ Që nga koha e patriarkëve, shërbëtorët e Perëndisë i jepnin të drejta të veçanta djalit të parëlindur. Kur vdiste babai, djali më i madh merrte përsipër përgjegjësitë e kreut të familjes. Ai kujdesej për familjen dhe kishte autoritet mbi pjesëtarët e saj që vazhdonin të banonin aty. Gjithashtu, i parëlinduri përfaqësonte familjen para Perëndisë. Edhe pse të gjithë fëmijët merrnin trashëgimi, i parëlinduri merrte pjesën kryesore të saj. Në krahasim me sasinë e pasurisë që mund të trashëgonin fëmijët e tjerë, i parëlinduri merrte dyfishin.

Në ditët e patriarkëve, djali më i madh mund të hiqte dorë nga e drejta e të parëlindurit. Për shembull, Esau ia shiti të drejtën e të parëlindurit vëllait më të vogël. (Zanafilla 25:30-34) Jakobi e kaloi të drejtën e të parëlindurit nga djali i parë, Rubeni, te Jozefi. Rubeni e humbi këtë privilegj për shkak të sjelljes imorale. (1 Kronikave 5:1) Megjithatë, nën Ligjin e Moisiut, një njeri që kishte më shumë se një grua, nuk mund ta kalonte të drejtën e të parëlindurit nga djali i parë i njërës grua te djali i parë i një gruaje tjetër vetëm sepse e donte më shumë të dytën. Babai duhej ta respektonte të drejtën që në mënyrë të natyrshme i përkiste djalit të tij të parëlindur.—Ligji i përtërirë 21:15-17.

Pse skribët dhe farisenjtë mbanin ‘kutiza me shkrime’?

▪ Jezui i kritikoi kundërshtarët e tij fetarë, skribët dhe farisenjtë, sepse i zmadhonin «kutizat me shkrime, që i [mbanin] si mbrojtje». (Mateu 23:2, 5) Ithtarët e këtyre grupeve fetare lidhnin në ballë kutiza të zeza lëkure në formë katrore ose drejtkëndore. Gjithashtu, i lidhnin ato në anën e brendshme të pjesës së sipërme të krahut, pranë zemrës. Brenda kutizave kishte fragmente nga Shkrimet. Zakoni i mbajtjes së këtyre kutizave me shkrime, të njohura si filakteritë, e kishte origjinën në një interpretim të mirëfilltë të urdhrit që u dha Perëndia izraelitëve: «Rrënjosi në zemër këto fjalë që po të urdhëroj sot. . . . Lidhi në dorë si shenjë dhe le të jenë si shirit në ballë.» (Ligji i përtërirë 6:6-8) Nuk dihet me saktësi se kur u fut zakoni i mbajtjes së filakterive, por sipas shumicës së studiuesve ai daton që në shekullin e tretë ose të dytë p.e.s.

Jezui e kritikoi këtë zakon për dy arsye. Së pari, skribët dhe farisenjtë i zmadhonin filakteritë që t’u bënin përshtypje të tjerëve se sa të devotshëm ishin. Së dyti, këto grupe gabimisht i konsideronin kutizat me shkrime si hajmali ose nuska që i mbronin. Fjala greke për këto kutiza, phylakterion, ashtu siç përdoret në literaturën jobiblike, përkthehet edhe «pararojë», «fortifikatë» ose «mjet mbrojtës».