Jonai 1:1-17
1 Fjala e Jehovait iu drejtua Jonait,+ birit të Amitait:
2 «Ngrihu, shko në Ninevi,+ në qytetin e madh, dhe shpall kundër saj se ligësia e tyre është ngjitur deri tek unë.»+
3 Jonai u ngrit dhe ia mbathi për në Tarshish,+ larg pranisë së Jehovait.+ Më në fund, zbriti në Jopë+ dhe gjeti një anije që shkonte në Tarshish. Pagoi çmimin e udhëtimit dhe hipi në anije, që të shkonte me ta në Tarshish, larg pranisë së Jehovait.
4 Jehovai bëri që në det të ngrihej një erë e fortë+ dhe një furtunë aq e madhe+ sa anija ishte gati të shkatërrohej.
5 Marinarët nisën të frikësoheshin e të thërritnin për ndihmë, secili perëndinë e vet.+ Pastaj hodhën në det sendet që ishin në anije, që ta lehtësonin.+ Por Jonai kishte zbritur në fund të anijes dhe ishte shtrirë e po bënte një gjumë të rëndë.+
6 Kapiteni i anijes iu afrua dhe i tha: «Ç’bën, more gjumash? Ngrihu dhe thirri perëndisë tënd!+ Ndoshta Perëndia i vërtetë do të kujdeset për ne dhe nuk vdesim.»+
7 Pastaj nisën t’i thoshin njëri-tjetrit: «Ejani të hedhim short+ që të marrim vesh se nga na vjen kjo e keqe.»+ Hodhën, pra, short dhe shorti i ra Jonait.+
8 Prandaj i thanë: «Na thuaj nga na vjen kjo e keqe!+ Ç’punë bën dhe nga vjen? Nga ç’vend je dhe prej cilit popull?»
9 Ai u tha: «Unë jam hebre+ dhe i frikësohem+ Jehovait, Perëndisë së qiejve,+ Atij që bëri detin dhe tokën.»+
10 Atëherë ata burra u trembën edhe më shumë dhe i thanë: «Ç’na bëre kështu?»+ Faktikisht, ata e kishin marrë vesh se ai po ia mbathte larg pranisë së Jehovait, ngaqë ai vetë ua kishte thënë.
11 Së fundi i thanë: «Ç’duhet të bëjmë me ty+ që të qetësohet deti?» Sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm.
12 Atëherë ai u tha: «Më merrni dhe më hidhni në det, dhe deti do të qetësohet. Sepse e di mirë që kjo furtunë e madhe u ngrit mbi ju për shkakun tim.»+
13 Por ata u përpoqën të çanin detin, që ta kthenin anijen në tokë të thatë. Megjithatë nuk mundën, sepse deti po bëhej edhe më i stuhishëm kundër tyre.+
14 Prandaj i thirrën Jehovait dhe i thanë:+ «Ah, o Jehova, të lutemi, mos lejo të vdesim ne për shkak të shpirtit të këtij njeriu! Mos na ngarko, o Jehova, me gjak të pafajshëm,+ pasi ti vetë ke bërë si ke dashur!»+
15 Pastaj e morën Jonain dhe e hodhën në det. Kështu deti nisi ta ndalte tërbimin.+
16 Pas kësaj, ata burra patën shumë frikë nga Jehovai,+ prandaj i bënë një flijim Jehovait+ dhe u zotuan+ para tij.
17 Jehovai bëri që një peshk i madh ta gëlltiste Jonain,+ dhe Jonai qëndroi në barkun* e peshkut tri ditë e tri net.+
Shënimet
^ Ose «pjesët e brendshme».

