Veprat e Apostujve 3:1-26

  • Pjetri shëron një lypës të çalë (1-10)

  • Fjalimi i Pjetrit te Kolonada e Solomonit (11-26)

    • ‘Rivendosja e të gjitha gjërave’ (21)

    • Një profet si Moisiu (22)

3  Tani, Pjetri dhe Gjoni shkuan në tempull për orën e lutjes, orën e nëntë.* 2  Atje sollën një burrë që kishte lindur i çalë. Atë e vinin përditë pranë portës së tempullit që quhej Porta e Bukur, për t’u kërkuar lëmoshë* atyre që hynin në tempull. 3  Kur vuri re se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, ai nisi t’u kërkonte lëmoshë.* 4  Por Pjetri e Gjoni e vështruan dhe i thanë: «Na shiko!» 5  Atëherë ai ua nguli sytë duke pritur të merrte diçka prej tyre, 6  por Pjetri i tha: «Argjend e ar s’kam, por të jap atë që kam. Në emër të Jezu Krishtit, nazareasit, çohu dhe ec!»+ 7  Pastaj e kapi nga dora e djathtë dhe e ngriti.+ Në çast, këmbët dhe kyçet iu forcuan,+ 8  u ngrit+ e filloi të ecte. Hyri me ta në tempull duke ecur, duke hovur e duke lëvduar Perëndinë, 9  dhe të gjithë njerëzit e panë tek ecte e lëvdonte Perëndinë. 10  Ata e njohën se ishte ai që ulej në Portën e Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë,*+ prandaj mbetën pa fjalë dhe u mahnitën për çka i kishte ndodhur. 11  Ndërsa burri mbahej ende te Pjetri dhe Gjoni, të gjithë njerëzit, krejt të habitur, vrapuan drejt tyre tek ajo që quhej Kolonada e Solomonit.+ 12  Kur e pa këtë, Pjetri u tha: «Burra të Izraelit, pse çuditeni kaq shumë?! Pse na i ngulni sytë a thua se këtë njeri e bëmë të ecte me fuqinë ose me përkushtimin tonë ndaj Perëndisë?!* 13  Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit,+ Perëndia i paraardhësve tanë, i dha lavdi Shërbëtorit të tij,+ Jezuit,+ të cilin ju e dorëzuat+ dhe e mohuat para Pilatit, edhe pse ai kishte vendosur ta lironte. 14  Po, ju e mohuat të shenjtin e të drejtin dhe kërkuat të lirohej një njeri që ishte vrasës,+ 15  kurse Kryepërfaqësuesin* e jetës e vratë.+ Megjithatë Perëndia e ngriti nga të vdekurit, dhe për këtë ne jemi dëshmitarë.+ 16  Nëpërmjet emrit të tij, e ngaqë kemi besim tek emri i tij, u bë i fortë ky njeri që shihni dhe njihni. Besimi që kemi te Jezui i dha këtij njeriu shëndet të plotë para të gjithëve ju. 17  E pra, vëllezër, e di se vepruat në padije,+ ashtu si bënë edhe krerët tuaj.+ 18  Por Perëndia lejoi të ndodhnin këto gjëra që të përmbusheshin ato që paratha nëpërmjet tërë profetëve, se Krishti i tij do të vuante.+ 19  Prandaj pendohuni+ dhe kthehuni,+ që t’ju fshihen mëkatet,+ që nga vetë Jehovai* të vijnë stinë freskuese 20  e të dërgojë Krishtin e emëruar për ju, Jezuin. 21  Ai duhet të qëndrojë në qiell* deri në kohën e rivendosjes së të gjitha gjërave, për të cilat Perëndia foli nëpërmjet profetëve të tij të shenjtë të lashtësisë. 22  Në fakt, Moisiu tha: ‘Jehovai,* Perëndia juaj, do të nxjerrë një profet si unë nga vëllezërit tuaj.+ Duhet të dëgjoni gjithçka që do t’ju thotë.+ 23  Kushdo* që nuk e dëgjon atë Profet, do të shfaroset nga populli.’+ 24  Edhe të gjithë profetët, që nga Samueli e me radhë, folën qartë për këto ditë.+ 25  Ju jeni bij të profetëve dhe të besëlidhjes që Perëndia bëri me paraardhësit tuaj+ kur i tha Abrahamit: ‘Me anë të pasardhësit* tënd do të bekohen të gjitha familjet e tokës.’+ 26  Pasi e ngriti Shërbëtorin e tij, Perëndia e dërgoi që t’ju bekonte më parë juve,+ duke e ndihmuar secilin të pendohet për veprat e liga.»

Shënimet

^ Domethënë, rreth orës 3 të pasdites.
^ Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «dhurata për të varfrit». Shih Fjalorthin.
^ Ose «përkushtimin hyjnor». Shih Fjalorthin.
^ Fjalë për fjalë «nga fytyra e Jehovait». Shih Shtojcën A5.
^ Ose «Atë duhet ta mbajë brenda vetes qielli».
^ Ose «Çdo shpirt».
^ Fjalë për fjalë «farës». Në greqisht kjo fjalë mund të nënkuptojë edhe shumësin. Shih Fjalorthin.