Sipas Mateut 5:1-48

  • PREDIKIMI NË MAL (1-48)

    • Jezui nis të mësojë të tjerët në mal (1, 2)

    • Nëntë lumturitë (3-12)

    • Kripa dhe drita (13-16)

    • Jezui përmbush Ligjin (17-20)

    • Këshilla për zemërimin (21-26), kurorëshkeljen (27-30), divorcin (31, 32), betimet (33-37), hakmarrjen (38-42), dashurinë për armiqtë (43-48)

5  Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal dhe, pasi u ul, dishepujt i shkuan pranë. 2  Atëherë ai nisi të fliste* dhe t’i mësonte: 3  «Lum ata që e kuptojnë se kanë nevojë për Perëndinë,*+ sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve! 4  Lum ata që vajtojnë, sepse do të ngushëllohen!+ 5  Lum ata që janë me natyrë të butë,*+ sepse do të trashëgojnë tokën!+ 6  Lum ata që janë të uritur dhe të etur+ për drejtësinë, sepse do të ngopen!+ 7  Lum të mëshirshmit,+ sepse do t’u tregohet mëshirë! 8  Lum ata që kanë zemër të pastër,+ sepse do të shohin Perëndinë! 9  Lum paqebërësit,*+ sepse do të quhen bij të Perëndisë! 10  Lum ata që përndiqen për hir të drejtësisë,+ sepse atyre u përket Mbretëria e qiejve! 11  Lum ju kur njerëzit ju poshtërojnë+ e ju përndjekin+ dhe thonë lloj-lloj gënjeshtrash të liga kundër jush për shkakun tim!+ 12  Gëzoni dhe ngazëlloni,+ se i madh është shpërblimi+ juaj në qiej, sepse kështu i përndoqën edhe profetët përpara jush.+ 13  Ju jeni kripa+ e tokës. Mirëpo, nëse kripa e humb shijen, si do t’i kthehet kripësia? Nuk mund të përdoret më për asgjë, veçse për t’u hedhur përtokë+ që të shkelet me këmbë. 14  Ju jeni drita e botës.+ Një qytet nuk mund të fshihet nëse ndodhet në mal. 15  Një llambë nuk ndizet për t’u vënë nën shinik,* por për t’u vënë në mbajtësen e vet që të ndriçojë për gjithë ata që janë në shtëpi.+ 16  Po njësoj le të ndriçojë drita juaj para njerëzve,+ që të shohin veprat tuaja të shkëlqyera+ dhe t’i japin lavdi Atit tuaj që është në qiej.+ 17  Mos mendoni se erdha të zhvlerësoj* Ligjin ose Profetët. Nuk erdha për të zhvlerësuar, por për të përmbushur.+ 18  Vërtet po ju them se më shpejt do të zhdukej qielli e toka, sesa të zhdukej pa u përmbushur qoftë edhe shkronja më e vogël ose një pjesëz shkronje nga Ligji.+ 19  Prandaj, kushdo që shkel një nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, dhe i mëson edhe të tjerët të bëjnë kështu, do të quhet i padenjë* për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. Por, kushdo që i zbaton ato dhe ua mëson të tjerëve, do të quhet i denjë* për të hyrë në Mbretërinë e qiejve. 20  Vërtet po ju them se, nëse drejtësia juaj nuk qëndron më lart se ajo e skribëve dhe e farisenjve,+ nuk do të hyni kurrsesi në Mbretërinë e qiejve.+ 21  Ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos vrit,+ dhe kushdo që kryen një vrasje, do të japë llogari para gjyqit.’+ 22  Megjithatë unë po ju them se kushdo që ushqen zemërim+ kundër vëllait të vet,* do të japë llogari para gjyqit. Kushdo që e fyen rëndë vëllanë e vet me fjalë të turpshme do të japë llogari para Gjykatës së Lartë dhe kushdo që thotë: ‘Njeri i marrë e i poshtër!’, rrezikon të dënohet në Gehenën*+ e zjarrtë. 23  Nëse ti, pra, po sjell flijimin* tënd në altar+ dhe atje kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24  lëre flijimin atje para altarit dhe ik. Bëj më parë paqe me vëllanë tënd e pastaj kthehu dhe paraqit flijimin.+ 25  Rregulloji shpejt punët me kundërshtarin tënd sa je ende rrugës me të për në gjyq, që ai të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi te nëpunësi i gjyqit, e kështu të futesh në burg.+ 26  Me të vërtetë po të them se nuk ke për të dalë që andej pa paguar edhe monedhën e fundit.* 27  Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Mos kryej kurorëshkelje.’*+ 28  Por unë po ju them se kushdo që vazhdon ta shikojë një grua+ aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemër.+ 29  Nëse syri i djathtë po të bëhet pengesë,* hiqe dhe flake tej,+ sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të hidhet në Gehenë* i gjithë trupi.+ 30  Gjithashtu, nëse dora e djathtë po të bëhet pengesë, prite dhe flake tej,+ sepse është më mirë të humbasësh një nga gjymtyrët, sesa të përfundojë në Gehenë* i gjithë trupi.+ 31  Veç kësaj është thënë: ‘Kushdo që e divorcon gruan, le t’i japë asaj një certifikatë divorci.’+ 32  Megjithatë unë po ju them se ai që e divorcon gruan, përveç rastit kur ajo kryen imoralitet seksual,* e vë atë në rrezik që të kryejë kurorëshkelje, dhe kushdo që martohet me një grua të divorcuar,* kryen kurorëshkelje.+ 33  Përsëri, ju keni dëgjuar se të lashtëve u ishte thënë: ‘Mos u beto më kot,+ por mbaji zotimet që ke marrë para Jehovait.’*+ 34  Megjithatë unë po ju them: mos u beto fare+ as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, 35  as për tokën, sepse është stoli i këmbëve të tij+ dhe as për Jerusalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.+ 36  Mos u beto as për kokën tënde, sepse s’e bën dot të bardhë a të zezë qoftë edhe një fije floku. 37  Mjafton të thuash «po» e të jetë «po», dhe «jo» e të jetë «jo»,+ sepse çdo gjë që thuhet përtej këtyre, vjen nga i Ligu.+ 38  Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Sy për sy e dhëmb për dhëmb.’+ 39  Megjithatë unë po ju them: mos ia kthe flakë për flakë njeriut të lig, por atij që të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën.+ 40  Dhe, nëse dikush do që të të hedhë në gjyq e të marrë veshjen tënde,* jepi edhe mantelin.*+ 41  Gjithashtu, nëse dikush me autoritet të detyron të ecësh* me të një kilometër,* shko me të dy kilometra. 42  Jepi atij që të kërkon ndihmë dhe mos i kthe krahët atij që të kërkon borxh.*+ 43  Ju keni dëgjuar se është thënë: ‘Duaje të afërmin tënd*+ dhe urreje armikun.’ 44  Megjithatë unë po ju them: vazhdoni të doni armiqtë tuaj+ e të luteni për ata që ju përndjekin,+ 45  që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej,+ sepse falë tij dielli lind mbi të ligjtë e mbi të mirët dhe shiu bie mbi të drejtët e mbi të padrejtët.+ 46  E nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi meritoni?+ A nuk bëjnë njësoj edhe taksambledhësit? 47  Nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç’gjë të jashtëzakonshme po bëni? A nuk bëjnë njësoj edhe njerëzit nga kombet e tjera? 48  Prandaj jini të përsosur,* ashtu si është i përsosur Ati juaj qiellor.+

Shënimet

^ Fjalë për fjalë «ai hapi gojën».
^ Ose «ata që lypin për frymën e Perëndisë». Fjalë për fjalë «të varfrit në frymë».
^ Ose «zemërbutë».
^ Ose «ata që janë paqësorë».
^ Domethënë, nën një enë që shërben si masë drithi.
^ Fjalë për fjalë «të shkatërroj».
^ Fjalë për fjalë «më i vogli».
^ Fjalë për fjalë «i madh».
^ Domethënë, kundër një bashkëbesimtari.
^ Vendi ku digjeshin plehrat jashtë Jerusalemit. Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, një dhuratë për Perëndinë.
^ Fjalë për fjalë «kuadranin e fundit». Shih Shtojcën B14.
^ Ose «tradhti bashkëshortore».
^ Ose «të bën të mëkatosh».
^ Greqisht porneía. Shih Fjalorthin.
^ Domethënë, me një grua që nuk është divorcuar për shkak të imoralitetit seksual.
^ Ose «veshjen e brendshme».
^ Ose «veshjen e sipërme».
^ Fjalë për fjalë «të kryesh shërbim të detyruar».
^ Fjalë për fjalë «milje». Shih Shtojcën B14.
^ Domethënë, hua pa përqindje interesi.
^ Ose «tjetrin». Shih Fjalorthin.
^ Ose «të plotë».