Sipas Lukës 8:1-56

  • Gratë që shoqërojnë Jezuin (1-3)

  • Ilustrimi me mbjellësin (4-8)

  • Pse i përdorte Jezui ilustrimet (9, 10)

  • Shpjegimi i ilustrimit me mbjellësin (11-15)

  • Një llambë nuk mbulohet (16-18)

  • Nëna dhe vëllezërit e Jezuit (19-21)

  • Jezui qetëson stuhinë (22-25)

  • Jezui dërgon demonët te derrat (26-39)

  • Vajza e Jairit; një grua prek rrobën e Jezuit (40-56)

8  Pak pas kësaj Jezui udhëtoi nga qyteti në qytet dhe nga fshati në fshat, duke predikuar dhe duke shpallur lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë.+ Bashkë me të ishin edhe të Dymbëdhjetët, 2  si edhe disa gra që i kishte shëruar nga frymërat e liga* dhe sëmundjet: Maria, që e quanin Magdalena, nga e cila kishte nxjerrë shtatë demonë, 3  Joana,+ gruaja e Kuzait, kujdestarit të shtëpisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera, që po i shërbenin atij dhe apostujve duke përdorur pasuritë e tyre.+ 4  Tani, një turmë e madhe që kishte ardhur nga qytete të ndryshme, iu mblodh pranë dhe ai u tregoi një ilustrim:+ 5  «Një mbjellës doli për të mbjellë. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë përgjatë rrugës, ku njerëzit i shkelën me këmbë dhe zogjtë e qiellit i hëngrën.+ 6  Të tjera ranë në shkëmb dhe, pasi mbinë, u thanë ngaqë s’kishte lagështi.+ 7  Një pjesë tjetër ra mes gjembave, të cilët u rritën bashkë me to dhe i mbytën.+ 8  Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, pasi mbinë, prodhuan fryt 100-fish.»+ Pasi tregoi këto gjëra, tha me zë të lartë: «Ai që ka veshë, le të dëgjojë.»+ 9  Mirëpo dishepujt e pyetën ç’domethënie kishte ky ilustrim.+ 10  Ai iu përgjigj: «Juve ju është lejuar të kuptoni sekretet e shenjta të Mbretërisë së Perëndisë, kurse për të tjerët mbeten thjesht ilustrime,+ që, edhe pse shohin, të shohin kot, edhe pse dëgjojnë, të mos e kapin kuptimin.+ 11  Kjo është domethënia e ilustrimit: fara është fjala e Perëndisë.+ 12  Farat përgjatë rrugës janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën, por pastaj vjen Djalli dhe ua rrëmben atë nga zemra, që të mos besojnë e të mos shpëtojnë.+ 13  Farat në shkëmb janë njerëzit që e pranojnë me gëzim fjalën kur e dëgjojnë, megjithatë nuk kanë rrënjë. Ata besojnë për njëfarë kohe, por heqin dorë në kohë sprovash.+ 14  Farat që ranë mes gjembave, janë njerëzit që e dëgjojnë fjalën, por, ngaqë rrëmbehen nga ankthet, pasuritë+ dhe kënaqësitë e kësaj jete,+ mbyten dhe nuk arrijnë kurrë të piqen.+ 15  Farat në tokë të mirë janë njerëzit me zemër të mirë e të sinqertë,+ që e ruajnë fjalën pasi e dëgjojnë dhe japin fryt ndërsa qëndrojnë.+ 16  Askush nuk e ndez llambën që ta mbulojë me ndonjë enë a ta vërë nën shtrat, por e vendos në mbajtësen e vet, në mënyrë që ata që hyjnë në dhomë, ta shohin dritën,+ 17  sepse nuk ka asgjë të mbuluar që nuk do të duket qartë dhe asgjë të fshehur me kujdes që nuk do të merret vesh kurrë e nuk do të dalë sheshit.+ 18  Prandaj kushtoni vëmendje si dëgjoni, sepse atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë,+ por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që kujton se ka.»+ 19  Tani, e ëma dhe vëllezërit e tij+ vajtën tek ai, por s’po i afroheshin dot për shkak të turmës.+ 20  Prandaj e njoftuan: «Nëna jote me vëllezërit e tu janë jashtë dhe duan të të takojnë.» 21  Jezui u përgjigj: «Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë këta që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë.»+ 22  Një ditë, ai dhe dishepujt hipën në një varkë dhe u tha: «Le të kalojmë në anën tjetër të liqenit.» Kështu u nisën+ 23  dhe, ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Por në liqen u ngrit një stuhi aq e egër dhe e fortë, sa varka nisi të mbushej me ujë dhe gati-gati po fundosej.+ 24  Prandaj iu afruan, e zgjuan dhe i thanë: «Mësues, Mësues, morëm fund!» Atëherë ai u ngrit, qortoi erën dhe ujërat e tërbuara, dhe ato u fashitën e u bë qetësi.+ 25  Pastaj u tha: «Ku është besimi juaj?» Por ata i kishte pushtuar frika, e të shtangur i thoshin njëri-tjetrit: «Kush është ky, që urdhëron erërat dhe ujin, e ato i binden?!»+ 26  Më pas u ndalën në bregun e rajonit të gerazenëve,+ përballë Galilesë. 27  Sapo Jezui zbriti në tokë, nga qyteti aty pranë, i doli para një njeri i pushtuar nga demonët. Për shumë kohë ai nuk kishte veshur rroba dhe nuk rrinte në shtëpi, por jetonte në varreza.*+ 28  Sa e pa Jezuin, bërtiti fort, u përkul me fytyrë përtokë para tij dhe tha me zë të lartë: «Ç’punë ke me mua, o Jezu, Bir i Perëndisë Më të Lartë? Aman, mos më mundo!»+ 29  (Jezui e kishte urdhëruar frymën e ndyrë* të dilte nga ai, sepse ajo e kishte mbërthyer shumë herë,*+ dhe atë njeri e ruanin me roja herë pas here, e lidhnin me zinxhirë e vargonj, por ai i këpuste, dhe demoni e çonte në vende të veçuara.) 30  Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?» Ai iu përgjigj: «Legjion», sepse tek ai kishin hyrë shumë demonë. 31  Kështu këta i përgjëroheshin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.+ 32  Meqë një tufë e madhe derrash+ po kulloste në mal, ata iu përgjëruan t’i lejonte të futeshin te derrat. Dhe ai i lejoi.+ 33  Atëherë demonët dolën nga njeriu, u futën te derrat, dhe tufa u turr drejt greminës,* ra në liqen e u mbyt. 34  Kur panë ç’kishte ndodhur, çobanët ia mbathën dhe e çuan lajmin në qytet e në fshat. 35  Kështu njerëzit dolën të shihnin ç’kishte ndodhur. Erdhën te Jezui dhe panë që njeriu nga i cili dolën demonët, ishte ulur te këmbët e Jezuit, i veshur e me mendje në rregull, dhe i zuri frika. 36  Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan si ishte shëruar i pushtuari nga demonët. 37  Atëherë shumë veta nga rajoni i gerazenëve i kërkuan Jezuit të largohej, sepse i kishte mbërthyer një frikë e madhe. Prandaj ai hipi në varkë dhe u largua. 38  Mirëpo, njeriu nga i cili dolën demonët, i lutej të rrinte me të. Por Jezui e përcolli me këto fjalë:+ 39  «Kthehu në shtëpi dhe tregoju të gjithëve gjërat që bëri Perëndia për ty.» Kështu, ai u largua dhe tregoi anembanë qytetit gjërat që bëri Jezui për të. 40  Jezui u kthye në Galile dhe turma e mirëpriti ngrohtësisht, sepse të gjithë po e prisnin me padurim.+ 41  Kur ja, erdhi një burrë që quhej Jair, një nga të parët e sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e nisi t’i përgjërohej që të shkonte në shtëpinë e tij,+ 42  sepse vajza e tij e vetme,* që ishte rreth 12 vjeçe, ishte buzë vdekjes. Ndërsa Jezui po shkonte atje, turmat ngjisheshin pas tij. 43  Atje ishte edhe një grua që kishte rrjedhje gjaku+ nga 12 vjet dhe askush nuk e kishte shëruar dot.+ 44  Ajo iu afrua nga prapa dhe i preku thekët e rrobës,+ e rrjedhja e gjakut iu ndal në çast. 45  Atëherë Jezui pyeti: «Kush më preku?» Ngaqë të gjithë thoshin se nuk e kishin prekur, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po ngjishen e po shtyhen pas teje.»+ 46  Por Jezui vazhdoi: «Dikush më preku, sepse e ndjeva që nga unë doli fuqi.»+ 47  Kur pa se nuk shpëtoi pa u vënë re, duke u dridhur nga frika, gruaja vajti e ra në gjunjë para tij dhe u tregoi të gjithëve pse e preku dhe si u shërua në çast. 48  Por ai i tha: «Bijë, besimi yt të shëroi. Shko në paqe.»+ 49  Ai ishte ende duke folur, kur një përfaqësues i të parit të sinagogës erdhi dhe tha: «Vajza jote vdiq! Mos e shqetëso më Mësuesin.»+ 50  Me të dëgjuar këtë, Jezui tha: «Mos ki frikë, vetëm ki besim, dhe ajo do të shpëtojë.»+ 51  Kur arriti në shtëpi, ai nuk la asnjeri të hynte brenda me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakovit dhe babait e nënës së vajzës. 52  Të gjithë qanin dhe goditnin gjoksin nga hidhërimi. Mirëpo ai tha: «Mos qani më,+ sepse ajo nuk ka vdekur, por po fle.»+ 53  Atëherë ata nisën të qeshnin me të dhe ta tallnin, sepse e dinin që ajo kishte vdekur. 54  Por ai e kapi për dore vajzën dhe i tha: «Vogëlushe, ngrihu!»+ 55  Ajo u kthye në jetë*+ dhe menjëherë u ngrit në këmbë.+ Pastaj ai urdhëroi t’i jepnin diçka për të ngrënë. 56  Prindërit s’i mbante vendi nga gëzimi, por ai u tha të mos i tregonin askujt ç’kishte ndodhur.+

Shënimet

^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Ose «mes varreve përkujtimore».
^ Shih Fjalorthin, «Demonët».
^ Një mundësi tjetër «për një kohë të gjatë».
^ Ose «drejt rrëpirës».
^ Fjalë për fjalë «e vetëmlindur».
^ Ose «Asaj iu kthye forca e jetës». Fjalë për fjalë «iu kthye fryma». Shih Fjalorthin.