Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqipe e shenjave

MËSIMI 4

Kush është Jezu Krishti?

Kush është Jezu Krishti?

1. Si filloi jeta e Jezuit?

Çfarë cilësish kishte Jezui që të tjerët ndiheshin rehat me të?MATEU 11:29; MARKU 10:13-16.

Ndryshe nga çdo njeri, Jezui kishte jetuar në qiell si krijesë frymore para se të lindte në tokë. (Gjoni 8:23) Ai ishte krijimi i parë i Perëndisë dhe ndihmoi në krijimin e gjithçkaje tjetër. Jezui është i vetmi që Jehovai e krijoi drejtpërdrejt, ndaj me të drejtë quhet Biri ‘i vetëmlindur’ i Perëndisë. (Gjoni 1:14) Ai shërbeu si Zëdhënës i Perëndisë, prandaj quhet edhe «Fjala».Lexo Proverbat 8:22, 23, 30; Kolosianëve 1:15, 16.

2. Pse erdhi në tokë Jezui?

Perëndia e dërgoi Birin e vet në tokë duke e transferuar jetën e tij nga qielli në barkun e një virgjëreshe judeje, që quhej Mari. Pra, Jezui nuk kishte baba njerëzor. (Luka 1:30-35) Ai erdhi në tokë që (1) të na mësonte të vërtetën për Perëndinë, (2) të na linte një shembull se si të bëjmë vullnetin e Perëndisë edhe kur jemi në vështirësi dhe (3) të jepte jetën e tij të përsosur si «shpërblesë».Lexo Mateun 20:28.

3. Pse kemi nevojë për një shpërblesë?

Shpërblesa është një çmim që paguhet për të çliruar dikë që i kanoset vdekja. (Dalja 21:29, 30) Plakja dhe vdekja nuk ishin pjesë e qëllimit që kishte në fillim Perëndia për njerëzimin. Nga e dimë këtë? Perëndia i tha njeriut të parë, Adamit, se po të kryente atë që Bibla e quan «mëkat», do të vdiste. Pra, po të mos mëkatonte, Adami s’do të vdiste kurrë. (Zanafilla 2:16, 17; 5:5) Sipas Biblës, vdekja «hyri në botë» nëpërmjet Adamit. Kështu, Adami u kaloi tërë pasardhësve të tij mëkatin dhe dënimin që sjell ai, vdekjen. Për t’u çliruar nga dënimi i vdekjes që na la trashëgim Adami, kemi nevojë për një shpërblesë.Lexo Romakëve 5:12; 6:23.

Kush mund ta paguante shpërblesën që të na shpëtonte nga vdekja? Kur vdes, njeriu paguan dënimin vetëm për mëkatet e tij. Asnjë njeri i papërsosur nuk mund të paguajë për mëkatet e të tjerëve.Lexo Psalmin 49:7-9.

4. Pse vdiq Jezui?

Ndryshe nga ne, Jezui ishte i përsosur. Pra, nuk kishte pse të vdiste për mëkatet e tij, se nuk kreu kurrë asnjë mëkat. Gjithsesi, Jezui vdiq për mëkatet e të tjerëve. Perëndia shprehu dashuri të paparë për njerëzimin duke dërguar Birin e tij që të vdiste për ne. Edhe Jezui tregoi se na donte ngaqë iu bind Atit të tij e dha jetën për mëkatet tona.Lexo Gjonin 3:16; Romakëve 5:18, 19.

5. Çfarë po bën Jezui sot?

Kur ishte në tokë, Jezui shëroi të sëmurë, ktheu në jetë të vdekur dhe ua lehtësoi vuajtjet njerëzve. Në këtë mënyrë, tregoi se ç’do të bëjë në të ardhmen për gjithë njerëzit e bindur. (Mateu 15:30, 31; Gjoni 5:28) Pasi Jezui vdiq, Perëndia e ktheu në jetë si krijesë frymore. (1 Pjetrit 3:18) Pas kësaj, priti në të djathtë të Perëndisë Jehova derisa ai i dha pushtet të sundonte si Mbret mbi mbarë tokën. (Hebrenjve 10:12, 13) Sot Jezui po sundon si Mbret në qiell, dhe dishepujt e tij po e shpallin anekënd botës këtë lajm të mirë.Lexo Danielin 7:13, 14; Mateun 24:14.

Së shpejti, Jezui do ta përdorë pushtetin si Mbret që të zhdukë të gjitha vuajtjet dhe ata që i shkaktojnë. Kushdo që tregon besim te Jezui duke iu bindur, do të gëzojë jetën në tokën parajsore.Lexo Psalmin 37:9-11.