Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Politika globale për mbrojtjen e të dhënave e Dëshmitarëve të Jehovait

Politika globale për mbrojtjen e të dhënave e Dëshmitarëve të Jehovait

Organizata fetare mbarëbotërore e Dëshmitarëve të Jehovait («organizatë fetare») respekton të drejtat e individit për privatësi dhe për mbrojtjen e të dhënave personale. Organizata jonë pranon se komunikimi i hapur e i sinqertë, grumbullimi i të dhënave personale dhe i të dhënave personale sensitive janë të nevojshme që të plotësojë nevojat e Dëshmitarëve të Jehovait e të përmbushë veprimtaritë e saj fetare e bamirëse. Rrjedhimisht pranon edhe se është e nevojshme të ruajë konfidencialitetin dhe të sigurojë mbrojtjen e të dhënave siç duhet. (Proverbat 15:22; 25:9) Vlerësojmë jashtë mase ruajtjen e konfidencialitetit.—Proverbat 20:19.

Vende të ndryshme kanë nxjerrë ligje për mbrojtjen e të dhënave, për t’i siguruar individit të drejtat e privatësisë. Kjo organizatë fetare, së bashku me zyrat e saj të degëve, i ka respektuar prej kohësh të drejtat e privatësisë dhe ruajtjen e konfidencialitetit, madje para se të dilnin ligjet për mbrojtjen e të dhënave. Kjo organizatë fetare do të vazhdojë t’i mbrojë informacionet që i besohen, ashtu siç ka bërë prej kohësh.

Parimet për mbrojtjen e të dhënave. Kjo organizatë fetare i administron të gjitha të dhënat personale në përputhje me parimet e mëposhtme:

  1. Të dhënat personale do të përpunohen në mënyrë të drejtë e të ligjshme.

  2. Të dhënat personale do të mblidhen, do të përpunohen dhe do të përdoren aq sa është e nevojshme për të përmbushur qëllimet fetare e bamirëse të kësaj organizate fetare.

  3. Të dhënat personale do të jenë të sakta dhe të përditësuara. Nëse organizata vihet në dijeni për ndonjë gabim, do ta korrigjojë sa më shpejt të jetë e mundur.

  4. Të dhënat personale do të ruhen vetëm për aq kohë sa duhet për qëllimet ligjore të organizatës fetare.

  5. Do t’i jepet rëndësia e duhur respektit për të drejtat e subjekteve të të dhënave.

  6. Për të parandaluar kalimin e paautorizuar ose të paligjshëm të të dhënave personale, do të merren masat e duhura teknike dhe organizative. Të gjitha të dhënat personale që mbahen në kompjuter, ruhen me fjalëkalime që i dinë vetëm përdoruesit e autorizuar. Pas orarit të punës, zyrat mbyllen dhe në to mund të hyjnë vetëm personat e autorizuar.

  7. Të dhënat personale nuk do të transferohen nga dega në degë, me përjashtim të rasteve kur kjo është e nevojshme që të përmbushen qëllimet fetare dhe bamirëse të kësaj organizate fetare. Të gjithë Dëshmitarët e Jehovait kanë rënë dakord me këtë procedurë me vullnet të lirë e të plotë, duke u bërë dhe duke u identifikuar si Dëshmitarë të Jehovait.

Të dhënat personale që renditen te libri Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, të cilin mund ta marrin të gjithë ata që bëhen lajmëtarë, përdoren sipas këtyre parimeve për mbrojtjen e të dhënave. Për më shumë informacion, shih librin Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait.

Të drejtat e individit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe të të dhënave personale sensitive, si dhe korrigjimi ose fshirja e të dhënave personale dhe e të dhënave personale sensitive garantohen nga praktika që ndjekin Dëshmitarët e Jehovait siç tregohet te Politika globale për përdorimin e të dhënave personale poshtë nëntitullit Të drejtat e tua.

Politika globale për mbrojtjen e të dhënave e Dëshmitarëve të Jehovait tregon bazat mbi të cilat administrojnë të dhënat personale Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën.