A është Zoti kudo ose i kudondodhur?
Përgjigjja e Biblës
Zoti mund të shohë çdo gjë dhe të veprojë kudo që ai zgjedh. (Proverbat 15:3; Hebrenjve 4:13) Megjithatë, Bibla nuk mëson se Perëndia është i kudondodhur, domethënë, i pranishëm kudo dhe në çdo gjë. Përkundrazi, tregon se ai është person dhe ka një vend ku jeton.
Ç’formë ka Zoti? Zoti është frymë. (Gjoni 4:24) Ai është i padukshëm për sytë njerëzorë. (Gjoni 1:18) Në vegimet që përshkruan Bibla për Perëndinë, ai paraqitet vazhdimisht në një vend të caktuar. Ama, kurrë nuk thuhet se gjendet gjithandej.—Isaia 6:1, 2; Zbulesa 4:2, 3, 8.
Ku banon Zoti? Zoti banon në qiejt e padukshëm, vend që është ndryshe nga krijimi fizik. Në ta ndodhet ‘banesa e tij qiellore’. (1 Mbretërve 8:30, Bibla ECM) Bibla përmend një rast kur krijesat frymore «hynë e u paraqitën para Jehovait», a dhe kjo tregon se, në njëfarë kuptimi, Zoti banon në një vend specifik.—Jobi 1:6.
Nëse Zoti nuk është i kudondodhur, a mund të kujdeset vërtet për mua?
Po. Perëndia merakoset thellësisht për individët. Edhe pse jeton në qiell, ai i vëren njerëzit që duan vërtet t’i pëlqejnë dhe vepron për të mirën e tyre. (1 Mbretërve 8:39; 2 Kronikave 16:9) Shqyrto si e shfaq Jehovai merakun për adhuruesit e sinqertë:
Kur lutesh: Jehovai mund të të dëgjojë pikërisht kur lutesh.—2 Kronikave 18:31.
Kur ndihesh përtokë: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»—Psalmi 34:18.
Kur ke nevojë për drejtim: Jehovai ‘do të të japë gjykim të thellë dhe do të të mësojë’ nëpërmjet Fjalës së tij, Biblës.—Psalmi 32:8.
Ide të gabuara për kudondodhjen
Ide e gabuar: Zoti është i pranishëm kudo në krijim.
Fakt: Zoti nuk banon as në tokë, as në ndonjë vend tjetër në universin fizik. (1 Mbretërve 8:27) Është e vërtetë se yjet dhe veprat e tjera krijuese «shpallin lavdinë e Perëndisë». (Psalmi 19:1) Megjithatë, Zoti nuk banon brenda krijimit të vet, ashtu si një artist nuk jeton brenda pikturës së tij. Prapëseprapë, një pikturë mund të na tregojë diçka për artistin që e ka bërë. Po njësoj, bota e dukshme flet për «cilësitë . . . e padukshme» të Krijuesit, si fuqia, mençuria e dashuria.—Romakëve 1:20.
Ide e gabuar: Zoti duhet të jetë i kudondodhur që t’i dijë të gjitha gjërat dhe të jetë i gjithëpushtetshëm.
Fakt: Fryma e shenjtë e Perëndisë, ose forca aktive, është fuqia e Perëndisë në veprim. Me anë të frymës së tij të shenjtë, Zoti mund të kuptojë e të bëjë çdo gjë, kudo, kurdo, pa qenë i pranishëm.—Psalmi 139:7.
Ide e gabuar: Psalmi 139:8 mëson se Zoti është i kudondodhur: «Sikur të ngjitesha në qiell, ti do të ishe atje. Sikur ta vija shtratin në Sheol (ose varr), edhe atje do të ishe.»
Fakt: Ky shkrim nuk flet për vendndodhjen e Perëndisë. Me gjuhë poetike mëson se nuk ka vend që të jetë aq i largët për Zotin, sa të mos veprojë dot për të mirën tonë.
a Jehova është emri i Zotit siç tregohet në Bibël.