Frika nga vdekja—Si ta kapërcesh?
Përgjigjja e Biblës
Me të drejtë kemi frikë nga vdekja si të ishte një armik dhe marrim masa të arsyeshme për ta mbrojtur jetën. (1 Korintasve 15:26) Megjithatë, frika e paarsyeshme nga vdekja e bazuar në gënjeshtra ose bestytni, i bën njerëzit ‘t’i nënshtrohen skllavërisë gjatë gjithë jetës së tyre’. (Hebrenjve 2:15) Njohuria për të vërtetën do të të çlirojë nga frika e sëmurë nga vdekja, pasi kjo frikë nuk të lë ta gëzosh jetën.—Gjoni 8:32.
E vërteta për vdekjen
Të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm. (Psalmi 146:4) S’ke pse t’i frikësohesh dhembjes dhe mundimit pas vdekjes, sepse Bibla e krahason vdekjen me gjumin.—Psalmi 13:3; Gjoni 11:11-14.
Të vdekurit nuk mund të na bëjnë keq. Edhe ish-armiqtë e dhunshëm ‘vdekja i bën të pafuqishëm’. (Proverbat 21:16) Bibla thotë se «urrejtja dhe xhelozia e tyre tashmë kanë marrë fund».—Eklisiastiu 9:6.
Vdekja nuk është medoemos fundi i përhershëm i ekzistencës sonë. Me anë të ringjalljes, Perëndia do të risjellë në jetë ata që kanë vdekur.—Gjoni 5:28, 29; Veprat 24:15.
Perëndia premton se do të vijë një kohë kur «nuk do të ketë më vdekje». (Zbulesa 21:4) Bibla thotë se në ato ditë «të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë përgjithmonë në të», pa pasur aspak frikë nga vdekja.—Psalmi 37:29.