Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si të kesh më shumë durim?

Si të kesh më shumë durim?

 «Në martesë, durimi vihet në provë çdo ditë. Kur je beqar, mbase të duket se kjo cilësi s’të hyn shumë në punë, ama është thelbësore për një martesë të suksesshme.»—Xhoni.

 Pse është i domosdoshëm durimi?

  •   Martesa mund të nxjerrë në pah të metat e bashkëshortit.

     «Kur martesa të mos jetë më një risi, është e lehtë të përqendrohesh te të metat e bashkëshortit. Nëse bluan mendime të tilla, do ta humbasësh kollaj durimin.»—Xhesina.

  •   Kur nuk ke durim, mund të flasësh pa u menduar.

     «Zakonisht flas pa doganë. Po të isha më e duruar, mund t’i shikoja gjërat nga këndvështrimi i duhur e të mos flisja në çdo rast.»—Karmeni.

     Bibla thotë: «Dashuria është e duruar dhe plot mirësi.» (1 Korintasve 13:4, nwt) Pritet që dy persona që duhen, të tregohen të durueshëm me njëri-tjetrin. Por nuk ndodh gjithmonë kështu. Xhoni i përmendur më sipër, thotë: «Si çdo cilësi e mirë, është më e lehtë ta humbasësh durimin sesa ta zhvillosh. Kërkohet punë që të jesh i duruar.»

 Si të tregosh durim?

  •   Kur një situatë e momentit vë në provë durimin.

     Shembull: Bashkëshorti thotë diçka të pakëndshme dhe të vjen t’ia kthesh me të njëjtën monedhë.

     Parim nga Bibla: «Mos u fyej shpejt, sepse fyerja është tipike për të marrët.»—Eklisiastiu 7:9, nwt, shënimi.

     Si të tregosh durim: Ndalu pak. Para se të reagosh, sill ndër mend që bashkëshorti s’kishte për qëllim të të lëndonte. Libri Fighting for Your Marriage thotë: «Shumica prej nesh reagojmë më tepër bazuar në hamendësimet tona, sesa në atë që donte të thoshte bashkëshorti.»

     Edhe nëse bashkëshorti të provokon me dashje, mund ta qetësosh situatën duke treguar durim e duke mos ia kthyer po njësoj. Bibla thotë: «Ku s’ka dru, zjarri shuhet.»—Proverbat 26:20.

     «Kur të duket se gruaja po të kthehet kundër, ndalo dhe mendo për arsyet pse e do, pastaj bëj diçka të bukur për të.»—Ithani.

     Për të menduar:

    •  Si reagon kur bashkëshorti thotë ose bën diçka të pakëndshme?

    •  Si mund të tregosh me tepër durim kur të ndodhë prapë?

  •   Kur një situatë e përsëritur vë në provë durimin.

     Shembull: Bashkëshorti është gjithmonë me vonesë dhe kjo të ngre nervat.

     Parim nga Bibla: «Vazhdoni të duroni dhe të falni bujarisht njëri-tjetrin.»—Kolosianëve 3:13.

     Si të tregosh durim: Përpiqu të mendosh më shumë për martesën sesa për veten. Pyet veten: «Po të debatoj për këtë, do ta ndihmoja martesën apo do ta dëmtoja?» Gjithashtu mos harro se «të gjithë ne gabojmë shumë herë». (Jakovi 3:2, nwt) Kjo do të thotë se edhe ti duhet të punosh me veten.

     «Me raste tregoj më shumë durim me ndonjë mike sesa me tim shoq. Mendoj se kjo ndodh ngaqë rri më tepër me të dhe shoh të metat e tij. Kur jam e duruar, tregoj se e dua dhe se e respektoj. Ndaj durimi është thelbësor për martesën time.»—Nia.

     Për të menduar:

    •  A ke durim me të metat e bashkëshortit?

    •  Si mund të tregosh edhe më tepër durim?