Kalo te përmbajtja

Reliev i lashtë egjiptian që vërteton një ngjarje të Biblës

Reliev i lashtë egjiptian që vërteton një ngjarje të Biblës

Ky reliev me hieroglife, 8 m i lartë, gjendet pranë njërës hyrje të tempullit të lashtë egjiptian të perëndisë Amun, në Karnaki. Sipas studiuesve, relievi paraqet pushtimet e faraonit Shishak në territoret që ndodheshin në verilindje të Egjiptit, ku përfshihen Juda dhe mbretëria veriore e Izraelit.

Relievi i Karnakisë; pamja e zmadhuar paraqet robërit

Në reliev paraqitet Amuni që i çon 150 robër Shishakut ose Sheshonkut. * Secili rob përfaqëson një nga qytetet ose popujt e pushtuar. Emrat e qyteteve janë mbishkrime në formë ovale mbi trupat e robërve. Një pjesë e emrave janë ende të lexueshme dhe disa emra janë të njohur për lexuesit e Biblës. Këtu përfshihen Beth-Sheani, Gibeoni, Megidoja dhe Shunemi.

Bibla e përmend pushtimin e Judës nga Egjipti. (1 Mbretërve 14:25, 26) Në fakt ajo jep detaje specifike rreth pushtimit të Judës nga Shishaku. Në Bibël thuhet: «Vitin e pestë të mbretërimit të Rehoboamit, Shishaku, mbreti i Egjiptit, doli kundër Jerusalemit . . . me një mijë e dyqind karroca dhe gjashtëdhjetë mijë kalorës. Populli që erdhi me të nga Egjipti ishte i panumërt. . . . Ai mori qytetet e fortifikuara që i përkitnin Judës dhe në fund arriti deri në Jerusalem.»​—2 Kronikave 12:2-4

Relievi i Karnakisë nuk është e vetmja dëshmi arkeologjike e fushatës së pushtimit që bëri Shishaku në territorin e Izraelit. Edhe një fragment nga një monument guri, ose stelë, e gjendur në sitin arkeologjik të qytetit të Megidos (i përmendur në Bibël), mban të gdhendur emrin «Sheshonk».

Dokumentimi i saktë i Biblës rreth pushtimit të Judës nga Shishaku, flet për besueshmërinë e shkrimtarëve të saj. Me saktësi, kanë dokumentuar jo vetëm fitoret, por edhe disfatat e kombit të tyre. Një ndershmëri e tillë s’para gjendet ndër shkrimtarët e lashtësisë.

^ par. 3 Drejtshkrimi që hasim në Bibël i emrit «Shishak», pasqyron shqiptimin hebraik të emrit.