Kalo te përmbajtja

Regjistrimet e lashta vërtetojnë vendndodhjen e një fisi izraelit

Bibla thotë se kur izraelitët pushtuan Tokën e Premtuar dhe e ndanë midis fiseve, 10 familje të fisit të Manaseut morën territore në perëndim të Jordanit, ndryshe nga pjesa tjetër e fisit. (Josiu 17:1-6) A ka dëshmi arkeologjike që e mbështetin këtë?

Në vitin 1910, në Samari u zbulua një koleksion me copëza qeramike me mbishkrime. Këto copëza, ose ostraka, përmbanin regjistrime në hebraisht për mallrat luksoze, si verë dhe vaj kozmetik, që dërgoheshin në pallatin mbretëror në Samari. * Gjithsej janë gjetur 102 ostraka, që datojnë nga shekulli i 8-të p.e.s., ku vetëm 63 janë plotësisht të lexueshme. Këto zbulojnë data dhe emra familjesh, si edhe identitetet e dërguesve dhe të marrësve të mallrave.

Është interesante se të gjitha familjet që identifikohen në ostrakat e Samarisë, i përkasin fisit të Manaseut. Sipas NIV Archaeological Study Bible, kjo dëshmi që nuk bazohet në Bibël, vërteton se familjet e fisit të Manaseut jetonin në territoret që përmend Bibla.

Ky mbishkrim identifikon një grua me emrin Noa, që ishte pasardhëse e Manaseut

Gjithashtu, ostrakat vërtetojnë saktësinë e fjalëve të Amosit, shkrimtar i Biblës, që foli për të pasurit në atë kohë. Ai tha: «Pini verë në kupa të mëdha, miroseni me vajrat më të zgjedhura.» (Amosi 6:1, 6) Ostrakat e Samarisë dëshmojnë se këto mallra u importuan vërtet në territoret ku banonin 10 familjet e fisit të Manaseut.

^ par. 3 Në kohët e lashta, Samaria ishte kryeqyteti i mbretërisë veriore dhjetëfisëshe të Izraelit.