Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si ta stërvit ndërgjegjen?

Me çfarë mund ta krahasosh ndërgjegjen tënde? Me:

  • një hartë

  • një pasqyrë

  • një shok

  • një gjykatës

Përgjigjja e saktë është me të gjitha. Ky artikull do të na shpjegojë pse.

 Çfarë është ndërgjegjja?

Ndërgjegjja është një ndjenjë e brendshme për të drejtën dhe të gabuarën. Bibla thotë se është «si një ligj i shkruar në zemrën e njeriut». (Romakëve 2:15, Contemporary English Version) Një ndërgjegje e mirë të ndihmon të analizosh vendimet që ke marrë dhe që do të marrësh.

  • Ndërgjegjja është si hartë. Të orienton në drejtimin e duhur që të shmangësh problemet.

  • Ndërgjegjja është si pasqyrë. Pasqyron moralin tënd dhe tregon çfarë njeriu je.

  • Ndërgjegjja është si shok i mirë. Të jep këshilla të dobishme dhe, po t’ia vësh veshin, të ndihmon të kesh sukses.

  • Ndërgjegjja është si gjykatës. Të tregon kur bën gabime.

Një ndërgjegje e mirë të ndihmon të marrësh vendime të mençura

Përfundimi: Ndërgjegjja është jetësore (1) që të marrësh vendime të mençura dhe (2) që të korrigjosh gabimet.

 Pse ta stërvitësh ndërgjegjen?

Bibla na inkurajon që ‘të mbajmë një ndërgjegje të mirë’. (1 Pjetrit 3:16) Po si mund të mbash një ndërgjegje të mirë nëse s’e ke stërvitur?

«Kur dilja, nuk u tregoja prindërve ku isha ose i gënjeja. Në fillim më vriste ndërgjegjja, po pastaj s’më dukej ndonjë gjë e madhe.»—Xheniferi.

Me kalimin e kohës, ndërgjegjja e nxiti Xheniferin t’u thoshte të vërtetën prindërve dhe të mos i gënjente më.

Për të menduar: ç’moment e sinjalizoi ndërgjegjja Xheniferin?

«Të bësh një jetë të dyfishtë është e vështirë dhe stresuese. Një herë që ndërgjegjja të lejon të marrësh një vendim të gabuar është e lehtë ta bësh rrugë.»—Methju.

Disa të tjerë e shpërfillin plotësisht ndërgjegjen. Bibla thotë se ata kanë ‘humbur çdo ndjesi morale’. (Efesianëve 4:19) Ose sipas Good News Translation: «S’kanë fare ndjenja turpi.»

Për të menduar: A jetojnë vërtet më mirë ata që nuk ndihen fajtorë për gabimet e tyre? Çfarë problemesh do të kenë herët a vonë?

Përfundimi: Që të mbash një ndërgjegje të mirë, duhet ‘t’i stërvitësh aftësitë dalluese, që të dallosh si të drejtën, edhe të gabuarën’.—Hebrenjve 5:14.

 Si ta stërvitësh ndërgjegjen?

Që të stërvitësh ndërgjegjen, veprimet duhet t’i krahasosh me një standard të caktuar. Disa ndjekin standardin e vendosur nga:

  • familja dhe kultura

  • moshatarët

  • njerëzit e famshëm

Por, standardet që gjenden në Bibël, janë superiore. Dhe s’habitemi, pasi Bibla është ‘e frymëzuar nga Perëndia’, i cili na krijoi dhe e di ç’është më e mirë për ne.—2 Timoteut 3:16.

Shiko disa shembuj.

STANDARDI: «Duam të sillemi me ndershmëri në çdo gjë.»—Hebrenjve 13:18.

  • Si mund të ndikojë në ndërgjegjen tënde ky standard kur tundohesh të kopjosh, të gënjesh prindërit ose të vjedhësh?

  • Nëse ndërgjegjja të nxit të jesh i ndershëm në çdo gjë, si mund të nxjerrësh dobi tani dhe në të ardhmen?

STANDARDI: «Ikni nga imoraliteti seksual!»—1 Korintasve 6:18.

  •  Si mund të ndikojë në ndërgjegjen tënde ky standard kur tundohesh të shikosh pornografi ose të kryesh seks para martesës?

  • Nëse ndërgjegjja të nxit të ikësh nga imoraliteti seksual, si mund të nxjerrësh dobi tani dhe në të ardhmen?

STANDARDI: «Jini zemërmirë me njëri-tjetrin, zemërdhembshur, duke e falur bujarisht njëri-tjetrin.»—Efesianëve 4:32.

  •  Si mund të ndikojë te ti ky standard kur të lindin mosmarrëveshje me vëllanë a motrën ose me një shok?

  • Nëse ndërgjegjja të nxit të falësh dhe të jesh i mirë, si mund të nxjerrësh dobi tani dhe në të ardhmen?

STANDARDI: ‘Jehovai urren atë që do dhunën.’—Psalmi 11:5.

  •  Si mund të ndikojë te ti ky standard kur zgjedh filmat, programet televizive dhe videolojërat?

  • Nëse ndërgjegjja të nxit të hedhësh poshtë zbavitjet e dhunshme, si mund të nxjerrësh dobi tani dhe në të ardhmen?

HISTORI REALE: «Disa nga shokët e mi luajnë me videolojëra të dhunshme. Në fakt, edhe unë kam luajtur me to. Pastaj, babi më tha të mos zbavitesha më me lojëra të tilla. Ndaj luaja vetëm kur shkoja te shokët. Kur kthehesha në shtëpi, nuk tregoja asgjë. Babi më pyeste nëse isha OK, por unë bëja sikur s’kishte ndodhur gjë. Mirëpo, një ditë lexova Psalmin 11:5 dhe u ndjeva keq për mënyrën si po veproja. E kuptova që nuk duhej të zbavitesha më me videolojëra të tilla dhe hoqa dorë. Njësoj veproi edhe një shok kur i thashë se s’do të luaja më me këto videolojëra.»—Xheremi.

Për të menduar: Në ç’pikë filloi t’i punonte ndërgjegjja Xheremit dhe kur filloi t’ia vinte veshin? Çfarë mëson nga historia e Xheremit?

Përfundimi: Ndërgjegjja pasqyron llojin e personit që je dhe vlerat e tua. Çfarë tregon ndërgjegjja jote për ty?