Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si të zgjedh një shembull të mirë për ta imituar?

Si të zgjedh një shembull të mirë për ta imituar?

«Ajo që më ndihmonte kur hasja probleme në shkollë, ishte të mendoja për dikë që e vlerësoja shumë dhe që e kishte përjetuar vetë diçka të ngjashme. Më pas përpiqesha ta imitoja. Kur kisha një shembull për të imituar, i kapërceja më lehtë situatat e vështira.»—Hejli.

Kur ke një model për të imituar, mund të shmangësh problemet dhe t’i arrish synimet. Çelësi është të zgjedhësh një shembull të mirë.

 Pse të zgjedhësh me kujdes?

  • Ata që zgjedh për të imituar, do të ndikojnë te veprimet e tua.

    Bibla i nxit të krishterët t’u kushtojnë vëmendje atyre që janë shembullorë: «Ndërsa shqyrtoni me kujdes rezultatin e sjelljes së tyre, imitoni besimin e tyre.»—Hebrenjve 13:7.

    Këshillë: Meqë personat që zgjedh për të imituar do të ndikojnë o për mirë, o për keq, atëherë zgjidh ata që kanë vërtet cilësi të lavdërueshme, jo thjesht ata që gëzojnë popullaritet ose bashkëmoshatarët.

    «Mësova shumë gjëra nga një i krishterë tjetër me emrin Adam, si nga qëndrimi, edhe nga mënyra si sillej. Është e habitshme si i mbaj mend ende ca fjalë dhe veprime specifike të tij. Ai nuk e ka idenë sa ka ndikuar tek unë.»—Kolini.

  • Shembujt që zgjedh, do të ndikojnë te mendimet dhe te ndjenjat e tua.

    Bibla pohon: «Mos u mashtroni! Shoqëritë e këqija prishin zakonet e dobishme.»​—1 Korintasve 15:33.

    Këshillë: Zgjidh dikë me cilësi të mira, jo thjesht se është simpatik. Në të kundërt mund të zhgënjehesh.

    «Kur e krahason veten vazhdimisht me persona plot sharm, të duket vetja e parëndësishme dhe e shëmtuar. Pastaj të bëhet fiksim pamja e jashtme.»​—Tamara.

    Për të menduar: Në cilat gracka mund të biesh nëse zgjedh si shembuj personat e famshëm dhe sportistët?

  • Shembujt që zgjedh, ndikojnë tek arritja e synimeve.

    Bibla thotë: «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur.»​—Proverbat 13:20.

    Këshillë: Zgjidh si shembuj ata që pasqyrojnë cilësitë e mira që dëshiron të shfaqësh. Teksa i vëzhgon, mund të mësosh në mënyrë specifike si ta arrish synimin tënd.

    «Në vend që të vësh një synim të mjegullt, si ‘dua të jem më e përgjegjshme’, mund të thuash ‘dua të jem më e përgjegjshme, si Xhejni. Ajo është gjithnjë e përpiktë dhe i merr seriozisht caktimet e saj’.»​—Miriami.

    Përfundimi: Kur zgjedh një shembull të mirë për të imituar, e ke ti në dorë çfarë njeriu do të bëhesh.

Mund t’i arrish më kollaj synimet po të imitosh një shembull të mirë

 Si të zgjedhësh?

Mund të zgjedhësh një shembull për të imituar në një nga këto mënyra.

  1. Mendo për një cilësi që dëshiron ta zhvillosh, më pas zgjidh dikë që e vlerëson shumë dhe që e ka këtë cilësi.

  2. Mund të zgjedhësh dikë që e vlerëson shumë, më pas një cilësi të tij, të cilën dëshiron ta zhvillosh.

Fleta e punës e këtij artikulli mund të të ndihmojë për këtë.

Ndër shembujt për t’u imituar, mund të jenë:

  • Bashkëmoshatarët: «Dua t’i ngjaj shoqes sime të ngushtë. Ajo gjen gjithnjë kohë të interesohet për të tjerët. Edhe pse është më e vogël se unë, tek ajo shoh cilësi të bukura që s’i kam dhe kjo më nxit ta imitoj.»​—Miriami.

  • Të rriturit. Këtu mund të përfshihen prindërit ose bashkëbesimtarët. «Pa dyshim, prindërit e mi janë shembuj për mua. Të dy kanë cilësi të mrekullueshme. I shoh të metat e tyre por shoh edhe se i qëndrojnë besnikë Perëndisë. Kur të jem në moshën e tyre, shpresoj të thuhen të njëjtat fjalë edhe për mua.»​—Aneta.

  • Personazhet e Biblës: «Kam zgjedhur disa shembuj nga Bibla​—Timoteun, Ruthën, Jobin, Pjetrin dhe vajzën e vogël izraelite—​secilin për arsye të ndryshme. Sa më shumë mësoj për këto personazhe biblike, aq më reale bëhen. Jam kënaqur duke studiuar tregimet te libri Imitoni besimin e tyre, si edhe pjesën “Treguesi i ‘Ja një model’” te dy vëllimet e Të rinjtë pyesin . . . Përgjigje praktike.»​—Melinda.

Këshillë: Mos u mjafto me një shembull të vetëm për ta imituar. Apostulli Pavël u tha të bashkëkrishterëve: «Mbajini sytë tek ata që ecin në përputhje me shembullin që lamë ne.»​—Filipianëve 3:17.

A e dini? Edhe ti mund të bëhesh shembulli i dikujt. Bibla thotë: «Bëhu shembull për të besueshmit në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi.»​—1 Timoteut 4:12.

«Edhe pse mbase po punon që t’i përmirësosh disa cilësi, në të njëjtën kohë mund të ndihmosh edhe të tjerë të bëjnë po njësoj. Kurrë nuk mund ta dish kush po të vëzhgon. Po ashtu, asnjëherë nuk i dihet si mund t’ia ndryshosh jetën dikujt me atë çka thua.»​—Kiana.