Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

A rimëkëmbem kollaj?

A rimëkëmbesh kollaj?

  • Të ka vdekur ndonjë njeri i dashur?

  • Ke vuajtur nga ndonjë sëmundje kronike?

  • Je prekur nga ndonjë katastrofë natyrore?

Studiuesit thonë se nuk janë vetëm vështirësitë e mëdha që kërkojnë forcë të brendshme për t’i përballuar. Në fakt, te shëndeti yt mund të ndikojë për keq edhe stresi nga gjërat e përditshme. Ndaj është e rëndësishme të mësosh të rimëkëmbesh, pavarësisht sa serioze mund të jenë problemet e tua.

 Çfarë do të thotë të rimëkëmbesh?

Do të thotë të përshtatesh me ndryshimet në jetë dhe të kapërcesh me sukses vështirësitë. S’diskutohet që askush nuk është i imunizuar nga problemet. Gjithsesi, ata që nuk dorëzohen përballë vështirësive, bëhen më të fortë, pavarësisht se sa janë lënduar.

Si një pemë që drejtohet përsëri pas një stuhie, edhe ti mund ta marrësh veten pas vështirësive

 Pse ke nevojë të rimëkëmbesh?

  • Sepse problemet janë të pashmangshme. Bibla thotë: «Garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët, . . . as të diturit nuk kanë gjithmonë sukses, sepse kohët e vështira dhe ngjarjet e papritura i zënë befas të gjithë.» (Eklisiastiu 9:11, nwt) Ç’mësojmë nga kjo? Edhe njerëzit e mirë vuajnë, shpesh jo për faj të tyre.

  • Sepse është mbrojtje. Një psikolog në një shkollë të mesme shprehet: «Sa e sa herë më kanë ardhur në zyrë nxënës të mërzitur, madje gati duke qarë, ngaqë kanë marrë një notë të dobët ose ngaqë mund t’i kenë ofenduar në rrjetet sociale.» Ai thotë se nëse të rinjtë nuk përballojnë dot probleme kaq të vogla, ka gjasa që kjo t’u shkaktojë «ndonjë çrregullim mendor dhe emocional». *

  • Sepse do të të vlejë tani dhe kur të rritesh. Duke folur për zhgënjimet në jetë, dr. Riçard Lërneri shkroi: «Që të jesh i rritur i suksesshëm dhe i dobishëm, s’duhet të dorëzohesh kur zhgënjehesh. Por duhet të vësh synime të reja ose të gjesh mënyra të tjera për të arritur objektivin tënd.» *

 Si të rimëkëmbesh?

  • Shihe problemin siç duhet. Mëso të dallosh problemet e mëdha nga të voglat. Bibla thotë: «I marri e tregon menjëherë acarimin, por mendjemprehti e anashkalon fyerjen.» (Proverbat 12:16, nwt) Mos lejo që problemet e vogla të të zënë frymën.

    «Në shkollë, shokët e shoqet ankohen për gjëra koti, sikur çfarë ka ndodhur. Dhe, kur shokët u mbështetin mendimin në rrjetet sociale, veçse i hedhin benzinë zjarrit. Për pasojë ekzagjerojnë çdo problem që kanë.»—Xhoana.

  • Mëso nga të tjerët. Një proverb nga Bibla pohon: «Hekuri mpreh hekurin. Kështu edhe një njeri mpreh fytyrën e një tjetri.» (Proverbat 27:17) Mund të mësojmë shumë nga ata që kanë kapërcyer vështirësi.

    «Duke biseduar me të tjerët, kupton që kanë kaluar plot halle, por që tani janë OK. Mund të flasësh me ta dhe t’i pyesësh si i kanë përballuar.»—Xhulia.

  • Ji i duruar. Bibla thotë: «Sepse i drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.» (Proverbat 24:16) Duhet kohë për të pranuar se jeta nuk shkon vaj, ndaj mos u habit kur të kesh ditë të këqija. Rëndësi ka ‘të ngrihesh’ përsëri.

    «Kur përpiqesh të marrësh veten pas një vështirësie, ke nevojë edhe për ca kohë që të rifitosh ekuilibrin emocional. Kam mësuar se me kalimin e kohës ndihesh më mirë.»—Andrea.

  • Ji mirënjohës. Bibla thotë: «Tregohuni mirënjohës.» (Kolosianëve 3:15) Pavarësisht sa serioze është situata, gjithmonë ka gjëra për të cilat mund të jesh mirënjohës. Mendo për 3 gjëra për të cilat ia vlen të jetosh.

    «Kur has vështirësi, është shumë e lehtë t’i thuash vetes: ‘Pse mua?’ Në vend që të mbash mendjen te problemet, bëj çmos të jesh pozitiv dhe mirënjohës për atë që ke ose që mund të bësh.»—Samanta.

  • Ji i kënaqur. Apostulli Pavël tha: «Kam mësuar që në çfarëdo rrethane, të kënaqem me aq sa kam.» (Filipianëve 4:11) Pavli s’i kishte në dorë vështirësitë që haste. Ama kishte në dorë reagimin e tij. Ai ishte i vendosur ta ruante gëzimin.

    «Kam kuptuar se reagimi im i parë ndaj një problemi nuk është gjithmonë më i miri. Prandaj dua të jem pozitiv në çdo situatë. Kjo më bën mirë mua dhe të tjerëve.»—Mateo.

  • Lutu. Bibla thotë: «Hidhja barrën tënde Jehovait, dhe ai do të të mbështetë. Ai s’do të lejojë kurrë që i drejti të bjerë.» (Psalmi 55:22, nwt) Lutja nuk është thjesht qetësim për mendjen. Me anë të saj komunikon vërtet me Krijuesin, i cili ‘interesohet për ty’.—1 Pjetrit 5:7.

    «Nuk kam pse të luftoj i vetëm. Kur flas hapur me Jehovain për problemet dhe e falënderoj për bekimet, mund të mposht ndjenjat negative e të përqendrohem te të mirat që më ka dhënë. Për mua, lutja ka shumë rëndësi.»—Karlosi.

^ par. 16 Nga libri Disconnected, nga Tomas Kërsting.

^ par. 17 Nga libri The Good Teen—Rescuing Adolescence From the Myths of the Storm and Stress Years.