Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si të mësoj të përqendrohem?

Si të mësoj të përqendrohem?

 Si të mësoj të përqendrohem?

«Më përpara lexoja shumë libra. Tani nuk kam qejf të lexoj as edhe një paragraf të gjatë.»—Ilejna.

«Nëse një video më duket sikur po ecën ngadalë, e përshpejtoj.»—Miranda.

«Nëse jam e përqendruar te diçka e rëndësishme dhe papritur më vjen një mesazh, më rri mendja gjithë kohës atje, të di kush po më shkruan.»—Xhejni.

A e bën të vështirë përqendrimin teknologjia? Disa thonë se po. «Sa më shumë e përdorim Internetin, aq më shumë e stërvitim trurin që të jetë i shpërqendruar: të procesojë mjaft shpejt dhe me efikasitet informacionin, por pa u përqendruar tek ai»,—shkruan Nikolas Kerri, shkrimtar dhe këshillues biznesi. *

Të shohim tri rrethana ku teknologjia mund të ndikojë te përqendrimi yt.

  • Kur dialogon. Një vajzë që quhet Maria, thotë: «Edhe kur bisedojnë me dikë që e kanë përballë, njerëzit shkruajnë mesazhe, luajnë në celuar ose kontrollojnë mediat sociale. Nuk e kanë gjithë vëmendjen te personi me të cilin po flasin.»

  • Kur je në mësim. Libri Digital Kids thotë: «Shumica e nxënësve thonë se përdorin pajisjet elektronike gjatë orës së mësimit që të dërgojnë mesazhe, të bëjnë kërkime në Internet ose për gjëra që s’kanë lidhje me mësimin.»

  • Kur studion. Krisi 22-vjeçar thotë: «S’rri dot pa e parë telefonin sa herë që vibron.» Nëse shpërqendrohesh kollaj nga pajisjet elektronike, detyrat e shtëpisë që mund t’i bëje për një orë, të marrin tri a më shumë orë.

Përfundimi: Vështirë të përqendrohesh, nëse e lejon teknologjinë të të shpërqendrojë dhe të të kontrollojë.

Një mendje e shpërqendruar është si një kalë i egër—ajo të kontrollon ty

 Si ta përmirësoj përqendrimin?

  • Kur dialogon. Bibla thotë: «Mos [kërkoni] vetëm interesat tuaja, por edhe të të tjerëve.» (Filipianëve 2:4) Trego konsideratë për të tjerët duke i dëgjuar me vëmendje. Shikoji në sy dhe mos lejo të shpërqendrohesh nga pajisjet elektronike.

    «Kur po dialogon, rezistoji tundimit për të kontrolluar celularin. Trego respekt për personin me të cilin po flet duke i dhënë gjithë vëmendjen tënde.»—Tomasi.

    SUGJERIM: Kur bisedon, mos e mbaj celularin para syve. Ekspertët thonë se vetëm fakti që e ke telefonin para syve mund të të ndikojë te përqendrimi; pa e kuptuar pret që diçka të të shpërqendrojë nga çasti në çast.

  • Kur je në mësim. Bibla thotë: «Kushtoni vëmendje si dëgjoni.» (Luka 8:18) Me këtë parim në mendje, nëse në shkollë lejohet Interneti në klasë, mos kontrollo mesazhet, mos luaj e mos çato, meqë është momenti të jesh i përqendruar në mësim.

    «Përpiqu të jesh më i vëmendshëm në mësim. Merr shënime. Nëse është e mundur, ulu në rreshtat e parë, që të kesh sa më pak shpërqendrime.»—Kerëni.

    SUGJERIM: Merr shënime në letër dhe jo në kompjuter. Studimet tregojnë se kështu shpërqendrohesh më pak dhe e kujton më kollaj çfarë ke mësuar.

  • Kur studion. Bibla thotë: «Fito mençuri, fito aftësi për të kuptuar.» (Proverbat 4:5) Kjo do të thotë të mendosh thellë për atë që po lexon, në vend që ta lexosh shpejt e shpejt sa për të kaluar testin.

    «Kur studioj, e vë tabletin në modalitet avioni dhe përqendrohem vetëm tek ajo që po bëj. Nuk kontrolloj për njoftime. Nëse më kujtohet diçka që duhet ta mbaj mend, e mbaj shënim.»—Krisi.

    SUGJERIM: Sigurohu që ambienti i studimit ta favorizojë përqendrimin. Mbaje të pastër dhe të rregullt.

^ par. 10 Fragment nga libri The Shallows—What the Internet Is Doing to Our Brains.