Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si t’i rezistoj presionit për të bërë seks?

Si t’i rezistoj presionit për të bërë seks?

«Kur isha në shkollë, nëse dikush thoshte se kishte bërë seks, edhe të tjerët donin të kishin të njëjtën eksperiencë. Në fund të fundit, askush nuk do që të jetë ndryshe nga të tjerët.»—Elejna, 21 vjeçe.

A je ndier ndonjëherë nën presion për të bërë seks, vetëm se duket sikur gjithë të tjerët bëjnë seks?

A je ndier ndonjëherë nën presion, ngaqë djali ose vajza që do, përpiqet të të shtyjë të bësh seks me të?

Nëse po, ky artikull mund të të ndihmojë t’i rezistosh presionit nga të tjerët ose dëshirave të tua dhe të marrësh vendime të mençura.

 Ide të gabuara dhe fakte

IDE E GABUAR: Të gjithë bëjnë seks, përveç meje.

FAKT: Sipas një sondazhi, dy në tre 18-vjeçarë thonë se tashmë kanë bërë seks. Por, kjo do të thotë se shumë të rinj, domethënë mbi 30 për qind, nuk kanë bërë seks. Pra, nuk është e vërtetë se «të gjithë» bëjnë seks.

IDE E GABUAR: Seksi do ta forcojë lidhjen tonë.

FAKT: Edhe pse disa djem thonë kështu për ta bindur një vajzë që të kryejë marrëdhënie me të, faktet tregojnë të kundërtën. Shpesh, djali e lë vajzën pasi ka bërë seks me të. Kjo e trondit dhe e lëndon vajzën, sepse mendonte që ai kishte rënë në dashuri me të ose të paktën që kishte diçka serioze mes tyre. *

IDE E GABUAR: Bibla e ndalon seksin.

FAKT: Bibla e paraqet seksin si diçka pozitive, ama thotë se është dhuratë vetëm për një burrë dhe një grua që janë të martuar me njëri-tjetrin.—Zanafilla 1:28; 1 Korintasve 7:3.

IDE E GABUAR: Parimet e Biblës të kufizojnë dhe s’të lënë ta gëzosh jetën.

FAKT: Nëse pret derisa të martohesh për të bërë seks, do të jesh më i lumtur, sepse do të shmangësh shqetësimet, pishmanllëqet dhe pasiguritë që sjell zakonisht seksi para martesës.

Përfundimi: Askush nuk është lënduar vetëm se ka pritur martesën për të bërë seks. Kurse seksi para martese ka lënduar shumë veta.

 Si t’i rezistosh presionit për të bërë seks

  • Sigurohu se bindjet e tua për të drejtën dhe të gabuarën janë të forta. Bibla thotë se njerëzit e pjekur «kanë stërvitur aftësinë dalluese, që të dallojnë si të drejtën, edhe të gabuarën». (Hebrenjve 5:14) Ngaqë kanë bindje të forta, nuk dorëzohen kollaj para presionit të shoqërisë.

    «Përpiqem fort të bëj atë që është e drejtë dhe kam një reputacion të mirë. Prandaj kurrsesi nuk e fus veten në një situatë që do të ma dëmtonte këtë reputacion.»—Alisia, 16 vjeçe.

    Për të menduar: Çfarë reputacioni dëshiron të kesh? A ia vlen ta sakrifikosh vetëm për të pasur pëlqimin e dikujt?

  • Mendo për pasojat. Bibla thotë: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.» (Galatasve 6:7) Përfytyro të ardhmen dhe mendo si mund të ndryshojë jeta jote ose e personit tjetër nëse i dorëzoheni presionit për të bërë seks. *

    «Shpesh seksi para martesës sjell ndjenja faji, keqardhjeje e madje ndjesinë se nuk të duan, për të mos përmendur rrezikun e shtatzënisë së padëshiruar ose infektimin me sëmundje që transmetohen seksualisht.»—Siena, 16 vjeçe.

    Për të menduar: Libri Sex Smart bën këtë pyetje: «Nëse shokët të nxitin për gjëra që mund të të futin në telashe, a dëshiron vërtet të kalosh kohë me këta lloj njerëzish ose të dëgjosh këshillat e tyre për çështje të rëndësishme të jetës?»

  • Mbaj një pikëpamje të ekuilibruar. Seksi nuk është gjë e keqe. Në fakt, Bibla thotë se të martuarit duhet ta shijojnë këtë aspekt të lidhjes së tyre.—Proverbat 5:18, 19.

    «Seksi është diçka e bukur që Perëndia e ka krijuar për ne. Ama, Ai dëshiron që ta shijojmë vetëm në përputhje me standardin që ka caktuar, pra brenda martesës.»—Xheremi, 17 vjeç.

    Për të menduar: Nëse një ditë do të martohesh, do të kesh mundësi të bësh seks. Madje do ta shijosh plotësisht, pa pasojat negative që përmendëm më sipër.

^ par. 8 Sigurisht, nuk janë vetëm djemtë që u bëjnë presion vajzave të bëjnë seks. Në shumë raste, janë vajzat që u bëjnë presion.

^ par. 17 Ndër të tjera, pasojat përfshijnë shtatzëni të padëshiruara dhe, në varësi të moshës së dy personave të përfshirë, mund të vijnë edhe probleme ligjore për aktivitet seksual me një minoren.