Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si ta përballoj pubertetin?

Si ta përballoj pubertetin?

«Puberteti nuk është ndonjë qejf i madh për gocat. Ndien vetëm dhembje, je lëmsh dhe konfuze; nuk ka pothuajse asgjë të mirë.»​—Oksana.

«Në një moment je i gëzuar, momentin tjetër të mbyt trishtimi. Nuk e di nëse kjo u ndodh të gjithë çunave, ama mua po.»​—Brajani.

Puberteti mund të ngjajë me një xhiro në «malet ruse», emocionues dhe frikësues në të njëjtën kohë. Si t’i përballosh të përpjetat dhe të tatëpjetat e tij?

 Çfarë është puberteti?

E thënë thjesht, puberteti është faza e ndryshimeve të vrullshme fizike dhe emocionale drejt moshës së rritur. Gjatë kësaj faze trupi yt përjeton ndryshime të shpejta fizike dhe hormonale të cilat të përgatitin për riprodhimin dhe për lindjen e fëmijëve.

Jo, kjo s’do të thotë se je gati të bëhesh prind. Por, puberteti është shenjë se po e hedh pas krahëve fëmijërinë, fakt që mund të sjellë edhe ndjenjën e pritjes, edhe trishtimin.

Pyetësor: Në cilat nga moshat e mëposhtme mendon se është normale të fillojë puberteti?

  • 8

  • 9

  • 10

  • 11

  • 12

  • 13

  • 14

  • 15

  • 16

Përgjigjja: Të gjitha futen te mosha normale kur mund të fillojë puberteti.

Prandaj s’ka pse të shqetësohesh së tepërmi nëse je nga mesi i adoleshencës dhe ky proces nuk ka filluar ose nëse je më pak se 10 vjeç dhe ke hyrë në pubertet. Puberteti ka orën e vet biologjike që nuk varet aspak nga ti.

Ashtu si një xhiro në «malet ruse», puberteti mund të jetë emocionues dhe frikësues në të njëjtën kohë, por mund të mësosh t’i përballosh të përpjetat e të tatëpjetat e tij

 Ndryshimet fizike

Mbase ndryshimi më i dukshëm që sjell puberteti është rritja e menjëhershme. Problemi është se jo të gjitha pjesët e trupit rriten me të njëjtin ritëm. Kështu që mos u habit nëse je një çikë i ngathët me lëvizjet. Të jesh i sigurt se me kalimin e kohës gjërat do të normalizohen.

Puberteti sjell disa ndryshime fizike.

Puberteti te djemtë:

  • Zhvillimi i organeve seksuale

  • Rritja e qimeve pubike, të sqetullave dhe të fytyrës

  • Ndryshimi i zërit

  • Ereksionet e pavullnetshme dhe derdhja e spermës gjatë natës

Puberteti te vajzat:

  • Zhvillimi i gjoksit

  • Rritja e qimeve pubike dhe të sqetullave

  • Menarkeja (fillimi i menstruacioneve)

Puberteti te të dyja gjinitë:

  • Era e pakëndshme e trupit, që vjen nga kombinimi i djersës dhe i baktereve.

    Këshillë: Mund ta shmangësh erën e keqe të trupit, duke u larë shpesh dhe duke përdorur deodorant ose antidjersë.

  • Aknet e shkaktuara nga bakteret e ngelura në gjëndrat e yndyrës.

    Këshillë: Edhe pse nuk është e lehtë t’i kontrollosh aknet, larja e shpeshtë e fytyrës dhe përdorimi i pastruesve të lëkurës mund të të ndihmojnë.

 Ndryshimet emocionale

Shtimi i shpejtë i hormoneve që shkakton ndryshimet fizike gjatë pubertetit, mund të ndikojë fuqishëm tek emocionet e tua. Madje mund të përjetosh luhatje të mëdha humori.

«Një ditë të mbysin lotët, ditën tjetër je shkëlqyeshëm. Një moment je gjithë nerva, pas një minuti mbyllesh në dhomë e mërzitur.»​—Oksana.

Gjithashtu, gjatë pubertetit shumë të rinj ndihen jashtëzakonisht në siklet, sikur të gjithë i kanë sytë tek ata dhe i gjykojnë. Dhe fakti që pamja jote po ndryshon në mënyrë drastike s’të ndihmon fare.

«Ndërsa rritesha, rrija kastile e kërrusur dhe vishja bluza të gjera. Ndonëse e dija pse po më ndryshonte trupi, ndihesha shumë në siklet dhe aspak rehat. Ndihesha çuditshëm.»​—Xhanisa.

Ndoshta ndryshimi më i madh emocional do të jetë krijimi i një pikëpamjeje komplet të re për seksin tjetër.

«Nuk mendoja më se të gjithë çunat ishin të mërzitshëm. Tani disa më dukeshin tërheqës dhe, në fund të fundit, të dashurohesha nuk më dukej ide e keqe. Tema e ditës u bënë pëlqimet mes gocave e çunave.»​—Aleksa.

Gjatë pubertetit disa të rinj kuptojnë se i tërheqin persona të të njëjtit seks. Nëse të ndodh një gjë e tillë, mos nxirr përfundimin se je gej. Në shumë raste këto lloj ndjenjash zbehen me kalimin e kohës.

«Ngaqë e kisha fiksim të krahasohesha me çunat e tjerë, fillova t’i pëlqeja. Vetëm aty nga fundi i adoleshencës filluan të më tërhiqnin gocat. Tani ndjenjat homoseksuale i përkasin së kaluarës.»​—Alani.

 Çfarë mund të bësh

  •  Përpiqu të zhvillosh një qëndrim pozitiv. Në të vërtetë, puberteti është një ndryshim fizik dhe emocional i nevojshëm. Merr zemër nga fjalët e psalmistit David, i cili tha: «Jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë.»​—Psalmi 139:14.

  • Shmang krahasimet dhe rezistoji prirjes për t’u përqendruar te pamja e jashtme. Bibla thotë: «Njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.»​—1 Samuelit 16:7.

  • Bëj ushtrime fizike dhe pusho mjaftueshëm. Nëse fle mjaftueshëm, do të ndihesh më pak i acaruar, i stresuar dhe i mërzitur gjatë ditës.

  • Mos u mbyt nga mendimet negative për veten. A janë vërtet të gjithë duke të parë ty me imtësi? Edhe nëse njerëzit bëjnë komente për rritjen tënde, shihi gjërat nga këndvështrimi i duhur. Bibla thotë: «Mos ua vër veshin gjithë fjalëve që mund të thonë njerëzit.»​—Eklisiastiu 7:​21.

  • Mëso si t’i kontrollosh impulset seksuale para se ato të të kontrollojnë ty. Bibla na nxit të ikim nga imoraliteti, sepse ai që e praktikon, mëkaton kundër trupit të vet.​—1 Korintasve 6:18

  • Fol me një nga prindërit ose me një të rritur që i beson. Është e vërtetë, në fillim mund të jetë e sikletshme, por ia vlen sepse do të marrësh ndihmën që të duhet.​—Proverbat 17:17.

Përfundimi: Puberteti ka vështirësitë e veta. Gjithashtu është një mundësi e shkëlqyer që të rritesh jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht, emocionalisht e në besim.​—1 Samuelit 2:26.