Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si ta kapërcej ndrojtjen?

Si ta kapërcej ndrojtjen?

Lajmi i keq: Kur je i ndrojtur, mund të humbasësh shansin për të pasur miqësi dhe eksperienca të mrekullueshme.

Lajmi i mirë: Ndrojtja nuk është gjithnjë e keqe. Ajo mund të të ndihmojë të mendohesh para se të flasësh dhe mund të të bëjë vëzhgues e dëgjues më të mirë.

Lajmi akoma më i mirë: Ndrojtja nuk është tipar i pandryshueshëm. Mund të mbash nën kontroll efektet e saj negative. Ky artikull do të të ndihmojë si ta bësh këtë.

 Çfarë të frikëson

Ngaqë je i ndrojtur ndoshta të fut tmerrin edhe thjesht ideja se duhet të flasësh me dikë ballë për ballë. Prandaj mund të ndihesh i veçuar nga të tjerët, si të ishe krejt i vetëm në një dhomë të errët. Ama, nëse analizon çfarë të frikëson, mund të arrish në përfundimin se nuk ke vërtet arsye për t’u frikësuar. Shqyrto këto tre shembuj.

  • Frika nr. 1: «Nuk di për çfarë të flas.»

    Fakt: Njerëzit nuk mbajnë mend se çfarë u thua, por kujtojnë fare mirë si i bën të ndihen. Mund ta mbash nën kontroll frikën duke u bërë dëgjues më i mirë dhe duke u interesuar vërtet për mendimet e të tjerëve.

    Mendo pak: Po ti, ç’lloj shoku preferon, dikë që s’i pushon goja dhe ka gjithmonë diçka për të thënë apo dikë që di të dëgjojë?

  • Frika nr. 2: «Të tjerët do të mendojnë se jam i mërzitshëm.»

    Fakt: Të tjerët do të krijojnë një opinion për ty, je apo s’je i ndrojtur. Prandaj mund ta mbash nën kontroll frikën dhe t’i ndihmosh të krijojnë një opinion më të mirë për ty nëse i lejon të shohin atë që je vërtet.

    Mendo pak: Nëse sipas teje të gjithë të gjykojnë negativisht, mos ndoshta je ti ai që po i gjykon të tjerët padrejtësisht duke hamendësuar më të keqen për ta?

  • Frika nr. 3: «Do të turpërohem po të them ndonjë gjë të gabuar.»

    Fakt: Kjo i ndodh të gjithëve hera-herës. Por mund ta mbash nën kontroll frikën duke i konsideruar gafat si një mundësi për të treguar se nuk e merr veten tepër seriozisht.

    Mendo pak: A nuk ke qejf të rrish me njerëz që e pranojnë kollaj se nuk janë të përsosur?

A e di? Disa njerëz mendojnë se nuk janë të ndrojtur dhe se mund të zënë shumë miq vetëm ngaqë dërgojnë mesazhe pa fund. Por, miqësitë e vërteta formohen më lehtë kur bën muhabet ballë për ballë me të tjerët. Psikologia dhe ekspertja e teknologjisë Sheri Tërkëlli shkruan: «Ne krijojmë lidhje të vërteta me të tjerët kur u shohim fytyrën dhe u dëgjojmë zërin.» *

Kur mëson t’i mbash nën kontroll gjërat që të frikësojnë, do të kuptosh se bisedat ballë për ballë nuk janë edhe aq të frikshme sa ç’mendoje

 Ç’mund të bësh

  • Mos u krahaso me të tjerët. Nuk ka pse të bëhesh ekstrovert, pra, tip i hapur dhe i hedhur. Synimi yt mund të jetë thjesht të mbash ndrojtjen nën kontroll, që të mos e privosh veten nga miqësi dhe eksperienca të bukura.

    «Nuk është e thënë të bësh biseda të gjata dhe nuk ke pse të jesh ti qendra e vëmendjes në një festë. Mjafton të prezantohesh me dikë që nuk njeh dhe t’i bësh disa pyetje të thjeshta.»—Alisja.

    Parim nga Bibla: «Secili të shqyrtojë veprimet e tij, dhe atëherë do të ketë arsye për t’u gëzuar vetëm për veten e jo të krahasohet me një tjetër.»—Galatasve 6:4.

  • Ji vëzhgues i mirë. Kushtoju vëmendje njerëzve të shoqërueshëm dhe mënyrës si bisedojnë me të tjerët. Çfarë funksionon në rastin e tyre? Çfarë mund të bëhet më mirë? Cilat nga cilësitë e bukura që kanë mund të zhvillosh ti?

    «Vëzhgo dhe mëso nga njerëzit që zënë shpejt miq. Shiko si veprojnë dhe çfarë thonë kur takojnë dikë për herë të parë.»—Aroni.

    Parim nga Bibla: «Ashtu si hekuri mpreh hekurin, edhe njeriu e përmirëson shokun e vet.»—Proverbat 27:17, shënimi.

  • Bëj pyetje. Në përgjithësi, njerëzit kanë qejf të shprehin opinionet e tyre, prandaj pyetjet janë një mënyrë e mirë për të nisur biseda. Kështu largon edhe vëmendjen nga vetja.

    «Kur përgatitesh që më përpara do të provosh më pak ankth. Mund të mendosh për disa tema ose pyetje para se të shkosh në një grumbullim shoqëror. Kështu nuk do të jesh edhe aq i stresuar kur të takosh njerëz të rinj.»—Alana.

    Parim nga Bibla: ‘Mos kërko vetëm interesat e tua, por edhe të të tjerëve.’—Filipianëve 2:4.

^ par. 14 Nga libri Reclaiming Conversation.