Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si të reagoj kur më kritikojnë?

 Analizo veten

Me raste të gjithë kemi nevojë për kritika, që të përmirësojmë në punë ose në sjellje. Me këtë në mendje, shqyrto situatat e mëposhtme.

  1. ● Mësuesi të thotë se projektin e fundit duket sikur e ke bërë nxitimthi. Ai tha: «Duhet të bësh më shumë kërkime.»

    Si reagon ndaj kritikës?

    1. E refuzon. («Mësuesi nuk më ka fare me sy të mirë.»)

    2. E pranon. («Do ta kem parasysh për projektin tjetër.»)

  2. Mamaja të thotë se e ke dhomën rrëmujë, edhe pse sapo e ke rregulluar.

    Si reagon ndaj kritikës?

    1. E refuzon. («Ajo nuk kënaqet kurrë.»)

    2. E pranon. («E pranoj që mund ta kisha rregulluar më mirë.»)

  3. Motra e vogël të thotë se nuk i pëlqen që sillesh si shef.

    Si reagon ndaj kritikës?

    1. E refuzon. («Seriozisht?! Ajo më thotë mua se bëj si shef?!»)

    2. E pranon. («Ndoshta duhet të sillem më mirë me të.»)

Disa të rinj janë si një vazo, aq të brishtë sa duket sikur «i thyen» edhe kritika më e vogël. A je dhe ti kështu? Nëse po, po humb shumë! Pse? Sepse, të mësosh t’i pranosh këshillat, është një aftësi e rëndësishme që do të të vlejë tani dhe në të ardhmen.

Mos e humb rastin për të dëgjuar diçka që të duhet, vetëm e vetëm se nuk do që ta dëgjosh

 Pse kam nevojë për kritika?

  • Sepse nuk je i përsosur. Bibla thotë: «Të gjithë ne gabojmë shumë herë.» (Jakovi 3:2, nwt) Prandaj, të gjithë kemi nevojë për kritika konstruktive.

    «Bëj çmos t’i kujtoj vetes se nuk ka njeri të përsosur dhe se gabimet janë pjesë e jetës. Ndaj kur më korrigjojnë, përpiqem të mësoj që të mos e përsëris më gabimin.»—Davidi.

  • Sepse gjithnjë mund të përmirësosh. Bibla thotë: «Mësoje njeriun e mençur dhe do të bëhet edhe më i mençur.» (Proverbat 9:9) Këshillat të sjellin dobi, nëse i pranon.

    «Nuk më vinte mirë kur më kritikonin pasi mendoja se më nxirrnin keq. Por tani i pranoj, madje edhe i kërkoj. Kam dëshirë të di si të përmirësohem.»—Selena.

Ama, një gjë është të kërkosh këshilla dhe gjë tjetër të të këshillojnë pa i kërkuar. Natalia kujton si u ndie pasi mori një letër që përmbante ca këshilla që nuk i kishte kërkuar: «Isha e shokuar dhe e shkurajuar. Po përpiqesha aq shumë dhe s’mora gjë tjetër veç kritikave.»

A të ka ndodhur ndonjëherë diçka e ngjashme? Nëse po, si të veprosh?

 Si t’i pranoj kritikat?

  • Dëgjo

    Bibla thotë: «Kush ka vërtet njohuri, e mban nën fre gojën, dhe kush ka aftësi dalluese, nuk e humb qetësinë.» (Proverbat 17:27, nwt) Mos e ndërprit personin që po të flet. Dhe mos ji impulsiv, se mund të thuash diçka për të cilën mund të bëhesh pishman.

    «Kur më kritikojnë, kam prirjen të mbroj veten. Në vend të kësaj duhet të mësoj nga korrigjimi dhe t’i bëj gjërat më mirë herën tjetër.»—Sara.

  • Përqendrohu te mesazhi, jo te personi

    Mbase të vjen të vësh në dukje të metat e atij që po të flet. Por është më e mençur të ndjekësh këshillën e Biblës që të jesh ‘i shpejtë për të dëgjuar, të mos nxitohesh për të folur e të mos zemërohesh shpejt’. (Jakovi 1:19) Zakonisht, kritikat i kanë ca të vërteta. Mos e humb rastin për të dëgjuar diçka që të duhet, vetëm e vetëm se nuk do që ta dëgjosh.

    «Kur prindërit më korrigjonin, inatosesha dhe u thosha ‘e di, e di’. Por, kur u kushtoj vëmendje fjalëve të tyre dhe i zbatoj, gjërat shkojnë më mirë.»—Eduardi.

  • Mbaj një pikëpamje të ekuilibruar për veten

    Fakti që të kritikojnë s’do të thotë se je dështak. Thjesht tregon se ke të meta si gjithë të tjerët. Edhe ai që të këshillon ka nevojë për këshilla herë pas here. Bibla thotë: «S’ka njeri të drejtë në tokë që bën gjithmonë të mirën.»—Eklisiastiu 7:20, nwt.

    «Një shoqe më këshilloi për gjëra që s’mendoja se kisha nevojë. E falënderova për sinqeritetin, por u ndjeva e ofenduar. Ama me kalimin e kohës, kuptova që kishte disi të drejtë. Falë këshillës së saj arrita të dalloja të meta që përndryshe do t’i kisha anashkaluar.»—Sofia.

  • Syno të përmirësosh

    Bibla thotë se «mendjemprehti e pranon ndreqjen». (Proverbat 15:5, nwt) Pasi ta pranosh ndreqjen, nuk do të ndihesh më i lënduar, por do të bësh çmos të përmirësosh pikën që ke nevojë. Përcakto cilët hapa duhet të bësh dhe mbaj shënim përparimin gjatë muajve të ardhshëm.

    «Që t’ia vësh veshin kritikës, duhet të jesh i sinqertë me veten. Sepse atëherë do të pranosh gabimet, do të kërkosh të falur dhe do të mësosh si të përmirësosh.»—Ema.

Përfundimi: Bibla thotë: «Njerëzit mësojnë nga njëri-tjetri, ashtu si hekuri mpreh hekurin.» (Proverbat 27:17, Good News Translation) Këshillat janë një mjet që mund të të mprehin, tani dhe në të ardhmen.