Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

A duhet të pagëzohem?​—Pjesa 1: Domethënia e pagëzimit?

A duhet të pagëzohem?​—Pjesa 1: Domethënia e pagëzimit?

Çdo vit pagëzohen shumë të rinj që janë rritur nga prindër Dëshmitarë të Jehovait. A po mendon edhe ti ta hedhësh këtë hap? Nëse po, në fillim duhet të kuptosh ç’domethënie kanë kushtimi dhe pagëzimi.

 Çfarë është pagëzimi?

Pagëzimi nuk është thjesht spërkatje me ujë. Sipas Biblës, kur dikush pagëzohet, duhet të zhytet kokë e këmbë në ujë. Ky veprim ka domethënie të rëndësishme.

  • Kur zhytesh në ujë, tregon para të gjithëve se tani e tutje nuk do të jetosh më për të bërë vetëm atë që të pëlqen ty.

  • Kur del nga uji, tregon se ke nisur një jetë të re dhe tani gjëja më e rëndësishme për ty është të bësh atë që i pëlqen Perëndisë.

Duke u pagëzuar, pranon publikisht se Jehovai ka autoritetin të vendosë standardet për të drejtën dhe të gabuarën. Gjithashtu tregon para të gjithëve se ke premtuar që gjithmonë do të zgjedhësh të bësh atë që dëshiron Perëndia.

Për të menduar: Çfarë duhet të të shtyjë të zotohesh publikisht se do t’i bindesh Jehovait gjatë gjithë jetës? Shiko 1 Gjonit 4:19 dhe Zbulesën 4:11.

 Çfarë është kushtimi?

Para se të pagëzohesh, duhet t’i kushtosh jetën privatisht Jehovait. Si bëhet kjo?

Në një lutje personale, i premton Jehovait se do t’i shërbesh atij përgjithmonë dhe se do të bësh çfarë dëshiron ai, pavarësisht se ç’mund të ndodhë dhe se ç’mund të bëjnë të tjerët.

Me pagëzimin ti tregon publikisht se i je kushtuar tashmë Jehovait me anë të lutjes. U tregon të tjerëve se jeta jote nuk të përket më ty, por Jehovait.—Mateu 16:24.

Për të menduar: Pse të përmirësohet jeta kur i përket Jehovait? Shiko Isainë 48:17, 18 dhe Hebrenjve 11:6.

 Pse është i rëndësishëm pagëzimi?

Jezui e bëri të qartë se dikush duhet të pagëzohet që të bëhet dishepull i tij. (Mateu 28:19, 20) Prandaj, edhe sot pagëzimi është akoma një kërkesë për të krishterët. Në fakt, Bibla thotë se është i domosdoshëm për të shpëtuar.—1 Pjetrit 3:21.

Gjithsesi, motivi pse pagëzohesh duhet të jetë dashuria për Jehovain dhe çmueshmëria për miqësinë me të. Duhet të kesh të njëjtin qëndrim si psalmisti, që shkroi: «Si t’ia kthej Jehovait gjithë të mirat që më ka bërë? . . . Emrin e Jehovait do të lëvdoj. Zotimet që i kam bërë Jehovait, do t’i mbaj.»—Psalmi 116:12-14.

Për të menduar: Çfarë të mirash ka bërë Jehovai për ty dhe si mund t’ia shpërblesh? Shiko Ligjin e përtërirë 10:12, 13 dhe Romakëve 12:1.