Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

Si të bie në peshë?

 A kam nevojë të bie në peshë?

Disa adoleshentë thonë se duan të humbasin ca kile. Gjithsesi . . .

  • Shumë shqetësohen më tepër për pamjen sesa për shëndetin. Që të heqin qafe ca kile, disa i bien shkurt, si për shembull, nuk i hanë të gjitha vaktet ose përdorin pilula. Këto lloj metodash zakonisht nuk funksionojnë, madje me raste janë të rrezikshme.

    «Disa vajza nuk hanë fare vetëm për t’u dobësuar shpejt. Ama, kjo veçse dëmton shëndetin dhe duhet goxha kohë për të marrë veten.»—Hejli.

  • Shumë shqetësohen për peshën pa pasur arsye. Pesha e tyre është normale, por ndoshta u duket vetja të shëndoshë kur krahasohen me bashkëmoshatarët ose me «trupin ideal» që reklamon media.

    «Kur isha 13 vjeçe, krahasohesha me shoqet. Mendoja se do të më kishin qejf nëse dukesha si ato, domethënë kockë e lëkurë.»—Paola.

Nga ana tjetër, disa të rinj kanë vërtet nevojë të bien në peshë. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë . . .

  • Në shkallë globale, rreth 340 milionë fëmijë dhe të rinj të moshave 5-19 vjeç janë mbipeshë.

  • Në vitin 1975 vetëm 4 për qind e fëmijëve dhe e të rinjve të moshave 5-19 vjeç ishin mbipeshë. Në 2016-n ky numër është rritur në 18 për qind.

  • Në shumicën e vendeve po bëhet gjithnjë e më e zakonshme që njerëzit të jenë obezë sesa nënpeshë.

  • Obeziteti është i zakonshëm edhe në vende me të ardhura të pakta, madje edhe në familje ku disa pjesëtarë janë të kequshqyer.

 Cila është mënyra më e mirë për të rënë në peshë?

Cilën metodë do të zgjidhje?

  1. Të lësh vakte pa ngrënë.

  2. Të kombinosh ushtrimet me një dietë të balancuar.

  3. Të marrësh ilaçe për t’u dobësuar.

Përgjigjja e saktë: Metoda e dytë: Të kombinosh ushtrimet me një dietë të balancuar.

Nëse lë vakte pa ngrënë ose heq dorë nga një grup ushqimesh, mund të kesh rezultate të shpejta. Por, këto metoda mund të mos jenë të shëndetshme dhe ka shumë mundësi t’i rimarrësh kilet kur t’u kthehesh zakoneve të mëparshme të të ngrënit.

Megjithatë, po të synosh një jetë të shëndetshme, jo vetëm që do të dukesh mirë, por edhe do të ndihesh shkëlqyeshëm. Dr. Majkëll Bredli shkruan: «Metoda më e sigurt, më e shëndetshme për t’u dobësuar dhe që të ndihmon ta mbash këtë peshë për një kohë të gjatë, . . . është të ndryshosh stilin e jetesës në mënyrë që ta ruash në vazhdimësi.» * Pika është kjo: nëse ke nevojë të biesh në peshë, mos mendo thjesht për një dietë por për një stil të ri jetese.

 Hapat që duhet të bësh

Bibla na thotë të jemi ‘të përkorë në zakone’. Këtu përfshihen edhe zakonet e të ngrënit. (1 Timoteut 3:11) Madje na nxit të shmangim ngrënien me tepri. (Proverbat 23:20; Luka 21:34) Me këto parime në mendje, provo të ndjekësh hapat e mëposhtëm që të përvetësosh një stil jetese më të shëndetshëm.

  • Mëso të ushqehesh shëndetshëm

    S’ka pse të fiksohesh pas vlerave ushqyese të ushqimeve, por njëfarë njohurie për to të ndihmon të mbash një dietë të ekuilibruar. Dhe një dietë e ekuilibruar është një nga mënyrat më të mira për të mbajtur peshën e duhur.

  • Bëj ushtrime rregullisht

    Mendo për gjëra të përditshme që mund të të mbajnë aktiv. Për shembull, në vend që të përdorësh ashensorin, ngjit shkallët. Në vend që të luash gjysmë ore me videolojëra, dil për një ecje të shpejtë.

  • Zëvendëso ushqimet e pashëndetshme me të shëndetshme

    Një adoleshente e quajtur Sofia, thotë: «Përpiqem të mbaj me vete gjëra të lehta e të shëndetshme, si fruta apo perime. Në këtë mënyrë nuk tundohem të ha tepër ushqime pa vlera.»

  • Ha ngadalë

    Disa hanë aq shpejt, sa nuk e kuptojnë që truri po u jep sinjal të mos hanë më. Ndaj ha avash-avash. Prit ca para se të hash përsëri. Mund të kuptosh se nuk je dhe aq i uritur sa mendoje.

  • Shëno kaloritë që merr

    Shih paketimet e ushqimeve, që të dish sa kalori po merr. Fakt: pijet e gazuara me sheqer, fast food-et dhe ëmbëlsirat mund të jenë burim shumë i madh kalorish, të cilat ndikojnë në rritjen e peshës.

  • Ji i ekuilibruar

    Sara që është 16 vjeçe, thotë: «Erdhi një moment që u bëra aq e fiksuar mbas llogaritjes së kalorive, saqë kur shikoja një pjatë me ushqim, automatikisht mendoja për numrin e kalorive.» Mos u bëj «llogaritar kalorish». Ndonjëherë mund t’ia bësh qejfin vetes me ushqime që të pëlqejnë, edhe pse kanë ca kalori më tepër.

Sugjerim: fol me mjekun nëse të shqetëson pesha. Duke marrë në konsideratë kartelën tënde mjekësore, ai mund të të ndihmojë të përshtatësh stilin tënd të jetesës.

^ par. 25 Nga libri When Things Get Crazy With Your Teen.