Kalo te përmbajtja

TË RINJTË PYESIN

A ia vlen të bësh disa gjëra njëherësh?

 A je i zoti të bësh disa gjëra njëherësh?

A di të bësh disa gjëra njëkohësisht? Shumë njerëz mendojnë se ata që po rriten në epokën dixhitale, ose siç njihen ndryshe «brezi i teknologjisë», janë më të zotë të bëjnë disa gjëra njëherësh, krahasuar me më të rriturit që kanë filluar ta përdorin vonë teknologjinë. Por a është e vërtetë kjo?

E VËRTETË apo E RREME?

  • Kur bën disa punë njëherësh, kursen kohë.

  • Nëse ushtrohesh, mëson të bësh më shumë gjëra njëkohësisht.

  • Të rinjtë janë më të aftë se të rriturit për të bërë disa punë njëherësh.

Nëse mendon se të gjitha pohimet janë «të vërteta», ke rënë në grackën e ideve të gabuara në lidhje me këtë çështje.

 Ide e gabuar

A mendon se mund të bësh dy punë njëherësh? Nëse njëra nga punët kërkon më pak përqendrim, mbase ia del mbanë. Për shembull, po të dëgjosh muzikë ndërsa pastron dhomën, ka shumë mundësi që në fund ajo të jetë xixë.

Por, kur përpiqesh të bësh dy punë që kërkojnë përqendrim, ka të ngjarë që asnjërën nuk do ta bësh mirë. Ja pse, një e re e quajtur Katerina, shprehet kështu: «Kur bën shumë punë njëkohësisht, edhe prish shumë punë njëkohësisht.»

«Po flisja me një shok, kur më erdhi një mesazh në telefon që duhej t’i përgjigjesha. Ngaqë u përpoqa t’i bëja të dyja, s’mora vesh asgjë nga fjalët e shokut dhe i shkrova gabim thuajse të gjitha fjalët e mesazhit.»—Kalebi.

Sheri Tërkëlli, eksperte teknologjie, shkruan: «Nëse mendojmë se po i bëjmë mirë disa punë njëkohësisht, . . . me siguri s’po i bëjmë aq mirë sa duhet. Kur bëjmë disa gjëra në të njëjtën kohë, truri ynë çliron substanca neurokimike dhe si pasojë na duket sikur po i bëjmë punët shumë mirë, por në fakt është e kundërta.» *

«Ndonjëherë mendoj se mund të flas e të shkruaj njëkohësisht me dy veta. Pastaj kuptoj se fjalët që doja të shkruaja, ia them personit që kam përballë dhe fjalët që duhej t’ia thosha atij, ia shkruaj personit tjetër në mesazh.»—Tamara.

Njerëzit që përpiqen të bëjnë disa gjëra njëherësh, vetëm sa i hapin telashe vetes. Për shembull, u duhet më shumë kohë për të përfunduar detyrat e shkollës. Ose mbase duhet t’i kthehen një pune nga e para. Si përfundim, atyre që merren me disa gjëra njëherësh, në fund fare kanë më pak kohë të lirë.

Jo më kot, Tomas Kërstingu, psikoterapist dhe këshilltar në një shkollë, thotë: «Po ta mendojmë trurin si një arkiv ku informacioni ruhet me rregullsi, atëherë do të thoshim se truri i atyre që bëjnë disa punë njëherësh është si një lëmsh.» *

«Sa më shumë gjëra bën njëkohësisht, aq më pak rëndësi u kushton hollësive. Në fund i hap vetes më shumë punë dhe e harxhon edhe atë kohë që mendoje se do ta kurseje.»—Tereza

Të bësh disa gjëra njëkohësisht, është si të jesh duke ngarë makinën në dy rrugë

 Metodë më e mirë

  • Mëso të përqendrohesh vetëm te një punë. Kjo s’është e lehtë, sidomos nëse e ke zakon të bësh disa punë njëherësh. Ndoshta, ndërsa bën detyrat, shkruan mesazhe. Por, Bibla na thotë ‘të sigurohemi për gjërat më të rëndësishme’. (Filipianëve 1:10) Jo çdo punë është e rëndësishme. Ndaj vendos cila ka më shumë rëndësi dhe përqendrohu vetëm tek ajo derisa ta mbarosh.

    «Një mendje që nuk përqendrohet, i ngjan një fëmije; ndonjëherë duhet t’i thuash jo, edhe pse do të ishte më e lehtë t’ia plotësoje dëshirën.»—Maria.

  • Shmang shpërqendrimet. A tundohesh të kontrollosh telefonin ndërsa mëson? Atëherë lëre në një dhomë tjetër. Fike televizorin dhe mos mendo as për rrjetet shoqërore. Bibla thotë: «Përdoreni kohën sa më mirë që mundeni.»—Kolosianëve 4:5, Easy-to-Read Version.

    «Kam kuptuar se është më mirë kur përqendrohem vetëm te një gjë. S’ka kënaqësi më të madhe kur fshij nga lista punën që kam përfunduar dhe vazhdoj me atë të radhës.»—Anja.

  • Mos u merr me gjëra të tjera kur bisedon. Të shohësh telefonin kur bisedon, përveçse të shpërqendron, është edhe mungesë edukate. Bibla na thotë të sillemi me të tjerët ashtu si do të donim të silleshin ata me ne.—Mateu 7:12.

    «Kur flas me motrën, ndonjëherë ajo shkruan mesazhe ose luan me telefon. Acarohem shumë! Por, të them të vërtetën, ndonjëherë edhe unë ashtu bëj.»—Davidi.

^ par. 18 Nga libri Reclaiming Conversation.

^ par. 21 Nga libri Disconnected.