Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A duhet ta mbajnë sabatin të krishterët?

A duhet ta mbajnë sabatin të krishterët?

Përgjigjja e Biblës

Të krishterëve nuk u kërkohet të mbajnë një sabat çdo javë. Ata janë nën «ligjin e Krishtit», i cili nuk përfshin mbajtjen e sabatit. (Galatasve 6:2; Kolosianëve 2:16, 17) Pse jemi të sigurt për këtë? Së pari, të shqyrtojmë origjinën e sabatit.

Çfarë është sabati?

Fjala «sabat» vjen nga një term hebraik që do të thotë «të pushosh; të ndalësh». Në Bibël del për herë të parë në urdhrat që iu dhanë kombit të Izraelit të lashtë. (Dalja 16:23) Për shembull, i katërti nga Dhjetë Urdhërimet thotë: «Për të kujtuar ditën e sabatit e për ta shenjtëruar, do të punosh e do të bësh gjithçka që ke për të bërë për gjashtë ditë. Ndërsa dita e shtatë është një sabat për Jehovain, Perëndinë tënd. Mos bëni asnjë punë.» (Dalja 20:8-10) Dita e sabatit niste të premten pas perëndimit të diellit dhe vazhdonte deri të shtunën pas perëndimit të diellit. Gjatë kësaj kohe, izraelitët nuk mund të largoheshin nga vendi i tyre, as të ndiznin zjarr, as të mblidhnin dru dhe as të mbanin ndonjë ngarkesë. (Dalja 16:29; 35:3; Numrat 15:32-36; Jeremia 17:21) Shkelja e sabatit dënohej me vdekje.​—Dalja 31:15.

Në kalendarin judaik quheshin sabat edhe disa ditë të tjera, si edhe çdo vit i shtatë dhe i pesëdhjetë. Sa herë që ishte vit sabati, toka nuk duhej kultivuar dhe izraelitët nuk duheshin shtrënguar që të paguanin borxhet.​—Levitiku 16:29-31; 23:6, 7, 32; 25:4, 11-14; Ligji i përtërirë 15:1-3.

Flijimi i Jezuit e bëri të pavlefshëm ligjin e sabatit

Pse ligji i sabatit nuk vlen për të krishterët?

Ligji i sabatit, i cili ishte pjesë e Ligjit që u dha nëpërmjet Moisiut, vlente vetëm për ata që ishin nën këtë Ligj. (Ligji i përtërirë 5:2, 3; Ezekieli 20:10-12) Perëndia nuk u kërkoi asnjëherë popujve të tjerë të pushonin në sabat. Përveç kësaj, falë flijimit të Jezu Krishtit, edhe judenjtë ‘u zgjidhën nga Ligji’ i Moisiut, përfshirë Dhjetë Urdhërimet. (Romakëve 7:6, 7; 10:4; Galatasve 3:24, 25; Efesianëve 2:15) Në vend që t’i përmbahen Ligjit të Moisiut, të krishterët ndjekin një ligj më të lartë, atë të dashurisë.​—Romakëve 13:9, 10; Hebrenjve 8:13.

Koncepte të gabuara për sabatin

Koncept i gabuar: Zoti e caktoi sabatin kur pushoi ditën e shtatë.

Fakt: Bibla thotë: «Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.» (Zanafilla 2:3, Diodati i Ri) Ky varg nuk është një ligj për njerëzit, por tregon se çfarë bëri Zoti ditën e shtatë të krijimit. Bibla nuk përmend askënd që mbante sabatin para kohës së Moisiut.

Koncept i gabuar: Izraelitët ishin nën ligjin e sabatit para se t’u jepej Ligji i Moisiut.

Fakt: Moisiu u tha izraelitëve: «Jehovai, Perëndia ynë, bëri një besëlidhje me ne në Horeb», zona përreth malit Sinai. Në këtë besëlidhje përfshihej edhe ligji i sabatit. (Ligji i përtërirë 5:2, 12) Përvoja e izraelitëve në lidhje me sabatin tregon se ishte një gjë e re për ta. Nëse izraelitët do të kishin qenë nën ndonjë ligj sabati më parë, kur ishin në Egjipt, si do t’u kujtonte sabati çlirimin nga Egjipti, siç kishte thënë Zoti? (Ligji i përtërirë 5:15) Pse u desh t’u thuhej që të mos mblidhnin manë ditën e shtatë? (Dalja 16:25-30) Dhe, pse ata nuk dinin si ta trajtonin rastin e parë të dokumentuar të shkeljes së sabatit?​—Numrat 15:32-36.

Koncept i gabuar: Sabati është një besëlidhje e përjetshme, prandaj është ende i detyrueshëm.

Fakt: Në të vërtetë, disa përkthime të Biblës e quajnë sabatin «besëlidhje të përjetshme». (Dalja 31:16, Diodati i Ri) Mirëpo, fjala hebraike e përkthyer ‘e përjetshme’ mund të ketë edhe kuptimin «që zgjat deri në një të ardhme të papërcaktuar» e jo medoemos përgjithmonë. Për shembull, Bibla përdor të njëjtën fjalë për të përshkruar priftërinë izraelite, së cilës Perëndia i dha fund rreth 2.000 vjet më parë.​—Dalja 40:15; Hebrenjve 7:11, 12.

Koncept i gabuar: Të krishterët duhet ta mbajnë sabatin meqë edhe Jezui e mbajti.

Fakt: Jezui e mbajti sabatin sepse ishte jude dhe si i tillë ishte që nga lindja nën detyrimin për t’iu bindur Ligjit të Moisiut. (Galatasve 4:4) Pasi Jezui vdiq, kjo besëlidhje e Ligjit, përfshirë sabatin, u hoq.​—Kolosianëve 2:13, 14.

Koncept i gabuar: Apostulli Pavël e mbajti sabatin edhe pse ishte i krishterë.

Fakt: Pavli hynte në sinagoga ditën e sabatit, por nuk mbante sabatin si judenjtë. (Veprat 13:14; 17:1-3; 18:4) Në vend të kësaj, sipas zakonit të asaj kohe, predikonte lajmin e mirë në sinagoga, siç ndodhte me oratorët që vinin për vizitë, të cilët mund t’i ftonin të mbanin fjalim para atyre që ishin mbledhur për të adhuruar. (Veprat 13:15, 32) Pavli predikonte «çdo ditë» e jo vetëm në sabat.​—Veprat 17:17.

Koncept i gabuar: Sabati i krishterë është të dielën.

Fakt: Në Bibël nuk ka asnjë urdhër që të krishterët duhet ta lënë të dielën për të pushuar dhe për të adhuruar. Për të krishterët e hershëm, e diela ishte ditë pune si gjithë të tjerat. The International Standard Bible Encyclopedia thotë: «Vetëm në shekullin e 4-t e diela nisi të merrte karakteristikat e sabatit, kur [perandori romak pagan] Kostandini dekretoi që disa lloj punësh të mos bëheshin të dielën.» *

Por, ç’të themi për ato vargje që duket sikur tregojnë se e diela ishte ditë e veçantë? Bibla thotë se apostulli Pavël hëngri një vakt bashkë me të krishterë të tjerë «ditën e parë të javës», të dielën, por kjo ishte e logjikshme meqë ai do të largohej të nesërmen. (Veprat 20:7) Po njësoj, disa kongregacioneve iu tha që të linin mënjanë pará «ditën e parë të çdo jave», të dielën, për të ndihmuar të tjerët, por ky ishte thjesht një sugjerim praktik për të administruar buxhetin personal. Kontributet mbaheshin në shtëpi dhe nuk dorëzoheshin në vendin ku mblidheshin të krishterët.​—1 Korintasve 16:1, 2.

Koncept i gabuar: Nuk duhet lënë një ditë në javë për të pushuar dhe për të adhuruar.

Fakt: Bibla e lë këtë vendim në dorën e çdo të krishteri.​—Romakëve 14:5.

^ par. 21 Shih edhe New Catholic Encyclopedia, botimi i dytë, vëllimi 13, faqja 608.