Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Cili është kuptimi i ligjit «sy për sy»?

Cili është kuptimi i ligjit «sy për sy»?

Përgjigjja e Biblës

Ligji «sy për sy» ishte pjesë e Ligjit që Perëndia i dha Izraelit të lashtë me anë të Moisiut dhe Jezui e citoi në Predikimin në Mal. (Mateu 5:38; Dalja 21:24, 25; Ligji i përtërirë 19:21) Po të zbatohej ky ligj kur ndëshkohej një keqbërës, ndëshkimi jepej siç e meritonte krimi. *

Ai zbatohej për veprat e dëmshme që bëheshin qëllimisht kundër një tjetri. Për dikë që kryente një shkelje me dashje, Ligji i Moisiut thoshte: «Do të pësojë të njëjtin dëmtim që i shkaktoi tjetrit: thyerje për thyerje, sy për sy e dhëmb për dhëmb.»​—Levitiku 24:20.

 Cili ishte qëllimi i ligjit «sy për sy»?

Ligji «sy për sy» nuk autorizonte, as miratonte ta merrje vetë në dorë vënien e drejtësisë. Përkundrazi ndihmonte gjykatësit e caktuar të jepnin dënime të drejta pa qenë as tepër të ashpër, as tepër tolerantë.

Gjithashtu, ky ligj shërbente për të frenuar këdo që ishte gati të dëmtonte dikë me paramendim ose që po thurte plane për diçka të tillë. Ligji shpjegonte: «Në këtë mënyrë të tjerët [atë që vëzhgonin si vihej në vend drejtësia e Perëndisë] do të dëgjojnë e do të kenë frikë, dhe nuk do të bëjnë kurrë më një të keqe si kjo në gjirin tuaj.»​—Ligji i përtërirë 19:20.

 A duhet ta zbatojnë të krishterët ligjin «sy për sy»?

Jo, ky ligj nuk është i detyrueshëm për të krishterët. Ai ishte pjesë e Ligjit të Moisiut që u shfuqizua me vdekjen flijuese të Jezuit.​—Romakëve 10:4.

Gjithsesi, na ndihmon të kuptojmë si mendon Perëndia. Për shembull, tregon sa vlerë ka drejtësia për të. (Psalmi 89:14) Gjithashtu zbulon standardin e tij të drejtësisë​—keqbërësit duhet të ndëshkohen «në masën e duhur».​—Jeremia 30:11.

 Ide të gabuara rreth ligjit «sy për sy»

Ide e gabuar: ligji «sy për sy» ishte tepër i ashpër.

Fakt: ky ligj nuk autorizonte vendosjen e drejtësisë në mënyrë mizore a të egër. Përkundrazi, kur zbatohej siç duhej, gjykatësit e kualifikuar jepnin dënimin vetëm pasi shqyrtonin rrethanat në të cilat ishte kryer krimi dhe deri në ç’masë ishte me paramendim. (Dalja 21:28-30; Numrat 35:22-25) Kështu ndihmonte që të shmangeshin ndëshkimet më të ashpra seç duhej.

Ide e gabuar: ligji «sy për sy» i hapte rrugën një cikli të pafund hakmarrjesh personale.

Fakt: vetë Ligji i Moisiut thoshte: «Mos merr hak dhe mos u mbaj mëri bijve të popullit tënd.» (Levitiku 19:18) Pra, në vend që të nxiste hakmarrjen personale, Ligji i nxiste njerëzit të besonin te Perëndia dhe te sistemi ligjor që kishte autorizuar ai për të ndrequr keqbërjet.​—Ligji i përtërirë 32:35.

^ par. 3 Ky parim ligjor, që ndonjëherë njihet me emrin latin lex talionis, gjendet edhe në sistemet ligjore të disa shoqërive të lashta.