Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Pse vdesin njerëzit?

Pse vdesin njerëzit?

Përgjigjja e Biblës

Është e natyrshme të pyesim pse vdesin njerëzit, sidomos kur na vdes një njeri i dashur. Bibla thotë: «Thumbi që sjell vdekjen, është mëkati.»​—1 Korintasve 15:56.

Pse mëkatojnë dhe vdesin të gjithë njerëzit?

Njerëzit e parë, Adami dhe Eva, humbën jetën sepse mëkatuan kundër Perëndisë. (Zanafilla 3:​17-19) Ata s’i priste gjë tjetër veç vdekjes, sepse u rebeluan ndaj Perëndisë, tek i cili është «burimi i jetës».​—Psalmi 36:9; Zanafilla 2:17.

Adami ua trashëgoi gjithë pasardhësve këtë të metë, mëkatin. Bibla thotë: «Ashtu si mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Të gjithë njerëzit vdesin, sepse të gjithë mëkatojnë.​—Romakëve 3:23.

Si do të zhduket vdekja?

Perëndia premton se do të vijë një kohë kur «ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë». (Isaia 25:8) Që të zhdukë vdekjen, ai duhet të eliminojë shkakun e saj, mëkatin. Perëndia do ta realizojë këtë nëpërmjet Jezu Krishtit, i cili «heq mëkatin e botës».​—Gjoni 1:29; 1 Gjonit 1:7.