Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë janë profecitë?

Çfarë janë profecitë?

Përgjigjja e Biblës

Profecitë janë mesazhe të frymëzuara ose zbulesa nga Perëndia. Bibla thotë se profetët «kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë». (2 Pjetrit 1:​20, 21) Prandaj, profet është ai që merr mesazhe nga Perëndia dhe ua transmeton të tjerëve.​—Veprat 3:​18.

Si i merrnin profetët mesazhet nga Zoti?

Perëndia përdori disa mënyra për t’ua përçuar mendimet e tij profetëve:

  • Me shkrim. Perëndia e përdori këtë mënyrë të paktën në një rast kur i kaloi drejtpërdrejt Moisiut Dhjetë Urdhërimet në formë të shkruar.​—Dalja 31:18.

  • Me gojë, nëpërmjet engjëjve. Për shembull, Perëndia përdori një engjëll për t’i mësuar Moisiut mesazhin që duhet t’i jepte faraonit të Egjiptit. (Dalja 3:​2-4, 10) Kur formulimi i saktë ishte shumë i rëndësishëm, Zoti i udhëzonte engjëjt ta diktonin mesazhin, siç bëri kur i tha Moisiut: «Shkruaji këto fjalë, sepse në përputhje me to, po bëj një besëlidhje me ty dhe Izraelin.»​—Dalja 34:27. *

  • Me anë të vegimeve. Ndonjëherë vegimet jepeshin ndërkohë që profeti ishte zgjuar dhe plotësisht i vetëdijshëm. (Isaia 1:1; Habakuku 1:1) Disa ishin kaq të gjalla, sa edhe profeti merrte pjesë në to. (Luka 9:​28-​36; Zbulesa 1:​10-​17) Në raste të tjera, vegimet jepeshin kur profeti ishte si në gjendje hipnotike. (Veprat 10:10, 11; 22:17-​21) Kurse një mënyrë tjetër ishte nëpërmjet ëndrrave, ndërsa profeti flinte.​—Danieli 7:1; Veprat 16:​9, 10.

  • Me anë të mendimeve. Perëndia drejtoi mendimet e shërbëtorëve të tij që t’u përcillnin njerëzve mesazhin hyjnor. Pikërisht këtë kuptim kanë fjalët e Biblës: «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia.» Shprehja «i frymëzuar nga Perëndia» fjalë për fjalë mund të përkthehet «që i ka fryrë Perëndia». (2 Timoteut 3:​16; The Emphasised Bible) Perëndia përdori frymën e shenjtë, ose forcën e tij vepruese, për t’u futur në mendje profetëve idetë e tij. Mesazhi ishte i Perëndisë, por profeti e formulonte me fjalët e tij.​—2 Samuelit 23:​1, 2.

A janë gjithmonë parashikim i së ardhmes profecitë?

Jo, profecitë biblike nuk janë vetëm parashikime të së ardhmes. Natyrisht, shumica e mesazheve nga Zoti lidhen me të ardhmen, qoftë edhe tërthorazi. Për shembull, profetët e Perëndisë i paralajmëruan vazhdimisht izraelitët në lashtësi për sjelljen e keqe. Në ato paralajmërime thuhej se do të kishin bekime nëse bindeshin dhe gjëma nëse nuk bindeshin. (Jeremia 25:​4-6) Përfundimi varej nga udha që izraelitët do të zgjidhnin.​—Ligji i përtërirë 30:19, 20.

Profeci biblike që nuk parashikonin të ardhmen

  • Në një rast, kur izraelitët i kërkuan ndihmë Perëndisë, ai u dërgoi një profet që t’u shpjegonte se, meqë nuk u ishin bindur urdhërimeve të tij, ai nuk i kishte ndihmuar.​—Gjykatësit 6:​6-​10.

  • Kur Jezui i foli një gruaje samaritane, përmendi disa gjëra nga e kaluara e saj që nuk kishte si t’i dinte po të mos ia kishte zbuluar Zoti. Ajo e quajti profet edhe pse ai nuk i bëri ndonjë parashikim për të ardhmen.​—Gjoni 4:​17-​19.

  • Gjatë procesit gjyqësor, armiqtë ia mbuluan fytyrën Jezuit, e goditën dhe pastaj i thanë: «Profetizo. Kush të goditi?» Ata nuk po i kërkonin të parashikonte të ardhmen, por të zbulonte me anë të fuqisë nga Perëndia se kush e kishte goditur.​—Luka 22:63, 64.

^ par. 7 Ndonëse në pamje të parë mund të duket sikur Zoti i foli drejtpërdrejt Moisiut, Bibla tregon se Ai përdori engjëjt që t’i përcillte besëlidhjen e Ligjit.​—Veprat 7:​53; Galatasve 3:​19.