Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Cilët ishin nefilimët?

Cilët ishin nefilimët?

Përgjigjja e Biblës

Nefilimët ishin gjigantë, pasardhës të dhunshëm mbinjerëzorë që erdhën në jetë kur engjëjt e ligj kryen marrëdhënie me gratë në ditët e Noesë. *

Bibla thotë se «bijtë e Perëndisë së vërtetë filluan të vinin re që bijat e njerëzve ishin të bukura». (Zanafilla 6:2) Faktikisht, këta ‘bij të Perëndisë’ ishin krijesa të padukshme qiellore që u rebeluan kundër Tij kur «braktisën vendbanimin e tyre të duhur» në qiell, u shfaqën si njerëz dhe «nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën». (Juda 6; Zanafilla 6:2)

Fëmijët hibridë që lindën nga ky bashkim i panatyrshëm, nuk ishin të zakonshëm. (Zanafilla 6:4) Nefilimët ishin gjigantë prepotentë, tiranë që e mbushën tokën me dhunë. (Zanafilla 6:​13) Bibla i përshkruan si «të fuqishmit e kohëve të lashta, burra me famë». (Zanafilla 6:4) Ata lanë si trashëgimi dhunën dhe frikën.​—Zanafilla 6:5; Numrat 13:33. *

Ide të gabuara për nefilimët

Ide e gabuar: Në tokë ka ende nefilimë.

Fakt: Jehovai e shkatërroi atë botë të lashtë e të dhunshme me anë të një përmbytjeje globale. Nefilimët dhe gjithë njerëzit e ligj u fshinë nga faqja e dheut. Kurse, Noeja me familjen e tij kishin pëlqimin e Jehovait dhe ishin të vetmit të mbijetuar.​—Zanafilla 6:9; 7:​12, 13, 23; 2 Pjetrit 2:5.

Ide e gabuar: Nefilimët kishin baballarë njerëzorë.

Fakt: Baballarët e tyre janë quajtur ‘bij të Perëndisë së vërtetë’. (Zanafilla 6:2) Në Bibël, kjo shprehje përdoret për engjëjt. (Jobi 1:6; 2:1; 38:7) Engjëjt ishin të aftë të materializoheshin në njerëz. (Zanafilla 19:​1-5; Josiu 5:​13-​15) Edhe apostulli Pjetër përmendi ‘frymërat në burg, që dikur kishin qenë të pabindura, kur Perëndia priste me durim në ditët e Noesë’. (1 Pjetrit 3:19, 20) Duke iu referuar së njëjtës ngjarje, Juda, një nga shkrimtarët e Biblës, shpjegon se disa engjëj «nuk e mbajtën vendin e tyre fillestar, por e braktisën vendbanimin e tyre të duhur».​—Juda 6.

Ide e gabuar: Nefilimët ishin engjëj mëkatarë.

Fakt: Konteksti i Zanafillës 6:4 tregon se nefilimët nuk ishin engjëj, por pasardhës hibridë, fryt i marrëdhënieve seksuale mes engjëve të materializuar dhe grave. Pasi engjëjt «nisën të merrnin për gra të gjitha ato që zgjodhën», Jehovai tha se brenda 120 vjetëve do të merrte masa kundër asaj bote të paperëndishme. (Zanafilla 6:1-3) Në tregim thuhet edhe se «në ato ditë» engjëjt e materializuar «patën marrëdhënie me bijat e njerëzve» dhe lindën «të fuqishmit e kohëve të lashta», nefilimët.​—Zanafilla 6:4.

^ par. 3 Fjala hebraike e transliteruar «Nefilim», mund të ketë kuptimin «Rrëzuesit». Vepra Wilson’s Old Testament Word Studies thotë se kjo fjalë u referohet atyre që «i sulmojnë dhunshëm njerëzit dhe i plaçkitin [me forcë], duke i rrëzuar».

^ par. 5 Me sa duket, njerëzit që panë vëzhguesit izraelitë që përmenden te Numrat 13:33 u sollën ndër mend tregimet për nefilimët që kishin vdekur shekuj më parë.​—Zanafilla 7:​21-​23.