Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A mëson Bibla se ai që shpëton, ka shpëtuar përgjithmonë?

A mëson Bibla se ai që shpëton, ka shpëtuar përgjithmonë?

Përgjigjja e Biblës

Jo, Bibla nuk e mëson këtë doktrinë. Dikush që ka fituar shpëtimin me anë të besimit te Jezu Krishti, mund ta humbasë besimin dhe shpëtimin që vjen prej tij. Bibla thotë se për të ruajtur besimin kërkohen shumë përpjekje, ‘duhet të luftojmë me të gjitha forcat’. (Juda 3, 5) Të krishterëve të hershëm që tashmë e kishin pranuar Krishtin, iu tha: «Vazhdoni të punoni për shpëtimin e vetes suaj me frikë dhe me dridhma.»​—Filipianëve 2:​12.

Shkrime biblike që hedhin poshtë mësimin se ai që shpëton, ka shpëtuar përgjithmonë

  • Bibla paralajmëron se mëkatet serioze do ta pengonin dikë të hynte në Mbretërinë e Perëndisë. (1 Korintasve 6:​9-​11; Galatasve 5:​19-​21) Këto paralajmërime nuk do të kishin kuptim nëse shpëtimi do të vlente një herë e përgjithmonë. Por, Bibla tregon se dikush që ka shpëtuar, mund të devijojë e t’i kthehet një mëkati të rëndë. Për shembull, Hebrenjve 10:26 pohon: «Po të praktikojmë me dashje mëkatin, pasi të kemi marrë njohurinë e saktë të së vërtetës, nuk ka më asnjë flijim për mëkatet.»​—Hebrenjve 6:​4-6; 2 Pjetrit 2:​20-​22.

  • Jezui theksoi sa rëndësi ka të ruash besimin në ilustrimin ku e krahasoi veten me një hardhi ndërsa dishepujt me degët e saj. Disa prej tyre më parë kishin treguar besim tek ai me anë të fryteve, pra të veprave. Nëse më vonë nuk do të tregonin më besim, ‘do të flakeshin si degë’ jo e frytshme duke e humbur kështu shpëtimin. (Gjoni 15:​1-6) Apostulli Pavël përdori një ilustrim të ngjashëm e tha se të krishterët që nuk e ruajnë besimin, ‘do të krasiten’.​—Romakëve 11:17-​22.

  • Të krishterët urdhërohen ‘të qëndrojnë vigjilentë’. (Mateu 24:42; 25:13) Ata që largohen nga Perëndia ngaqë praktikojnë ‘vepra që i përkasin errësirës’ ose ngaqë nuk bëjnë plotësisht gjërat që urdhëroi Jezui, e humbasin shpëtimin.​—Romakëve 13:11-​13; Zbulesa 3:​1-3.

  • Shumë shkrime tregojnë se ata që kanë shpëtuar, gjithsesi duhet të qëndrojnë besnikë deri në fund. (Mateu 24:13; Hebrenjve 10:36; 12:​2, 3; Zbulesa 2:​10) Të krishterët në shekullin e parë u gëzuan kur dëgjuan se bashkëbesimtarët po qëndronin në besim. (1 Selanikasve 1:​2, 3; 3 Gjonit 3, 4) A do të kishte kuptim që Bibla ta theksonte kaq shumë qëndrueshmërinë nëse do të shpëtonin edhe ata që nuk do të qëndronin besnikë?

  • Apostulli Pavël ndjeu se e kishte të sigurt shpëtimin vetëm kur po i afrohej vdekja. (2 Timoteut 4:​6-8) Më parë kishte thënë se mund ta humbiste shpëtimin po t’u dorëzohej dëshirave të mishit. Ai shkroi: «E rrah me grushte trupin tim dhe e drejtoj si një skllav, që, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të mos bëhem vetë në njëfarë mënyre i pamiratuar.»​—1 Korintasve 9:​27; Filipianëve 3:​12-​14.