Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë është shenja e ‘ditëve të fundit’ ose e ‘kohës së mbarimit’?

Çfarë është shenja e ‘ditëve të fundit’ ose e ‘kohës së mbarimit’?

Përgjigjja e Biblës

Bibla përshkruan ngjarjet dhe kushtet që do të karakterizonin ‘përfundimin e sistemit [të tanishëm]’ ose të «mbarimit të botës».(Mateu 24:3; Diodati i Ri) Bibla e quan këtë periudhë «ditët e fundit» dhe ‘koha e fundit’ ose ‘koha e mbarimit’. (2 Timoteut 3:1; Danieli 8:​19; Kristoforidhi) Më poshtë renditen disa veçori të jashtëzakonshme të profecive për ditët e fundit, ose kohën e mbarimit:

  • Luftë në shkallë të madhe.​—Mateu 24:7; Zbulesa 6:4.

  • Zi buke.​—Mateu 24:7; Zbulesa 6:​5, 6.

  • Tërmete të mëdha.​—Luka 21:11.

  • Murtaja, ose «epidemi».​—Luka 21:11, Bibla ECM.

  • Rritje të paligjshmërisë.​—Mateu 24:12.

  • Rrënimi i tokës nga njerëzit.​—Zbulesa 11:18.

  • Degjenerimi i njerëzve, që tregohet nga qëndrimi i shumicës të cilët janë «mosmirënjohës, të pabesë, . . . [aspak] të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur».​—2 Timoteut 3:​1-4.

  • Prishje e familjes nga ata që janë «pa përzemërsi të natyrshme» dhe fëmijë «të pabindur ndaj prindërve».​—2 Timoteut 3:​2, 3.

  • Dashuria e shumicës për Zotin po ftohet gjithnjë e më shumë.​—Mateu 24:12.

  • Hipokrizia fetare duket sheshit.​—2 Timoteut 3:5.

  • Rritje e kuptueshmërisë së profecive biblike, duke përfshirë ato që lidhen me ditët e fundit.​—Danieli 12:4.

  • Predikimi botëror i lajmit të mirë për Mbretërinë.​—Mateu 24:14.

  • Indiferencë shumë e përhapur dhe njerëz që tallen me provat se fundi po afron.​—Mateu 24:37-39; 2 Pjetrit 3:3, 4.

  • Përmbushja e njëkohshme e gjithë profecive që përmendëm, jo vetëm e disave ose madje e shumicës së profecive.​—Mateu 24:33.

A po jetojmë në «ditët e fundit»?

Po. Kushtet botërore dhe kronologjia biblike tregojnë se ditët e fundit kanë filluar më 1914. Që nga ajo kohë, Mbretëria e Perëndisë ka filluar të qeverisë në qiell. Një ndër veprimet e saj të para ishte se flaku nga qielli Satana Djallin dhe demonët, si edhe kufizoi aktivitetin e tyre në tokë. (Zbulesa 12:​7-​12) Ndikimi i Satanait mbi njerëzimin duket në qëndrimin dhe veprimet e këqija të shumicës. Ja pse ditët e fundit janë «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar».​—2 Timoteut 3:1.