Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë thotë Bibla për eutanazinë?

Çfarë thotë Bibla për eutanazinë?

Përgjigjja e Biblës

Bibla nuk flet në mënyrë specifike për eutanazinë. * Ama, ajo që thotë për jetën dhe vdekjen, na ndihmon të kemi një pikëpamje të ekuilibruar. Të shkaktosh vdekjen e dikujt është e papranueshme, e megjithatë Bibla nuk kërkon të shkosh në ekstrem që të mbash gjallë dikë që është në fazën e fundit të jetës.

Bibla thotë se Perëndia është Krijuesi ynë, «burimi i jetës». (Psalmi 36:9; Veprat 17:28) Në sytë e tij, jeta është shumë e çmuar, ndaj ai dënon si vrasjen, edhe vetëvrasjen. (Dalja 20:13; 1 Gjonit 3:15) Për më tepër, Bibla na nxit të marrim masa të arsyeshme për të mbrojtur jetën tonë dhe atë të të tjerëve. (Ligji i përtërirë 22:8) S’ka dyshim se Perëndia dëshiron ta vlerësojmë dhuratën e jetës.

Po nëse dikush vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse?

Bibla nuk lejon t’i marrësh jetën dikujt edhe nëse vdekja e tij është e afërt dhe e pashmangshme. Kjo duket qartë nga rasti i mbretit izraelit, Saulit. Kur u plagos për vdekje, ai i kërkoi ndihmësit ta ndihmonte që t’i jepte fund jetës. (1 Samuelit 31:3, 4) Megjithatë, ndihmësi nuk pranoi. Por më vonë, një burrë tjetër gënjeu se kishte plotësuar dëshirën e Saulit. Ama Davidi, një person që pasqyroi pikëpamjen e Perëndisë për këtë çështje, e dënoi si fajtor gjaku.—2 Samuelit 1:6-16.

A duhet ta zgjatësh me çdo kusht jetën?

Nëse dikujt po i afrohet vdekja, Bibla nuk kërkon t’ia zgjatësh medoemos këtë fazë të fundit të jetës. Përkundrazi, ajo paraqet një pikëpamje të ekuilibruar. Vdekja është armikja jonë më mizore, pasojë e gjendjes sonë mëkatare. (Romakëve 5:12; 1 Korintasve 15:26) Sigurisht, nuk e presim me padurim, ama s’ka pse ta kemi frikë, pasi Perëndia premton se do t’i ringjallë të vdekurit. (Gjoni 6:39, 40) Kush tregon respekt për jetën, bën çmos të marrë trajtimin mjekësor më të mirë të mundshëm. Por kjo s’do të thotë të zgjedhësh procedura mjekësore që vetëm sa ia zgjasin paksa jetën dikujt që po vdes.

A është mëkat i pafalshëm vetëvrasja?

Jo, Bibla nuk e konsideron vetëvrasjen mëkat të pafalshëm. Edhe pse të vrasësh veten është mëkat serioz, * Perëndia kupton plotësisht faktorë, si sëmundjet mendore, stresin ekstrem e madje faktorët gjenetikë që mund ta nxitin dikë t’i japë fund jetës. (Psalmi 103:13, 14) Përmes Biblës, Ai u ofron ngushëllim të gjithë atyre që vuajnë. Për më tepër, Bibla premton se «do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët». (Veprat 24:15) Kjo tregon se ka shpresë të ringjallen edhe ata që kanë bërë mëkate serioze, si vetëvrasja.

^ par. 3 Eutanazi, ose vrasje e mëshirshme, do të thotë «të vrasësh dikë që është shumë i sëmurë ose i dëmtuar, vetëm që të mos vuajë më». (Merriam-Webster Learner’s Dictionary) Kur një doktor ndihmon një pacient t’i japë fund jetës, kjo quhet vetëvrasje me ndihmën e mjekut.

^ par. 10 Bibla përmend pak raste vetëvrasjesh, por asnjë prej atyre njerëzve nuk veproi në përputhje me vullnetin e Perëndisë.​—2 Samuelit 17:23; 1 Mbretërve 16:18; Mateu 27:3-5.