Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

A mund t’i mbajë Djalli njerëzit nën kontroll?

A mund t’i mbajë Djalli njerëzit nën kontroll?

Përgjigjja e Biblës

Djalli dhe demonët ndikojnë kaq shumë te njerëzit, sa Bibla thotë: «Mbarë bota është nën pushtetin e Djallit.» (1 Gjonit 5:​19, Bibla Simon Filipaj) Bibla tregon në ç’mënyra ndikon Djalli te njerëzit.

  • Mashtrimi. Bibla i nxit të krishterët «të luftojnë kundër intrigave të liga të djallit». (Efesianëve 6:​11, New Century Version) Një intrigë e tij është që të mashtrojë njerëzit të besojnë se shërbëtorët e tij janë shërbëtorë të Perëndisë.​​—2 Korintasve 11:​13-​15.

  • Spiritizmi. Djalli i mashtron njerëzit nëpërmjet mediumeve, parashikuesve të fatit dhe atyre që praktikojnë fallin ose astrologjinë. (Ligji i përtërirë 18:​10-​12) Edhe përdorimi i drogës, hipnotizimi dhe metodat e meditimit që zbrazin mendjen, e bëjnë dikë pre më të lehtë për demonët.​​—Luka 11:​24-​26.

  • Feja e rreme. Fetë i mashtrojnë njerëzit duke u mësuar doktrina të rreme e si rrjedhojë njerëzit nuk i binden Perëndisë. (1 Korintasve 10:20) Bibla i quan këto besime të rreme ‘mësime të demonëve’.​​—1 Timoteut 4:1.

  • Pushtimi nga demonët. Bibla dokumenton raste të individëve që ranë nën kontrollin e frymërave të liga. Ndonjëherë të demonizuarit verboheshin, bëheshin memecë e madje vetëdëmtoheshin.​​—Mateu 12:22; Marku 5:​2-5.

Si ta shmangim ndikimin e Djallit

S’ke pse të jetosh me frikën e demonëve, pasi Bibla tregon si mund t’i kundërvihesh me sukses Djallit:

  • Mëso të dallosh metodat e Djallit që ‘të mos jesh në padije të intrigave të tij’.​​—2 Korintasve 2:​11.

  • Merr njohuri nga Bibla dhe pastaj zbatoje atë që mëson. Zbatimi i parimeve biblike do të të mbrojë nga ndikimi i Djallit.​​—Efesianëve 6:​11-​18.

  • Zhduk çdo gjë që ka lidhje me veprimtaritë e demonëve. (Veprat 19:19) Këtu futet muzika, librat, revistat, posterat dhe videot që nxitin spiritizmin.