Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë është pagëzimi?

Çfarë është pagëzimi?

Përgjigjja e Biblës

Pagëzimi i referohet zhytjes së dikujt në ujë dhe daljes prej tij. * Kjo shpjegon pse Jezui u pagëzua në një lumë goxha të madh. (Mateu 3:​13, 16) Po ashtu, një etiopas kërkoi të pagëzohej kur iu afrua një vendi me shumë ujë.​—Veprat 8:​36-​40.

Domethënia e pagëzimit

Bibla e krahason pagëzimin me varrosjen. (Romakëve 6:4; Kolosianëve 2:​12) Pagëzimi në ujë simbolizon fundin e jetës së mëparshme të dikujt dhe fillimin e një jete të re si një i krishterë kushtuar Zotit. Pagëzimi dhe hapat që çojnë drejt tij, janë masat që ka marrë Perëndia që dikush të fitojë një ndërgjegje të pastër, bazuar në besimin te flijimi i Jezu Krishtit. (1 Pjetrit 3:​21) Prandaj, Jezui na mësoi se dishepujt e tij duhet të pagëzohen.​—Mateu 28:19, 20.

A na pastron nga mëkatet pagëzimi në ujë?

Jo. Bibla mëson se ne mund të pastrohemi nga mëkatet vetëm me anë të gjakut që derdhi Jezui. (Romakëve 5:​8, 9; 1 Gjonit 1:7) Por, që një person të nxjerrë dobi nga flijimi i Jezuit, duhet të tregojë besim te Jezui, të ndryshojë udhë që të jetojë sipas mësimeve të tij, si edhe të pagëzohet.​—Veprat 2:​38; 3:​19.

A mëson Bibla se foshnjat duhen pagëzuar?

Jo. Ideja e pagëzimit të foshnjave nuk gjendet në Bibël. Disa kisha mbajnë një ceremoni gjatë së cilës «pagëzojnë» një foshnjë (duke e spërkatur me ujë ose duke i derdhur ujë mbi kokë) dhe i vënë emrin. Pagëzimi i krishterë është për ata që janë aq të rritur, sa të kuptojnë e të besojnë «lajmin e mirë për mbretërinë e Perëndisë». (Veprat 8:​12) Ai vjen pasi dikush ka dëgjuar dhe ka pranuar fjalën e Perëndisë, si edhe pasi është penduar, veprime që një foshnjë nuk i bën dot.​—Veprat 2:​22, 38, 41.

Për më tepër, Bibla tregon se fëmijët e vegjël të të krishterëve Zoti i sheh si të shenjtë, ose të pastër në sytë e tij, për shkak të besnikërisë së prindërve të tyre. (1 Korintasve 7:​14) Po të kishte vlerë pagëzimi i foshnjave, foshnjat nuk do të kishin nevojë të pastroheshin nga mëkatet falë dikujt tjetër. *

Koncepte të gabuara për pagëzimin e krishterë

Koncept i gabuar: Spërkatja ose derdhja e ujit mbi një person është e pranueshme si zëvendësim për zhytjen e plotë.

Fakt: Të gjitha pagëzimet e përmendura në Bibël përfshijnë zhytjen. Për shembull, kur dishepulli Filip pagëzoi etiopasin, ata «zbritën . . . në ujë» e më pas «dolën nga uji».​—Veprat 8:​36-​39. *

Koncept i gabuar: Bibla lë të kuptohet se, kur e gjithë familja pagëzohej, përfshiheshin edhe foshnjat. Për shembull, ajo thotë për një rojtar burgu në Filipi: «Ai bashkë me të tijtë, u pagëzuan.»​—Veprat 16:31-​34.

Fakt: Tregimi për kthimin në besim të rojtarit të burgut nxjerr në pah se ata që u pagëzuan, e kuptuan «fjalën e Jehovait» dhe se ‘ishin shumë të gëzuar’. (Veprat 16:32, 34) Këto fakte çojnë në përfundimin se në shtëpinë e rojtarit nuk pati ndonjë foshnjë që u përfshi në pagëzim, sepse ato nuk mund ta kuptonin fjalën e Jehovait.

Koncept i gabuar: Jezui mësoi se edhe foshnjat duhen pagëzuar kur tha se Mbretëria u përket fëmijëve të vegjël.​—Mateu 19:13-​15; Marku 10:13-​16.

Fakt: Jezui nuk po fliste për pagëzimin kur tha ato fjalë. Në fakt po tregonte se ata që do të kualifikoheshin për Mbretërinë e Perëndisë duhej të ishin si fëmijët​—të përulur dhe të gatshëm për të mësuar.​—Mateu 18:4; Luka 18:16, 17.

^ par. 3 Fjala greke e përkthyer «pagëzim» vjen nga rrënja e një fjale që do të thotë «të zhytesh». Shih Theological Dictionary of the New Testament, vëllimi I, faqja 529.

^ par. 10 Sipas një enciklopedie, «Dhiata e Re nuk lë fare të nënkuptohet se foshnjat duhen pagëzuar». (The International Standard Bible Encyclopedia) Ajo thotë edhe se kjo praktikë u zhvillua për shkak të «vlerësimit të gabuar e të ekzagjeruar të pagëzimit», nga ideja se vetë pagëzimi pastron mëkatet.​—Vëllimi 1, faqet 416-​417.

^ par. 13 Nën temën «Pagëzimi (në Bibël)», New Catholic Encyclopedia thotë: «Është e qartë se pagëzimi në kishën e hershme bëhej duke u zhytur.»—Vëllimi 2, faqja 59.2