Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

Çfarë janë «çelësat e mbretërisë»?

Çfarë janë «çelësat e mbretërisë»?

Përgjigjja e Biblës

«Çelësat e mbretërisë», që ndonjëherë quhen «çelësat për në mbretëri», përfaqësojnë autoritetin për t’u hapur rrugë njerëzve që ‘të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë’. (Mateu 16:19; The New American Bible; Veprat 14:22) * Jezui ia dha Pjetrit «çelësat e mbretërisë së qiejve». Kjo do të thotë se Pjetrit iu dha autoritet që të zbulonte informacione se si njerëzit besnikë, duke marrë frymën e shenjtë të Perëndisë, mund të kishin privilegjin të hynin në Mbretërinë e qiejve.

Për kë u përdorën çelësat?

Pjetri e përdori autoritetin nga Zoti që t’u hapte rrugë tri grupeve për të hyrë në Mbretëri.

  1. Judenjtë dhe ata që ishin kthyer në judenj. Shpejt pas vdekjes së Jezuit, Pjetri inkurajoi një turmë që besonin te judaizmi, të pranonin Jezuin si të zgjedhurin nga Zoti për të qeverisur në Mbretëri. Pjetri u tregoi ç’duhej të bënin që të shpëtonin. Kështu hapi udhën që ata të hynin në Mbretëri, dhe mijëra «i përqafuan . . . fjalët e tij».​—Veprat 2:​38-​41.

  2. Samaritanët. Më vonë Pjetri u dërgua te samaritanët. * Përsëri përdori një çelës të Mbretërisë kur bashkë me apostullin Gjon «u lutën për ta që të merrnin frymën e shenjtë». (Veprat 8:​14-​17) Kjo u çeli udhën samaritanëve për të hyrë në Mbretëri.

  3. Jojudenjtë. Tre vjet e gjysmë pas vdekjes së Jezuit, Perëndia i zbuloi Pjetrit se edhe jojudenjtë do të mund të hynin në Mbretëri. Si rrjedhojë, Pjetri përdori një nga çelësat duke u predikuar jojudenjve, pra, duke u hapur derën të merrnin frymën e shenjtë, të bëheshin të krishterë dhe të kishin perspektivën për të qenë pjesëtarë të Mbretërisë.​—Veprat 10:30-​35, 44, 45.

Ç’do të thotë ‘të hysh në mbretëri’?

Ata që ‘hyjnë në mbretëri’, bëhen bashkëqeveritarë me Jezuin në qiell. Bibla paratha se ‘do të uleshin në frone’ dhe ‘do të mbretëronin mbi tokën’.​—Luka 22:29, 30; Zbulesa 5:​9, 10.

Ide të gabuara për çelësat e Mbretërisë

Ide e gabuar: Pjetri vendos kush mund të shkojë në qiell.

Fakt: Bibla thotë se është Krishti Jezu që «do të gjykojë të gjallët e të vdekurit» dhe jo Pjetri. (2 Timoteut 4:​1, 8; Gjoni 5:​22) Në fakt, vetë Pjetri tha se Jezui «është Ai që Perëndia dekretoi për të qenë gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve».​—Veprat 10:34, 42.

Ide e gabuar: Vendimet në qiell merreshin pasi Pjetri të vendoste se kur të përdoreshin çelësat e Mbretërisë.

Fakt: Kur foli për çelësat e Mbretërisë, Jezui i tha Pjetrit: «Gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.» (Mateu 16:19, Diodati i Ri) Edhe pse disa mendojnë se kjo shprehje do të thotë se Pjetri diktonte vendimet që merreshin në qiell, foljet origjinale greke tregojnë se vendimet e Pjetrit do të merreshin pas atyre që merreshin në qiell, jo para.

Në një vend tjetër Bibla tregon se Pjetri i nënshtrohej qiellit kur përdorte çelësat e Mbretërisë. Për shembull, ai ndoqi udhëzimet e Perëndisë kur përdori çelësin e tretë.​—Veprat 10:19, 20.

^ par. 3 Ndonjëherë Bibla përdor fjalën ‘çelës’ si simbol të autoritetit dhe të përgjegjësisë.​—Isaia 22:20-​22; Zbulesa 3:​7, 8.

^ par. 7 Samaritanët i përkitnin një feje të veçuar nga judaizmi, por që përfshinte disa mësime e praktika nga Ligji i Moisiut.