Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

NDIHMË PËR FAMILJEN

Si të ndihmosh fëmijët të përballojnë dështimet?

Herët a vonë fëmijët e tu do të përballen me dështime ose me zhgënjime. Si mund t’i ndihmosh që të marrin veten?

 Çfarë duhet të dish?

Dështimet janë pjesë e jetës. Bibla thotë se «të gjithë ne pengohemi». (Jakovi 3:2) Edhe fëmijët pengohen. Gjithsesi, zhgënjimet kanë një gjë të mirë, sepse mund t’u mësojnë fëmijëve si të kapërcejnë situatat e vështira. Fëmijët nuk lindin medoemos me këtë aftësi, por mund ta zhvillojnë atë. Një nënë që quhet Laura, thotë: «Bashkë me burrin kemi parë se është mirë për fëmijët të mësojnë të përballojnë dështimet, në vend që të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë. Kështu mësojnë të mos dorëzohen edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë.»

Shumë fëmijë nuk dinë t’i përballojnë dështimet. Disa nuk janë mësuar me dështimet, pasi prindërit ua mbushin mendjen që s’kanë bërë gabim. Për shembull, nëse fëmija merr një notë të keqe, disa prindër ia hedhin fajin mësuesit. Nëse fëmija është zënë me një shok, prindërit ia hedhin fajin shokut.

Por, si mund të mbajnë përgjegjësi fëmijët për gabimet nëse prindërit i mbrojnë gjithmonë nga pasojat?

 Ç’mund të bësh?

  • Mësoji fëmijët se veprimet kanë pasoja

    Bibla thotë: «Çfarëdo që të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.»—Galatasve 6:7.

    Çdo dëmtim ka koston e vet dhe çdo gabim sjell pasoja. Fëmijët duhet ta dinë parimin shkak-pasojë dhe të mbajnë njëfarë përgjegjësie për atë që ka ndodhur. Prandaj, mos ia hidh fajin dikujt tjetër e mos justifiko veprimet e fëmijëve të tu. Përkundrazi, le të vuajnë pasojat, të cilat duhet të jenë të arsyeshme për moshën që kanë dhe për gabimin që kanë bërë. Fëmija duhet ta kuptojë qartë se pasojat erdhën për shkak të veprimeve të tij të gabuara.

  • Ndihmoji fëmijët të gjejnë zgjidhje

    Parim nga Bibla: «I drejti mund të bjerë edhe shtatë herë dhe ka për t’u ngritur.»—Proverbat 24:16.

    Dështimi sjell dhembje, por nuk është fundi i botës. Ndihmoje fëmijën të përqendrohet te zgjidhja e situatës dhe jo te diçka në dukje e padrejtë. Për shembull, nëse djali ka ngelur në provim, ndihmoje të kuptojë se mund ta përmirësojë situatën, duke qenë i vendosur për të studiuar më shumë. (Proverbat 20:4) Nëse vajza është grindur me një shoqe, ndihmoje të kuptojë se, duke kërkuar falje, situata bëhet më mirë, pavarësisht se kush e ka fajin.—Romakëve 12:18; 2 Timoteut 2:24.

  • Mësoji fëmijët të jenë modestë

    Parim nga Bibla: «I them gjithsecilit mes jush të mos mendojë për veten më shumë nga sa duhet të mendojë.»—Romakëve 12:3.

    Nuk është as realiste, as e dobishme t’i thuash fëmijës se është «më i miri». Tekefundit, edhe fëmijët që shkëlqejnë në mësime, s’marrin gjithmonë 10-ta. Po ashtu, edhe ata që shkëlqejnë në ndonjë sport, nuk do të fitojnë gjithmonë. Fëmijët që kanë një pikëpamje modeste për veten, i përballojnë më mirë dështimet dhe zhgënjimet.

    Bibla thotë se vështirësitë na ndihmojnë të zhvillojmë cilësinë e qëndrueshmërisë dhe të jemi më të fortë. (Jakovi 1:2-4) Edhe pse dështimet e zhgënjimet na shkurajojnë, mund t’i ndihmosh fëmijët që t’i shikojnë nga këndvështrimi i duhur.

    T’i mësosh fëmijës si të përballojë dështimet në jetë, është si t’i mësosh një aftësi të re; do kohë dhe përpjekje. Ama, kjo do t’i sjellë plot shpërblime ndërsa kalon adoleshencën. Një libër * që flet për rritjen e adoleshentëve, thotë: «Të rinjtë që dinë të përballojnë vështirësitë, kanë më pak gjasa të bëjnë diçka të nxituar e të rrezikshme kur ndihen përtokë. Ata ia dalin mbanë edhe përballë situatave të reja e të papritura.» Patjetër, këto aftësi sjellin dobi edhe kur rriten.

Sugjerim: Ji shembull. Mos harro, mënyra si i përballon zhgënjimet ti do të të ndihmojë të stërvitësh fëmijët të përballojnë zhgënjimet e tyre.

^ par. 21 Letting Go With Love and Confidence.