Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Pse s’duhet të modelohem sipas stereotipit në media?​—Pjesa 2: Për djemtë

Pse s’duhet të modelohem sipas stereotipit në media?​—Pjesa 2: Për djemtë

 Çfarë është stereotipi në media?

Hidhu një sy këtyre fjalëve dhe pastaj përgjigjju pyetjeve vijuese.

Kolona 1

Kolona 2

Rebel

I respektueshëm

Egoist

Besnik

I fortë

I dhembshur

Dembel

I palodhur

Kokëkrisur

I përgjegjshëm

Mashtrues

I ndershëm

  1. Cilat fjalë përshkruajnë djemtë adoleshentë që sheh në media (filma, televizion a reklama)?

  2. Cilat fjalë përshkruajnë llojin e personit që ti dëshiron të jesh?

Ka të ngjarë që përgjigjet për pyetjen e parë t’i kesh gjetur te kolona 1, kurse përgjigjet për pyetjen e dytë te kolona 2. Nëse është kështu, shumë mirë. Pse? Sepse kjo tregon se mënyra si i përshkruan media meshkujt ka të ngjarë që nuk pasqyron personin që je ti, e as personin që duhet të bëhesh. Shqyrto pse.

  • Media i paraqet shpesh meshkujt si të dhunshëm e rebel. Libri Why Boys Don’t Talk​—and Why It Matters vëren se personazhet meshkuj më të pëlqyer në televizion, në filma e në sporte janë «ata me fuqi të madhe fizike e që kanë qëndrim agresiv. . . . Mesazhi që përcillet është: nëse je i fortë e rebel, je cool.»

    Për të menduar: A do të të ndihmojë qëndrimi agresiv të bëhesh mik, koleg a bashkëshort më i mirë? Kur të provokojnë, çfarë kërkon më shumë forcë​—të shfrysh zemërimin apo të ruash gjakftohtësinë? Cili reagim do të tregojë se je burrë i vërtetë?

    Bibla thotë: «Kush nuk zemërohet shpejt, është më mirë se një burrë i fuqishëm, dhe kush e kontrollon frymën e tij, është më mirë se ai që merr një qytet.»​—Proverbat 16:32.

    Nëse ruan gjakftohtësinë, je më i fuqishëm se një luftëtar

  • Media i paraqet meshkujt si të fiksuar pas seksit. «Në filma e në televizion, djemtë i ndërrojnë të dashurat më shpesh se rrobat»,​—thotë Krisi 17-vjeçar. Geri, 18 vjeç, shpjegon më tej: «Djali tipik në media është i fiksuar pas seksit.» Në disa filma çunat nuk duan gjë tjetër veç të shkojnë në festa, të pinë e të bëjnë seks.

    Për të menduar: A pasqyron ky stereotip reputacionin që ti dëshiron të kesh? A i trajton një burrë i vërtetë gratë si objekte seksuale apo i trajton me respekt?

    Bibla thotë: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore.»​—1 Selanikasve 4:​4, 5.

  • Media i portretizon djemtë si të papërgjegjshëm. Në shumë filma e shfaqje televizive të njohura, djemtë adoleshentë paraqiten shpesh si dembelë e të paaftë. Ndoshta për këtë arsye disa të rritur nuk kanë shumë besim në potencialin e djemve. Geri, i cituar më parë, thotë: «Kur mbusha 16 vjeç, e pata të vështirë të gjeja punë sepse pronarët e bizneseve në zonën time punësonin vetëm gra. Mendonin se të gjithë djemtë adoleshentë ishin të papërgjegjshëm e nuk u zihej besë.»

    Për të menduar: A është me vend stereotipi i adoleshentit të papërgjegjshëm e jo të besueshëm? Si mund të tregosh se je ndryshe?

    Bibla thotë: «Askush të mos e përçmojë rininë tënde. Përkundrazi, bëhu shembull për të besueshmit në të folur, në sjellje, në dashuri, në besim dhe në dëlirësi.»​—1 Timoteut 4:​12.

 Çfarë duhet të dish?

  • Media mund të ketë ndikim të fuqishëm te ti. Për shembull, media mund të të shtyjë të mendosh se duhet të ndjekësh modën e fundit që të tjerët të të kenë qejf. «Reklamat tregojnë çuna të veshur me një stil të caktuar dhe goca që lënë kokën pas tyre,​—thotë një 17-vjeçar me emrin Kolin.—​Kjo të bën të shkosh e t’i blesh ato rroba. Më ka ndodhur edhe vetë nja dy herë!»

    Për të menduar: A tregon veshja jote se kush je, apo thjesht vishesh si shumica? Në të vërtetë, kush përfiton kur ti harxhon para për të qenë në një hap me tendencat e fundit të modës?

    Bibla thotë: «Mjaft u brumosët sipas kësaj bote.»​—Romakëve 12:2.

  • Imitimi i një stereotipi në fakt mund të të bëjë më pak tërheqës për vajzat. Shiko çfarë kanë thënë disa prej tyre:

    • «Do të më pëlqente më shumë një çun që është vetvetja sesa një çun i pasigurt që aktron për t’u bërë përshtypje të tjerëve. Faktikisht, një djalë që s’lë gjë pa bërë vetëm që t’u pëlqejë të tjerëve, duket qesharak!»​—Ana.

    • «Reklamuesit i bëjnë djemtë të mendojnë se duhet të kenë pajisjet e fundit elektronike ose një pamje të caktuar për t’u rënë në sy vajzave. Por teksa vajzat rriten, fillojnë të shohin përtej këtyre gjërave. Fillojnë të shohin cilësitë e një burri dhe si i trajton të tjerët. Për shembull, vajzat pëlqejnë djemtë e ndershëm e besnikë.»​—Daniela.

    • «Shpesh, çunat e bukur janë fodullë, e unë s’do të doja të kisha të bëja me një tip të tillë. Mund të jesh djali më yll në botë, por nëse s’je i bukur nga brenda, dukesh i shëmtuar.»​—Diana.

    Për të menduar: Duke përshkruar djaloshin Samuel, Shkrimet thonë se «rritej dhe fitonte pëlqimin e Jehovait dhe të njerëzve». (1 Samuelit 2:​26) Në cilat cilësi duhet të punosh për të pasur edhe ti atë reputacion?

    Bibla thotë: «Silluni si burrat.»​—1 Korintasve 16:13.

 Çfarë mund të bësh?

  • Analizo stereotipin. Vër re këtë pohim në Bibël: «Gjithçka e botës: dëshirat e mishit, dëshirat e syve dhe kapardisja për t’u dukur me të mirat materiale, nuk vjen nga Ati, por nga bota.»​—1 Gjonit 2:16.

    Pikërisht këto gjëra shfrytëzon media e i bën të duken normale. Prandaj mëso ta analizosh atë që sheh, sepse shpesh nuk është asgjë më tepër se sajesë e tregtuesve për të bërë para.

  • Vendos ti se çfarë do të bësh. Bibla thotë: «Vishni personalitetin e ri, i cili nëpërmjet njohurisë së saktë rinohet sipas shëmbëlltyrës së Atij që e krijoi»,​—jo sipas shëmbëlltyrës që nxit media.​—Kolosianëve 3:​10.

    Për ta pasur më të lehtë ndjekjen e kësaj këshille, mendo përsëri për cilësitë e përmendura në fillim të këtij artikulli, cilësi që do të doje të të karakterizonin. Pse të mos fillosh të punosh tani për t’i fituar ose për t’i përmirësuar?

  • Gjej shembuj pozitivë. «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur»,​—thotë Bibla. (Proverbat 13:20) Cilët burra që ke njohur ti kanë treguar se janë të mençur? Disa mund t’i kesh në familje, si për shembull babanë, xhaxhanë ose dajën. Disa mund të jenë të njohur ose shokë të pjekur. Në kongregacionin e krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait ka shumë burra shembullorë. Vetë Bibla përmban shembuj të tillë, si Titi, që është model për të rinjtë.​—Titit 2:​6-8.

    Sugjerim: Përdor librin Imitoni besimin e tyre për të mësuar rreth shembujve biblikë të shkëlqyer që janë model për djemtë, si Abeli, Noeja, Abrami, Samueli, Elija, Jonai, Jozefi e Pjetri.