Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Si ta përballoj ankthin?

Si ta përballoj ankthin?

 Çfarë të shkakton ankth?

A ndihesh edhe ti ndonjëherë si këta të rinj?

«Mendoj vazhdimisht: ‘Po sikur . . . ?’ ‘Po sikur të bëjmë aksident me makinë?’ ‘Po sikur të na rrëzohet avioni?’ Jam në ankth për gjëra që një njeri më i arsyeshëm nuk do të shqetësohej kaq shumë.»​Çarlsi.

«Më zë ankthi gjatë gjithë kohës, si të isha një mi në një rrotë që rrotullohet, por nuk shkon gjëkundi. Po rraskapitem në punë, por s’po arrij asgjë.»​—Ana.

«Kur më thonë lum ti që shkon ende në shkollë, them me vete: ‘As që ia kanë idenë sa stresuese është shkolla!»​—Danieli.

«Jam si tenxhere me presion. Gjithnjë e shqetësuar se ç’do të më ndodhë më pas ose ç’duhet të bëj më pas.»​—Laura.

Fakt: Jetojmë në kohë që Bibla i quan «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». (2 Timoteut 3:1) Ja pse ankthi mund t’i prekë të rinjtë po aq sa të rriturit.

 A është gjithnjë i dëmshëm ankthi?

Përgjigjja është jo. Në fakt, Bibla thotë se është e drejtë të jesh në ankth për t’u pëlqyer atyre që do.​—1 Korintasve 7:​32-34; 2 Korintasve 11:28.

Gjithashtu, duhet ta pranojmë se ankthi mund të jetë një motivues i fuqishëm. Për shembull, ta zëmë se javën tjetër ke provim në shkollë. Ankthi mund të të detyrojë të studiosh këtë javë, dhe kjo mund të të ndihmojë të marrësh notë më të mirë.

Përveç kësaj, njëfarë ankthi mund të të sinjalizojë për një rrezik. Serena, një adoleshente, thotë: «Mund të ndihesh në ankth ngaqë e di se po vepron gabim dhe se duhet të bësh ndryshime që ta kesh ndërgjegjen të qetë.»​—Krahaso Jakovin 5:14.

Fakt: Ankthi mund të jetë i dobishëm për ty, për aq kohë sa të nxit të veprosh drejt.

Por, po sikur të ngecësh në një labirint mendimesh negative për shkak të ankthit?

Kur ke ankth mund të ndihesh sikur ke ngecur në një labirint, por dikush që i sheh gjërat ndryshe mund të të ndihmojë të gjesh rrugëdaljen

Shembull: «Më zë ankthi kur mendoj për lloj-lloj mënyrash si mund të përfundojë një situatë stresuese,​—thotë Riçardi, një nëntëmbëdhjetëvjeçar.​—Mendoj e mendoj, aq sa më zë një ankth i paparë.»

Bibla thotë se «zemra e qetë është jetë për trupin». (Proverbat 14:30) Nga ana tjetër, ankthi mund të shkaktojë disa simptoma fizike të pakëndshme, si dhimbje koke, marrje mendsh, probleme me stomakun dhe rrahje të shpeshta të zemrës.

Ç’mund të bësh nëse ankthi duket se nuk po të ndihmon, por po të dëmton?

 Çfarë mund të bësh?

  • Pyet veten nëse ia vlen të jesh në ankth. «Të jesh në merak për përgjegjësitë e tua është një gjë, por të jesh tejet në ankth është diçka tjetër. Kjo më sjell ndër mend thënien: ‘Ankthi është si një karrige e lëkundshme. Je duke bërë diçka, por s’po shkon gjëkundi.’»​—Katerina.

    Bibla thotë: «Kush nga ju, duke qenë në ankth, mund ta zgjatë sadopak jetën e vet?»​—Mateu 6:27.

    Ç’do të thotë kjo: Nëse ankthi nuk të çon drejt një zgjidhjeje, vetëm sa do të ta keqësojë problemin​—ose do të bëhet problemi yt.

  • Merri gjërat ditë pas dite. «Ndalu e mendo. Ajo që të vë në ankth sot, a do të ketë rëndësi nesër, pas një muaji, pas një viti apo pas pesë vjetësh?»​—Antoni.

    Bibla thotë: «Mos jini kurrë në ankth për të nesërmen, sepse e nesërmja do të ketë ankthet e veta. Secilës ditë i mjafton e keqja e vet.»​—Mateu 6:34.

    Ç’do të thotë kjo: S’ka kuptim të alarmohesh për problemet e së nesërmes, disa prej të cilave mund të mos ndodhin kurrë.

  • Mëso të bashkëjetosh me atë që s’mund ta ndryshosh. «Më e mira është të përgatitesh për situatat për aq sa ke mundësi. Nga ana tjetër prano faktin se disa situata janë jashtë kontrollit tënd.»​—Roberti.

    Bibla thotë: «Garën nuk e fitojnë gjithmonë të shpejtët . . . dhe as ata me njohuri nuk kanë hir [ose sukses], sepse të gjithëve u rastis të kalojnë kohë të vështira dhe të përjetojnë ngjarje të paparashikuara.»​—Eklisiastiu 9:11.

    Ç’do të thotë kjo: Ndonjëherë nuk mund t’i ndryshosh rrethanat, ama mund të ndryshosh mënyrën si i sheh ato.

  • Shihe situatën nga këndvështrimi i duhur. «Kam vënë re se duhet të përqendrohem te situata në përgjithësi e të mos stresohem për hollësitë. Nuk duhet të luftoj për çdo gjë, por t’i përqendroj energjitë që të merrem me gjërat që kanë përparësi.»​—Aleksi.

    Bibla thotë: ‘Sigurohuni për gjërat më të rëndësishme.’​Filipianëve 1:10.

    Ç’do të thotë kjo: Ata që i shohin situatat nga këndvështrimi i duhur, ka më pak të ngjarë që t’i vërë poshtë ankthi.

  • Fol me dikë. «Kur isha në klasën e gjashtë, kthehesha nga shkolla plot ankth, e tmerruar për të nesërmen. Mami dhe babi më dëgjonin me vëmendje teksa shprehesha. Sa mirë që i kisha pranë! Mund t’u besoja dhe të flitja lirshëm me ta. Kjo më ndihmonte të përballoja të nesërmen.»​—Merilina.

    Bibla thotë: «Nga ankthi i zemrës njeriu kërruset, kurse fjalët e mira e gëzojnë.»​Proverbat 12:25.

    Ç’do të thotë kjo: Një prind ose mik mund të të japë sugjerime praktike se si ta pakësosh ankthin.

  • Lutu. «Lutja, dhe sidomos lutja me zë që ta dëgjoj veten, më ndihmon shumë. Kështu mund t’i shpreh me fjalë gjërat që më japin ankth e jo t’i mbaj në mendje. Gjithashtu, lutja më ndihmon të kuptoj se Jehovai është më i madh se ankthi im.»​—Laura.

    Bibla thotë: «Hidhni gjithë ankthin tuaj mbi të [Zotin], sepse ai interesohet për ju.»​1 Pjetrit 5:7.

    Ç’do të thotë kjo: Lutja nuk është një mënyrë për t’i zgjidhur vetë problemet. Është komunikim real me Perëndinë Jehova, i cili premton: «Mos i hidh sytë rreth e përqark [ose mos ji në ankth], se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj.»​Isaia 41:10.