Kalo te përmbajtja

Dëshmitarët e Jehovait

Zgjidh gjuhën shqip

TË RINJTË PYESIN

Si ta largoj trishtimin?

Si ta largoj trishtimin?

«Sa herë miqtë e mi kanë probleme, unë jam pranë tyre për t’i ndihmuar dhe për t’i bërë që të ndihen më mirë. Por pastaj, shkoj në shtëpi, mbyllem në dhomë dhe ia plas të qarit. Këtë nuk e sheh asnjeri.»​—Kela.

«Kur ndihem përtokë, veçohem nga të tjerët. Nëse më ftojnë diku, nxjerr ndonjë justifikim për të mos shkuar. Jam «ekspert» për t’ia fshehur familjes trishtimin tim. Ata mendojnë se jam mirë.»​—Riku.

A je ndier ndonjëherë si Kela ose Riku? Nëse po, mos u nxito të nxjerrësh përfundimin se ka diçka që nuk shkon me ty. E vërteta është se të gjithë trishtohemi herë pas here. Kjo u ka ndodhur edhe grave e burrave besnikë që përmenden në Bibël.​—1 Samuelit 1:6-8; Psalmi 35:14.

Në disa raste, mund ta dish se përse je i trishtuar, kurse në raste të tjera jo. «S’është e thënë të kesh ndonjë problem të madh që të trishtohesh,—thotë Ana 19-vjeçare.—Mund të ndodhë në çdo kohë, edhe nëse nuk ke asnjë shqetësim. Është e çuditshme, por ndodh.»

Pavarësisht nga arsyeja, ose edhe nëse nuk duket se ka arsye, ç’mund të bësh kur trishtimi të mbërthen në kthetrat e tij? Provo sugjerimet e mëposhtme:

  1. Fol me dikë. Ndërsa kalonte vështirësi të mëdha, Jobi tha: «Do të flas në vrerin e shpirtit tim.»​—Jobi 10:1.

    Kela: Pasi kam folur me dikë ndihem jashtëzakonisht e lehtësuar. Tani dikush e di çfarë po kaloj. Kështu që mund të më hedhë litarin, të më nxjerrë nga pusi ku kam rënë e më në fund të më shpëtojë.

  2. Shkruaj si ndihesh. Kur trishtimi të mjegullon pikëpamjen për jetën, ndoshta është mirë të përpiqesh t’i hedhësh mendimet e tua në letër. Në psalmet e frymëzuara, Davidi ndonjëherë shprehte trishtimin e thellë. (Psalmi 6:6) T’i shprehësh ndjenjat me shkrim, të ndihmon ‘të ruash mençurinë dhe aftësinë për të menduar’.​—Proverbat 3:21.

    Edra: Të shkruarit më ndihmon të organizoj rrëmujën që më është mbledhur në kokë nga trishtimi. Kur i shpreh ndjenjat dhe kupton pse ndihesh ashtu, trishtimi lehtësohet.

  3. Lutu. Bibla thotë se, nëse lutesh për atë që të shqetëson, ‘paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, do të ruajë zemrën dhe fuqitë e tua mendore’.​—Filipianëve 4:6, 7.

    Estera: Po përpiqesha të kuptoja pse ndihesha aq keq, por ishte e pamundur. I kërkova Jehovait të më ndihmonte të isha e lumtur. Isha shumë e lodhur nga trishtimi pa arsye. Më në fund, gjeta forcën ta mposhtja trishtimin. Mos e nënvlerëso kurrë fuqinë e lutjes!

    Me ndihmë dhe përpjekje, mund të dalësh nga pusi i thellë i trishtimit

    Sugjerim: Përdor Psalmin 139:23, 24 si model për lutjet që i bën Jehovait. Hapja zemrën dhe kërkoji të të ndihmojë të gjesh se cila është arsyeja e trishtimit tënd.

Përveç sugjerimeve të mëparshme, Fjala e Perëndisë, Bibla, mund të jetë një ndihmë e çmuar. Kur e mbushim mendjen me mendime inkurajuese nga tregimet biblike, kjo mund të ndikojë për mirë në ndjenjat e tua.​—Psalmi 1:1-3.

Kur trishtimi nuk largohet

«Disa herë në mëngjes,—thotë Rajani,—më duket sikur e kam më të lehtë të mos dal nga krevati, sesa të jetoj një ditë tjetër pa asnjë qëllim.» Rajani vuan nga depresioni dhe nuk është i vetmi. Studimet tregojnë se rreth 1 në 4 të rinj vuajnë nga ndonjë formë e lehtë ose e rëndë depresioni gjatë rritjes.

Si mund të kuptosh nëse vuan nga depresioni? Disa shenja janë: ndryshim i theksuar në humor dhe sjellje, veçim nga shoqëria, rënie interesi pothuajse për çdo gjë, ndryshim i dukshëm në zakonet e të ngrënit e të fjeturit dhe ndjenja të theksuara pavlefshmërie e ndjenja të pajustifikueshme faji.

Sigurisht, thuajse të gjithë mund të kenë ndonjëherë një ose disa nga këto simptoma. Por nëse simptomat vazhdojnë për më shumë se dy javë, pse të mos flasësh me prindërit për t’u vizituar te mjeku? Ai mund të të ndihmojë të kuptosh nëse trishtimi yt ka një shkak mjekësor.

Nëse vuan nga depresioni, nuk ka asgjë për të ardhur turp. Me mjekime, shumë veta janë bërë më mirë​—ndoshta më mirë se ç’ishin ndier prej kohësh. Pavarësisht nëse trishtimi yt vjen nga depresioni ose jo, mos harro fjalët ngushëlluese të Psalmit 34:18: «Jehovai u rri pranë zemërthyerve, dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërrmuar.»